top of page

Fatmir Terziu: Shën Helena dhe Kuçi

  • 9 hours ago
  • 5 min read

(“Memoriali i Shën Helenës”, një përkthim i lindur nga një fat i ngjashëm)

 

Memoriali i Shën Helenës”, në përkthimin e Xhemil Demirajt, më duket sikur mbetet ndërmjetësuesi i një teksti, por edhe bashkëudhëtar i autorit nëpër kohë. Aty duket mjeshtëria e Xhemil Demirajt përballë Napoleonit. Që në përballjen e parë me tekstin, të bie në sy një cilësi themelore: qartësia. Por kjo qartësi nuk është e thjeshtë dhe as mekanike. Ajo ndërtohet mbi besnikërinë ndaj origjinalit, mbi njohjen e gjuhës, mbi kulturën dhe mbi një ndjeshmëri të veçantë ndaj mënyrës se si një mendim historik duhet të kalojë nga një gjuhë në tjetrën pa humbur peshën, ngjyrën dhe frymën e tij. Në rastin e Xhemil Demirajt, kjo vepër mbart edhe një përkim të rrallë jetësor. Napoleoni u internua në ishullin e Shën Helenës, Demiraj, një ushtarak me formim akademik, kulturë dhe përvojë të gjatë, ndodhej vetë në internim në Kuç të Vlorës. Pikërisht në atë hapësirë të rëndë dhe të mbyllur të jetës së tij, larg botës së lirë dhe i detyruar të përballej me vështirësitë e një internimi absurd, lindi ideja për t’i sjellë në shqip kujtimet e një tjetër të internuari, por të përmasave historike botërore.

Ky është një nga ato paradokset e çuditshme të fatit: dy ushtarakë, dy burra të shkëputur me forcë nga bota e tyre, dy internime krejt të ndryshme në përmasa, por të lidhura në mënyrë simbolike nga një ide e përbashkët, nevoja për të folur, për të kujtuar dhe për të mos lejuar që përvoja njerëzore të humbasë. Xhemili mund ta kalonte kohën e internimit duke luajtur tavëll, letra apo duke kërkuar mënyra të tjera për ta mundur monotoninë e ditëve. Por intelekti i tij nuk e pranonte atë boshllëk. Ai zgjodhi një tjetër rrugë: t’i hynte punës së vështirë të përkthimit. Dhe ndërsa përkthente Napoleonin, dukej sikur harronte për pak çaste edhe internimin e vet. Përmes faqeve të librit ai udhëtonte në Shën Helenë, ndiqte mendimet, kujtimet, konfliktet, strategjitë dhe reflektimet e Napoleonit, duke u larguar përmes kulturës nga hapësira e ngushtë ku e kishte mbyllur regjimi.

 

Këtë histori pata rastin ta prek edhe vetë.

 

Në vitet ’2000 shkova në Vlorë për një takim letrar me shkrimtaren Vilhelme Vranari Haxhiraj, ku u takova dhe me piktorin Skënder Kamberi. Dhe atje biseda shkoi dhe preku edhe fshatin Kuç. Dita tjetër më shpuri atje. Dhe atje mësova se kishte qenë i internuar Xhemil Demiraj.  Atje mësova edhe përkthimin e “Memorialit të Shën Helenës”. Sot, kur e shohim këtë vepër të përfunduar dhe të vendosur përpara lexuesit, nuk mund të mos kujtojmë edhe atë histori njerëzore që qëndron pas saj. Ky nuk është thjesht përkthimi i një libri të rëndësishëm historik. Është edhe dëshmia e një vullneti intelektual që nuk u thye nga internimi, nga puna e rëndë apo nga kushtet e vështira të jetës. Xhemil Demiraj e kishte formimin e ushtarakut, por në të kishte edhe kulturën e gjuhëtarit, të lexuesit të thellë dhe të njeriut të disiplinuar. Kjo duket në mënyrën se si ai e ndërton tekstin. Përkthimi është i kthjellët, i saktë dhe i matur. Ai nuk e ngarkon shqipen me fjalë të panevojshme të huaja, nuk bie në barbarizma e as në përdorime dialektore që mund të largonin lexuesin nga karakteri i veprës.

Një nga meritat e rëndësishme të përkthyesit është edhe respektimi i terminologjisë. Termat nuk deformohen vetëm për t’u bërë artificialisht “shqip”. Përkundrazi, ato ruhen aty ku ruajtja e tyre ndihmon kuptimin dhe autenticitetin e tekstit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një vepër ku ndërthuren historia, politika, diplomacia, strategjia dhe arti ushtarak. Në gjuhën e përkthimit vërehet edhe një përdorim i kujdesshëm i strukturave foljore, një ndjeshmëri ndaj mënyrave dhe diatezave, si dhe një përpjekje e vazhdueshme për ta mbajtur fjalinë në ekuilibër. Xhemili nuk e ngarkon shqipen me fjalë të tepërta. Ai i beson fjalës së saktë.

 

Por përkthimi i tij nuk është një përkthim mekanik.

