Fatmir Terziu: TITANOMAKIA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 2 min read

TITANOMAKIA
Nga Fatmir Terziu
Flokët janë mbuluar me hirin e stinës
të dendura pas shiut të heshtur,
ar dhe argjend i stiluar nga lartësia.
Sytë shtrëngojnë qepallat
dhe profili i tyre rrëmben penelat
të skicoj pakënaqësinë e ajrit.
I vagët sipas kohës. Për mua, sytë
janë diçka tjetër
dhe ngjashmëria qiellore është telajo,
e mbërthyer në një tel,
kështu që i hedh fotot në të cilat nuk je ti,
me logjikë të mjegulluar
dhe shkronja zogjsh të ulur në bel.
Nuk mund ta kuptoj: janë korba apo çfarë?
Ti je dashuria ime e paparë në çdo kohë
nuk ka asnjë mënyrë që Zoti
të ketë të bëjë me monotoninë e asaj që po ndodh.
Këtu e atje mbi trupin tënd të shtrirë si pishë
një aeroplan rënkon mbi kishë.
A mjafton kjo që dikush të befasohet,
apo imagjinon se Titanomakia u prish,
kur u shfaq në malin Othrys?
Nuk kam askënd tjetër me të cilin të debatoj,
kështu që do ta imagjinoj lindjen e diellit
(pa mitin e zbërthyer përnjëherë)
po aq të padukshëm sa ti mes tymit.
Ndoshta do të jetë pastruar deri atëherë.
Ti, me qëndrueshmërinë e urtë,
do të më dërgosh një kornizë
ku të risjell me penel dete, liqene, lumenj,
me rrjedhat e tyre që zbresin shtizë
e ndoshta male, fusha e më shumë
në të cilën mund të jem edhe unë.
E këtu ndoshta nga vetë habia
mbyllet një herë e mirë Titanomakia[1]!
[1]Titanomakia ishte një luftë legjendare dhjetëvjeçare në mitologjinë greke midis perëndive olimpike dhe titanëve. Perënditë olimpike, të udhëhequra nga Zeusi, luftuan për të përmbysur titanët sundues, të cilët ishin të vendosur në malin Othrys. Lufta, e njohur edhe si Lufta e Titanëve ose Beteja e Perëndive, në fund të fundit rezultoi në fitoren e olimpianëve dhe sundimin e tyre mbi universin.
Comments