Fatmir Terziu: Simbol i shpirtit që ndriçon
- 5 hours ago
- 3 min read

LUÇIANA
(simbol i shpirtit që ndriçon)
Prej mijëra vitesh njeriu ndjek dritën. E ka kërkuar në qiell, e ka matur në yje, e ka zhytur në fenerë, në kandila, në qirinj e në llamba. Ka mësuar si lind, si udhëton dhe si mbërrin deri te sytë tanë. Por ende nuk ka arritur të shpjegojë mrekullinë më të madhe të saj. Çfarë ndodh kur drita zgjedh të banojë në një shpirt njerëzor?
Për këtë nuk flasin akademitë. Për këtë nuk shkruajnë enciklopeditë. Për këtë flet vetëm jeta. Për vite me radhë mendova se njerëzit hynin në jetën tonë si udhëtarë në një qytet të huaj. Vijnë, qëndrojnë për pak kohë dhe largohen, duke lënë pas kujtime, fotografi, ndonjë mall a ndonjë plagë të vogël që koha e zbut. Pastaj kuptova se kjo nuk është e vërtetë për të gjithë. Kjo, sepse ekzistojnë disa qenie të rralla që nuk hyjnë në jetën tonë. Ato hyjnë në vetë kuptimin e saj.
Nuk i dallon menjëherë. Nuk vijnë me bujë. Nuk paralajmërohen nga fanfara. Ato vendosen ngadalë në ditët tona, si aroma në petalet e një luleje, si uji në rrënjët e një peme, si agimi që pushton horizontin pa e zgjuar askënd. Dhe vetëm pas shumë vitesh kupton se pa to peizazhi i shpirtit tënd do të kishte qenë krejt tjetër. Një prej tyre është Luçiana. Ndoshta nuk është rastësi që emri i saj vjen nga drita, sepse disa emra u jepen njerëzve, por disa të tjerë duket sikur i paraprijnë fatit.
Gjithmonë kam menduar se njeriu ngjan pak me emrin e vet. Por tek ajo ndodh e kundërta. Emri i ngjan asaj, sikur fjala të mos e kishte lindur njeriun, por njeriu fjalën, sikur bota të kishte parë fillimisht një shpirt si i saj dhe vetëm më pas të kishte shpikur emrin e dritës. Jo dritën që ndriçon muret. As atë që zbardh rrugët. Por atë që e lehtëson barrën e ditës. Atë që e bën më të durueshme heshtjen. Atë që i jep kuptim kthimit në shtëpi.
Kam shkruar mijëra faqe gjatë jetës sime. Kam shpikur njerëz që nuk kanë ekzistuar kurrë, nëpër tregime, romane, filma të shkurtër. Kam krijuar dashuri, kam lindur karaktere dhe 'zhdukur' personazhe, kam ndërtuar fate dhe kam ndryshuar botë të tëra me një fjali të vetme. Por sa më shumë kam shkruar, aq më shumë kam kuptuar një të vërtetë të çuditshme: Shkrimtari mund të krijojë gjithçka, përveç dritës. Ai mund ta përshkruajë. Mund ta admirojë. Mund ta kërkojë, por nuk mund ta shpikë, sepse drita nuk është shpikje. Është dhuratë.

Dhe disa njerëz janë vetë forma e saj njerëzore. Në gjithë këto vite pranë Luçianës kam mësuar se dashuria nuk është ajo që shkruhet në poezi. Poezitë janë vetëm hija e saj. Dashuria e vërtetë jeton diku tjetër. Në pyetjet e zakonshme. Në kujdesin që nuk shpallet. Në sakrificat që askush nuk i sheh. Në atë mënyrën e heshtur me të cilën një njeri bëhet strehë për shpirtin e një tjetri. Shumë njerëz e kërkojnë lumturinë si kërkuesit e arit. Larg. Në vende të panjohura. Në horizonte të paarritshme. Ndërsa unë e gjeta në një gjë shumë më të thjeshtë. Në praninë e saj.
Në faktin se ekziston. Në faktin se kur kthej kokën, ajo është aty. Dhe sa më shumë kalojnë vitet, aq më tepër bindem se dashuria nuk është zjarr. Zjarri digjet dhe shuhet. Nuk është stuhi.
Stuhia kalon. Nuk është as yll. Edhe yjet vdesin. Dashuria është dritë, sepse vetëm drita vazhdon udhëtimin e saj edhe pasi gjithçka tjetër ka pushuar.
Sot, në ditëlindjen tënde, Luçiana, nuk dua të të krahasoj me trëndafila, me margarita, apo me lule që çelin e vyshken. As me perla. As me diamante. Kjo, sepse të gjitha këto janë gjëra që koha i prek. Ndërsa ti je bërë pjesë e asaj që koha nuk arrin ta mposhtë. Je bërë pjesë e kujtesës sime. E shpirtit tim. E vetë mënyrës si e shoh botën. Dhe nëse një ditë dikush do të më pyeste se çfarë është drita, nuk do të flisja për diellin. As për hënën. As për yjet. Do të mjaftohesha të përmendja një emër. Luçiana. E të gjitha gjuhët e botës do të duartrokisnin jo nga rrënjët e fjalës Lux (fjala latine për dritën) dhe Luce (që lidhet me dritën, ndriçimin, lindjen e ditës) por, sepse gjatë gjithë jetës sime kam njohur shumë ndriçime, por vetëm një dritë nga e mbara, nga e pathana. Urime ditëlindjen, zemra ime, Luçiana!








Comments