 

Ai nuk ndjek verbërisht parimin e “fjalës për fjalë”. Në shumë raste, përkthyesi ndjek imazhin, kuptimin, ritmin dhe frymën. Kjo është një nga provat më të vështira për çdo përkthyes të letërsisë dokumentare dhe historike, të mos tradhtojë fjalën, por njëkohësisht të mos sakrifikojë shpirtin e saj. Në këtë kuptim, Demiraj përkthen jo vetëm fjalinë, por edhe pamjen që ajo ndërton. Ai përpiqet të sjellë veprimin, atmosferën, karakterin e personazhit, ngjyrimin e mjedisit dhe frymën franceze të rrëfimit. Fraza e gjatë apo e shkurtër nuk është zgjedhje e rastësishme; ajo përshtatet me ritmin e mendimit dhe me frymëmarrjen e rrëfimit.

 

Dhe kjo nuk ishte aspak një detyrë e lehtë.

 

Memoriali i Shën Helenës” nuk është thjesht një rrëfim kujtimesh. Është një hapësirë e gjerë historike, një galeri personazhesh, një mozaik ngjarjesh dhe idesh. Në të bashkohen politika, lufta, filozofia, historia, morali, humori, anekdota, reflektimi dhe kujtesa. Përkthyesi duhet të lëvizë nëpër të gjitha këto fusha me të njëjtën siguri. Në këtë aspekt, formimi ushtarak i Demirajt bëhet një avantazh i veçantë. Ai nuk e sheh luftën vetëm nga jashtë. E njeh gjuhën e saj, disiplinën e saj, logjikën e saj, lëvizjen dhe strategjinë. Por ajo që e bën përkthimin të plotë është se përtej kulturës ushtarake ai sjell edhe kulturën letrare dhe gjuhësore.

Napoleoni, përmes këtij libri, nuk është vetëm një figurë historike. Ai shfaqet si mendje, si strateg, si njeri, si kujtim dhe si protagonist i një prej periudhave më tronditëse të historisë evropiane. Për ta sjellë këtë figurë në shqip, duhej jo vetëm njohje e fjalorit, por edhe aftësi për të kuptuar botën që qëndron pas fjalëve. Prandaj përkthimi i Xhemil Demirajt mund të lexohet edhe si një udhëtim i dyfishtë, Napoleoni udhëton nga Shën Helena drejt shqipes, ndërsa përkthyesi, nga internimi i Kuçit, udhëton drejt botës së Napoleonit. Këtu qëndron edhe një nga bukuritë më të mëdha të kësaj vepre, tek e cila biseda e piktorit Kamberi më shpinte edhe tek disa fakte që më pas mi ka shpjeguar edhe poeti Faslli Haliti në një kafe me të në Tiranë, ku ky i fundit e kishte pasur dhe mik, me të cilin ishte takuar vetë në vitet 70-të në Kuç.

Një njeri i privuar nga liria fizike gjen lirinë e vet në kulturë. Një ushtarak i internuar gjen hapësirë për të lëvizur përmes një libri. Një kazmë në krah nuk e pengon një mendje të mbajë në duar një vepër të madhe. Dhe një kasolle e humbur në malet e Kuçit bëhet, përmes përkthimit, një lloj studioje e fshehtë ku punohet për t’i dhënë shqipes një tekst me peshë të jashtëzakonshme historike. Kjo është arsyeja pse “Memoriali i Shën Helenës” në shqip nuk duhet parë vetëm si një akt përkthimor. Ai është edhe një dokument i fuqisë së kulturës për të mbijetuar përballë rrethanave.

Xhemil Demiraj e përballoi këtë vepër me durim, disiplinë dhe kulturë. Ai i kaloi vështirësitë e terminologjisë, nuancat e shprehjeve, kurthet e idiomave dhe kompleksitetin e një teksti që kërkon njohuri të shumëfishta. Dhe në fund arriti ta sjellë atë në një shqipe të pastër, të qartë dhe të denjë për lexuesin. Prandaj, kur sot flasim për këtë përkthim, duhet të flasim edhe për njeriun që qëndron pas tij. Për ushtarakun që nuk hoqi dorë nga kultura. Për të internuarin që nuk pranoi të internohej edhe mendërisht. Për përkthyesin që, në një kohë kur rrethanat i kishin ngushtuar horizontet, gjeti mënyrën për t’i zgjeruar ato përmes një libri. Në fund të fundit, Shën Helena dhe Kuçi janë larg njëri-tjetrit në hartë, por në historinë e këtij përkthimi ato afrohen në mënyrë të çuditshme. Njëri ishte ishulli ku u mbyll Napoleoni; tjetri vendi ku u mbyll fizikisht Xhemil Demiraj. Por nga të dyja hapësirat doli një dëshmi e fuqisë së mendjes. Dhe ndoshta pikërisht këtu gjendet kuptimi më i thellë i këtij përkthimi, liria mund të kufizohet si hapësirë, por nuk mund të internohet mendimi. “Memoriali i Shën Helenës”, në përkthimin e Xhemil Demirajt, është dëshmi e kësaj të vërtete. Është një vepër që na kujton se edhe në rrethanat më të vështira, kultura mund të mbetet një formë e lirisë dhe fjala e përkthyer mund të bëhet një mënyrë për të kapërcyer muret e kohës, të vendit dhe të fatit.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page