Fatmir Terziu: Takimi

Takimi
Ekipi i reve dhe pellgu i kuajve
shkëmbyen ngjyrat ballë për ballë në rrugën e gjatë të kuqe.
Rruga e gjatë e kuqe ishte e strukur
në shpirtin djeganak të hithrave në kthinë të kodrës
dhe poshtë zvarritej lumi i mekur në kërcell të diellit
shkumë nga goja e shkëmbinjve.
Milingonat me sjellje të buta qëndronin në të njëjtin disiplinim,
duke përtypur përkëdheljen e pluhurit.
Shkëmbi prezantoi burrin me mjekërr dhe malet,
sokëllinë me mjekrrën
më të zbardhur se këmisha e tij,
në dritaren e një makine të blinduar
shoferi vështronte me sy në rrjedhë
i shpërqëndruar.
Matanë dritares me xhama të erët,
ndodhësia binte pjerrët
në një jamboli me flokë dhie të zbardhur nga dielli,
ku qëndronte ulur në një qese të fortë, me pluhur të zverdhët,
një belezi gjyshi.
Fshiu sytë dhe pa kapelet që tundeshin mjeteve motorike të zonjave,
shallet e tyre byrynxhyk
ndjeu ndryshimin e kohërave
e sikurse ndodh në të tilla raste bëri shenjë me gisht.
Shoferi krenar i ra borisë,
por asgjë nuk lëvizi,
përveç përroit të shkumëzuar që kërcente në të tijën poshtë korisë.
Pastaj ai tundi kokën,
ktheu timonin,
dhe ngadalë, me kujdes bëri më tutje,
makina e blinduar me xhama të zinj u kthye në rrugën e kuqe.
Dhe milingonëzat e buta ngritën këmbët e tyre.
Dhe burri me mjekërr ngriti sytë në qiell.
Dhe retë u përplasën me trokthin e lëvizmave të syve.
Kaq. Koha u bë fraq
aty në një lëmsh imagjinar të kohës
revanshi ngriu përpara kodrës.
Dhe skuadra e reve pa u lëkundur u zbraz mbi karvanin e çalë
e gjitha ndodhi aty te pellgu i kuajve me huqe,
ngadalë e ngadalë,
derisa e lagu tërë rrugën e gjatë të kuqe.
Dielli kishte mbetur duke kafshuar
përhumbjen e atij takimi të malluar!








Comments