top of page

Fatmir Terziu: Stereopatia e shkrimtarit

  • 6 days ago
  • 4 min read

 

Përkushtimi i tre vëllimeve të mia „Kritika Ndryshe: një vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare“ (I-II-III) ka vendosur theksin tek një problem tipologjik shqiptar. Ai është stereopatia, të cilin e shpjegoj si viojon. Stereopatia është prirja e mendjes për t’u mbështetur vazhdimisht te të njëjtat modele mendimi, gjykime dhe ide të gatshme, duke refuzuar ose shmangur kompleksitetin e realitetit. Ajo mund të përkufizohet si një lloj “varësie ndaj stereotipeve”, ku individi ndihet më i sigurt brenda formulave të njohura sesa përballë pyetjeve, dyshimeve dhe këndvështrimeve të reja. Në këtë gjendje, mendimi humbet elasticitetin e tij krijues dhe shndërrohet në një mekanizëm përsëritës që riprodhon vazhdimisht të njëjtat ide, slogane ose paragjykime. Stereopatia nuk është thjesht përdorimi i stereotipeve, ajo është shndërrimi i tyre në mënyrën dominuese të të menduarit, ku risia perceptohet si kërcënim dhe përsëritja si garanci e së vërtetës. Për këtë arsye, stereopatia konsiderohet një nga pengesat më të mëdha të mendimit kritik, të krijimtarisë artistike dhe të lirisë intelektuale.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe një nga arsyet pse krijimtaria shqiptare shpesh nuk arrin të tërheqë vëmendjen që meriton përtej kufijve të saj. E kapur nga stereopatia, ajo shpesh rrotullohet rreth të njëjtave tema, të njëjtave figura, të njëjtave skema narrative dhe të njëjtit ligjërim emocional, duke prodhuar më shumë variacione të së njohurës sesa zbulime të së resë. Në vend që të sfidojë lexuesin me këndvështrime origjinale dhe universale, ajo shpesh mbetet peng i formulave të konsumuara, i miteve të përsëritura dhe i një lloj vetëkënaqësie kulturore që e ngatërron përsëritjen me traditën. Letërsia që bie në stereopati humbet aftësinë për të habitur, ndërsa bota letrare ndërkombëtare kërkon pikërisht habinë, veçantinë dhe guximin estetik. Kur shkrimtari shkruan atë që është thënë tashmë qindra herë, ai nuk ndërton një vepër të re, por vetëm një jehonë të zbehtë të veprave të mëparshme. Për këtë arsye, problemi i letërsisë sonë nuk është mungesa e talentit, por shpesh mungesa e çlirimit nga stereotipet që e mbajnë imagjinatën të burgosur brenda kufijve të së zakonshmes.

Pra në histori kur fjala pushon së qeni urë, shndërrohet në mur. Kjo ndodh kur mendimi nuk ecën më drejt së panjohurës, por rrotullohet brenda një rrethi të mbyllur, duke përsëritur vetveten me një besnikëri mekanike. Pikërisht në këtë pikë lind ajo që mund të quhet stereopatia e shkrimtarit, një gjendje e mendjes krijuese që, në vend të kërkimit të së vërtetës, bie në dashuri me formulën, në vend të zbulimit, me përsëritjen, në vend të pyetjes, me përgjigjen e gatshme.

Në analizat e psikologjisë së propagandës është vënë re se efektiviteti i sloganeve nuk qëndron në thellësinë e tyre, por në aftësinë për t’u përsëritur pa fund. Fjalët që mbijetojnë nuk janë domosdoshmërisht më të vërtetat, por më të përshtatshmet për t’u ngulitur në vetëdijen kolektive. Si në një proces përzgjedhjeje natyrore, mbeten vetëm ato shprehje që arrijnë të zgjojnë reagime të menjëhershme, ndërsa mendimet më komplekse zhduken në heshtje. Kështu lind standardizimi i ligjërimit, ai ngrirje e mendimit që e redukton botën në disa skema të njohura e të riprodhueshme.

Por rreziku më i madh nuk shfaqet kur stereotipet pushtojnë politikën apo reklamën. Ai bëhet më i rëndë kur hyn në letërsi. Sepse shkrimtari, që duhej të ishte eksplorues i territoreve të panjohura të shpirtit, rrezikon të shndërrohet në riprodhues të formulave të gatshme. Ai fillon të përdorë të njëjtat metafora, të njëjtat qëndrime morale, të njëjtat figura të së mirës dhe së keqes. Personazhet nuk jetojnë më; ata marshojnë sipas urdhrave të klisheve. Ngjarjet nuk rrjedhin nga drama e jetës, por nga nevoja për të vërtetuar një ide të paracaktuar.

Stereopatia e shkrimtarit nuk është mungesë talenti. Përkundrazi, ajo mund të prekë edhe autorë të talentuar. Ajo lind kur krijuesi fillon të dëgjojë më shumë jehonën e publikut sesa zërin e ndërgjegjes së vet. Kur ai kupton se disa tema duartrokiten më lehtë, se disa formula ideologjike garantojnë sukses më të shpejtë, se disa emocione prodhojnë reagime të sigurta. Në atë moment, letërsia fillon të funksionojë si marketing. Faqja e bardhë nuk është më një hapësirë zbulimi, por një treg ku shiten produkte të njohura. Në thelb, stereopatia është sëmundja e sigurisë. Mendja stereopatike nuk e duron pasigurinë e pyetjeve të mëdha. Ajo kërkon strehë në përsëritje, sepse përsëritja jep iluzionin e së vërtetës. Sa më shumë që një ide përsëritet, aq më e natyrshme duket. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi tragjik: njeriu fillon të besojë jo atë që është e vërtetë, por atë që e ka dëgjuar më shpesh.

Shkrimtari autentik duhet të jetë armiku i kësaj gjendjeje. Misioni i tij nuk është të qetësojë stereotipet e lexuesit, por t’i trazojë ato. Jo t’i japë publikut atë që pret, por atë që nuk e kishte menduar ende. Letërsia e madhe nuk ndërtohet mbi përsëritjen e formulave, por mbi guximin për të parë botën sikur po shihet për herë të parë. Ajo lind aty ku fjala çlirohet nga automatizmi dhe rikthehet në aventurë. Prandaj, stereopatia e shkrimtarit nuk është vetëm një problem estetik; ajo është një problem etik dhe filozofik. Sepse çdo klishe e pranuar pa rezistencë është një copë lirie e humbur. Çdo mendim i gatshëm që zë vendin e kërkimit është një derë e mbyllur për të vërtetën. Dhe nëse propaganda ushqehet me përsëritje, letërsia e vërtetë jeton nga e kundërta: nga aftësia për të thyer formulat, për të çarë stereotipet dhe për t’i kujtuar njeriut se mendimi është, para së gjithash, një akt lirie. Në këtë kuptim, shkrimtari mbetet jo mjeshtër i përgjigjeve, por rojtar i pyetjeve që nuk duhet të pushojnë kurrë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page