Fatmir Terziu: Si t'ia gjejmë dhuratën?
- 5 hours ago
- 3 min read

Mbledhja nuk kishte rend dite. Kishte vetëm një pyetje. Çfarë dhurate mund t'i bëhej një njeriu që prej kohësh nuk banonte më brenda vetes? Askush nuk guxoi ta quante sëmundje. Në procesverbal u shënua me një togfjalësh të kujdesshëm: “çrregullim i avancuar i perceptimit shtetëror”. Tingëllonte më institucional. Më i denjë për vulë. Këshilltari personal propozoi një pasqyrë.
- Jo, - tha njëri nga rrethndodhësit e ditës. - Do të zemërohet kur të mos njohë njeriun që sheh.
Ministri i Kulturës propozoi një libër.
- E pamundur. Fjalët i duken komplote.
Këshilltari ekonomik sugjeroi një portofol prej lëkure.
- Ai nuk mban para. Mban vetëm premtime.
Një gjeneral i pensionuar, që pinte kafe me të, ngriti dorën.
- T'i dhurojmë një hartë.
- Nuk i njeh kufijtë, - iu përgjigj dikush me zë të ulët.
Në qoshen më të errët të sallës rrinte një mjek, i cili nuk ishte ftuar për të folur, por vetëm për të dëgjuar. Ai mbante shënime në një fletore pa stemë, pa logo zyrtare, pa asnjë shenjë. Sipas dosjes së tij, Kryeministri kishte humbur veshët gjatë një mbledhjeje qeveritare, ku askush nuk dëgjonte askënd. Gojën e kishte humbur në një darkë private, pasi kishte folur tri orë pa thënë asnjë fjali që t'i mbijetonte natës. Mendjen, sipas ekspertëve, e kishte lënë mbi tavolinën e një darke solemne, mes gotave të kristalta dhe lugëve të argjendta. Të nesërmen e kërkuan me kujdes, por gjetën vetëm një pecetë të palosur bukur.
Më vonë humbi hijen. Pastaj humbi turpin. Në fund, filloi të humbiste edhe sendet që nuk i kishte pasur kurrë. Çudia ishte se çdo humbje e bënte më të sigurt në vetvete. Ai ecte nëpër korridoret e godinës duke buzëqeshur para mureve. Muret i kthenin buzëqeshjen me bojën e freskët. Fliste me portretet. Portretet heshtnin me mirësjellje. Përshëndeste statujat. Ato ishin të vetmet që nuk e kundërshtonin. Një ditë urdhëroi të hiqeshin të gjitha reflektimet nga godina. Arsyeja zyrtare ishte kursimi i energjisë. Arsyeja e vërtetë nuk u shkrua askund. Reflektimet kishin filluar ta shikonin me dyshim.
Mbledhja vazhdoi deri në mbrëmje. Në listën e dhuratave të refuzuara hynë, një orë, sepse nuk besonte më te koha, një busull, sepse të gjitha drejtimet i quanin majtas, një violinë, sepse çdo tingull e merrte për duartrokitje, një qen, sepse kishte frikë nga besnikëria, një fëmijë, sepse fëmijët bëjnë pyetje.
Jashtë binte shi. Pikat godisnin xhamat me një rregullsi që ngjante me arsyen. Brenda, logjika rridhte në drejtim të kundërt. Vetëm pas mesnate, pas shumë heshtjesh dhe shumë propozimesh të kota, u ngrit pastruesja e sallës. Ajo kishte pritur që burrat me kollare të mbaronin filozofinë e tyre.
- Blijini një kukull, - tha.
Të gjithë kthyen kokën.
- Pse pikërisht një kukull?
Gruaja ngriti supet.
- Sepse kukullat nuk e kundërshtojnë njeriun që luan me to. Janë gjithmonë dakord. Kanë buzëqeshje të qepur. Nuk dëgjojnë. Nuk flasin. Nuk mendojnë. Në sallë ra një heshtje aq e plotë, sa për një çast dukej se edhe llambat po mendonin. Askush nuk e vuri re se gruaja nuk po fliste për dhuratën. Ajo po përshkruante mbretërimin e tij.
Të nesërmen kukulla mbërriti në një kuti kadifeje. Kryeministri e mori me të dyja duart, e vështroi gjatë dhe buzëqeshi me një gëzim fëmijëror.
- Më në fund, - tha. - Dikush që më ngjan.
Pastaj e uli në karrigen pranë tij. Në fotografitë zyrtare që u shpërndanë atë pasdite, nuk ishte më e mundur të dallohej me siguri se cila nga dy fytyrat ishte reale, apo prej porcelani.








Comments