
Fatmir Terziu talent i lindur
Nga Hasan M. Shahinaj
Kam patur rastin të mburrem me krijimet e tij që në vogëli. Ende i kam për fat të mirë fletoret e tij, ku ai si nxënës model dhe shembullor shkruante dhe krijonte ndjeshëm. Si ish mësues i tij i Gjuhës Shqipe dhe Leximit Letrar, kujtoj me respekt tërë ato krijime të ndjeshme e mjaft interesante të cilat më pas i kam dërguar dhe botuar me krenari tek revistat letrare „Pionieri“ dhe „Horizonti“, që botoheshin në Tiranë e ku kemi qenë të abonuar rregullisht. „Enkas për ilustrim të prirjeve letrare të ish-nxënësit tim në fjalë, po fiksojmë si faksimile një nga fletoret e tij me poezitë shkollore që ua redaktoja nxënësve, i ekspozoja në këndet e pasura të klasave e të sallonit të madh të shkollës“. Thuhet në librin monografik të poetit dhe publicistit shqiptar, Hasan M. Shahinaj „Shkolla shqipe emërmadhe e Trebishtit: Monografi historiko – pedagogjike“. Kjo monografi është botuar me rastin e 100 – Vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe në Trebisht të Gollobordës së Dibrës (15 Prill 1914 – 15 Prill 2014).
I biri i një mësuesi të nderuar, një pionieri të arsimit shqiptar në zonë, por dhe të një Normalisti me emër të nderuar, Hasan M. Shahinaj natyrisht është një zë profesional i mirrënjohur në mjaft drejtime. Si i tillë ai ka mbajtur mjaft shënime dhe natyrisht shkruan më tej në këtë rast. Fatmir D. Terziu nga ish – nxënës i dalluar i Shkollës 8 – vjeçare „10 Dëshmorët“ Trebisht, në ish- gjmnazist dhe ish - student i dalluar ku më pas u bë dhe telekronist e gazetar i respektuar i Televizionit të pavarur „Dardan“ në qytetin e Elbasanit e më gjerë në disa fusha mediatike dhe edukative. Duke qenë emigrant në Angli plotësoi studimet profesionale, ku nisi nga fillimi me marrjen e Diplomës në Nivelin e Lartë të Edukimit dhe Medias e Komunikimit, pastaj në studimet direkte Bachelor në Regjisurë dhe Shkrim-Krijim-Editim filmi dhe televizioni, vazhdoi dhe mbarroi me Distinction nivelin mastër Shkencor dhe Profesional, duke përfunduar Doktorimin (PhD) dhe postdoktaruturën me nivele të larta vlerësimi. Ai më pas edukimit, punës akademike ku veçmas iu përkushtua me të tëra energjitë vitale mendore e shpirtërore profesionit, duke bashkëpunuar e prodhuar emisione në multimediat londineze, në shtypin e emigracionit dhe kryesisht në disa botime librash të tij në prozë, poezi e kritikë letrare eseistike dhe studime të mirrëfillta e të munguara shkencore. Me kënaqësi konstatojmë se z. Fatmir është romancieri i parë trebishtar me botimet e kësaj kolane „Bunari“; „Grykësit“; „Blirët e Pejës“; „Shtëpia në Kornizë“; „Mbi dudë“ „Fijet e barit të thatë“ e mjaft të tjerë.
Sqarojmë se vitet e para Fatmir Terziu ka punuar edhe si mësues në Shkollën e mesme të bashkuar ‘’Elez Koçi’’ të Ostrenit të Madh, e cila i dha mundësi të njohë tipa e personazhe të së ardhmes së tij letraro - artistike. Unë kam patur rastin ta kem një nga ish- nxënësit e mi të dalluar e me prirje të talentit letrar, këtë autor tashmë të mirënjohur edhe për vendlindjen tonë të përmallshme Trebisht. Enkas për ilustrim të prirjeve letrare të ish- nxënësit tim në fjalë, po fiksojmë si faksimile një nga fletoret e tia me poezitë shkollore që ua redaktoja nxënësve, i ekspozoja në këndet e pasura të klasave e të sallonit të madh të shkollës; përveçse të përzgjedhurat i dërgoja për botim në revistat letrare ‘’Pionieri’’ dhe ‘’ Horizonti’’, që botoheshin në Tiranë e ku kemi qënë të abonuar rregullisht.
Pohojmë se autori Fatmir D. Terziu ka mbi tridhjetë tituj të botuar në prozën e shkurtër e të gjatë shqiptare dhe është mirëpritur nga lexuesi dhe kritika letraro- artistike e sotme. Ai është nderuar dhe vlerësuar me disa dekorata, çmime, si brenda Atdheut dhe jashtë, ku i është dhënë dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë nderimi i nivelit të lartë „Mjeshtër i Madh“. Edhe një herë, ndoshta me mangësi të ndjeshme nga ana ime për arritjet e tjera të Fatmir D. Terziut, e shpreh me kënaqësi dhe me krenari se ai ka qenë një talent vërtetë i lindur, gjë që e ka vërtetuar me punë, krejt i vetëm, pa bërryla dhe pa ndihmën e ndonjë arsyeje tjetër. Kudo është dhe mbetet vetvetja. Urimet e mia më të përzemërta.
Ruki Kondaj
Fatmir Terziu eshte nje intelektual, krijues e botues, natyrisht me nje talent te lindur, por edhe te perkushtuar e me vullnet të larte ne krijimitarine e tij , respekt!
Urime z. Hasan! Fatmiri nderon jo vetm Trebishtin, Dibren por mbare kombin shqiptar. Ai eshte ne majat e njohjes dhe veprimtarise mediatike dhe letrare, studimore. Faleminderit!
Josif Hoga
I uroj akoma me shume suksese Pr.Dr.Fatmir Terziut,respekte.
Klejda Plangarica
Modeli i një mësuesi të përkushtuar, që ende ruan fletoret me krijime të një nxënësi pas kaq shumë vitesh dhe shkruan me aq admirim për të tani! Ndërsa Fatmiri, modeli i një nxënësi tashmë personalitet, për të cilin çdo mësues do ndihej krenar! Përgëzime të dyve!
E përshëndes përzemërsisht mësuesin e nderuar Hasan Shahinaj për vlerësimin e lartë që i bën figurës së intelektualit të shquar, mjeshtërit të fjalës artistike dhe të kinematografisë, Prof.dr. Fatmir Terziut. Do të ishte fat i madh që një intelektual të formatit të tillë ta gëzonte atdheu amë. Por ja që politika atje punon mbrapsht dhe një intelektual të tillë e gëzon Mbretëria e Bashkuar, në të cilën Profesor Fatmiri përfaqëson me dinjitet të lartë krenarinë tonë kombëtare.
Eshref Ymeri