Fatmir Terziu: Thjesht sipas Aristotelit?
- Jul 17, 2025
- 2 min read

E pse duhet të shkojmë akoma larg të kërkojmë Aristotelin. Ta kërkojmë? Edhe kur nuk mund të jetë gjithnjë mes asaj që lëviz në hapësirën. Edhe, kur e dimë që zhduket midis mendjes dhe shestimit të fjalës. Edhe kur e dimë se e mënjanojmë me gishtat në tastierën e teknologjisë së shekullit në vazhdim. Edhe kur e dimë dhe e ndjejmë aktualisht vullkanin e një shpërthimi të pavetëdijshëm? Në një hapësirë të tillë, kohë, vend, jashtë procesit të arsyes, por brenda vetë tërësisë, si „vetëtimë“ shfaqet e gjitha që na ndez, udhëton në udhën tek korrja, e cila ballafaqohet edhe me breshërin, edhe me humbjen, edhe me iluzionin, edhe me të qënit në zgrip, kur fare mirë e dimë që mund të jetë dhe mbetet një romancë, që lind një dashuri. E aty, pikërisht aty, çdo Njeri, edhe Unë e Ti, jemi si një risi. Risi që nëpërmjet përkushtimit, bëhet më paqësore, e gjithë kjo sferë e ndërsjellë midis ndjesisë së vërtetë që të ribëhet më e sinqertë. Thjesht sipas Aristotelit? Autori.
Nga Fatmir Terziu
VULLKAN
Buzët e saj më shumë të ndijshëm
ka vënë zjarrin në brendësinë time.
Shpërthim i pavetëdijshëm.
VETËTIMË
Unë thjesht e dua të qeshurën nga stina
momentet kur shkrepja harrohet.
Xixëllonja nga retina.
BRESHËR
Thjesht duke thënë arsyen e vendimit:
prej arrogancës së acartë të pushtetit.
Akull menuja e shërbimit.
HUMBJE
Pika vese mbi gjethet e zverdhura nga vitet
fara të fryra nga era në zgavrrat e shkëmbinjve.
Jo çdo gjë rritet.
ILUZION
Dritat e yjeve në errësirën gri
vizione kalimtare të kozmosit.
pa ne, verbëri.
ZGRIP
Flladi i heshtur braktis retë të malluar
filtrim përmes guvës së bllokuar.
Mëngjesi merr frymë zgjuar.
ROMANCË
Në kohën e babait tim, ishte me lugë
në ditët e sotme, është duke pirë me kupë.
Në festën që është romancë (pa turp).
DASHURI
Galaktikë e zgjedhur në mendjen e stisur
nuk mund të shkulet ylli në album.
Dashuria e ka ngjitur.
KORRJA
Ne kemi zgjedhur të korrat tona
tani eja kthe fushat tek unë me zemër.
Bujaria jonë do të rritet me një emër.









Comments