Fatmir Terziu: Sadet Dauti, intelektuali që e mban vendlindjen në sy e në zemër
- 3 hours ago
- 3 min read

Fatmir Terziu: Sadet Dauti, intelektuali që e mban vendlindjen në sy e në zemër
Ndërsa jeta rrjedh vrullshëm në Londër, disa gjëra duken si pika të vogla, të cilat njeriu, edhe pse nuk arrin t’i kapë menjëherë, bëhen frymëzim për më shumë. Janë ato takime, ato njohje dhe ato biseda që lënë gjurmë në kujtesë, duke të kujtuar se vlerat e vërteta njerëzore nuk kanë nevojë për zhurmë që të dallohen. Mjafton një takim, një fjalë e peshuar, një mendim i mençur dhe kupton se përballë ke një njeri të veçantë. Kështu ndodhi edhe me njohjen time me Sadet Dautin. Nuk e njihja më parë. Beni, zonja e të cilit, është një kushërirë e dhëndrit tim, që është bashkëshorti i motrës sime e që jetojnë e punojnë në Greqi, me të cilin u takuam rastësisht në Londër, u bë shkaku i kësaj njohjeje të bukur. Që në çastet e para ndjeva se kisha përballë një njeri fisnik, intelektual, mendimpjekur, me vizion të qartë, me peshë në fjalë dhe me urtësi në mendim. Ishte nga ata njerëz që nuk kanë nevojë të flasin shumë për të treguar vlerat që mbartin.
Formimi i tij lidhet me botën e disiplinës dhe të përkushtimit. Sadet Dauti ka qenë ushtarak, një profesion që kërkon karakter, përgjegjësi dhe vetëkontroll. Për këtë një njeri tjetër i penës në telefon nga vendlindja dibrane, Nexhbedin Basha më thotë, se Deti, ashtu e quan ai, është djalë dhe burrë mjaft me vlera, pasi kemi qenë bashkë ushtarakë dhe e njoh mirë. Në këtë fushë ai është stërvitur dhe edukuar me seriozitet, duke fituar cilësi që më vonë do ta shoqëronin edhe në rrugëtimin e tij intelektual. Por Sadeti nuk mbeti vetëm brenda kufijve të profesionit të tij. Ai u bë studiues, njohës i gjuhëve të huaja dhe përkthyes i talentuar, duke dëshmuar se etja për dije nuk njeh kufij.
Me kalimin e viteve, Sadet Dauti është shquar si publicist dhe autor i respektuar. Analizat, komentet dhe shkrimet e tij trajtojnë tema të rëndësishme shoqërore, politike dhe teknologjike, me një këndvështrim kritik e të argumentuar. Demokracia, të drejtat e njeriut, privatësia dhe ndikimi i teknologjisë në jetën moderne janë ndër temat ku ai ka lënë gjurmën e mendimit të tij të pavarur. Shkrimet e tij janë botuar në platforma të njohura si “Albanian Post” dhe “Fjala e Lirë” në Londër, duke fituar vlerësimin e lexuesve për seriozitetin dhe thellësinë e trajtimit.
Por ajo që të bën ta respektosh edhe më shumë është lidhja e tij e pashkëputshme me vendlindjen. Sadet Dauti është nga ata njerëz që, sado larg të jetojnë, nuk e harrojnë kurrë vendin nga kanë dalë. Përkundrazi, largësia duket se ia ka forcuar edhe më shumë dashurinë për rrënjët e tij. Kohët e fundit ai organizoi një aktivitet të jashtëzakonshëm në vendlindjen e tij të bukur e piktoreske, Lladomericë, një ngjarje që mblodhi një pjesëmarrje të gjerë dhe u kthye në një festë të vlerave, kujtesës dhe identitetit. Ishte një dëshmi e qartë se sa shumë e mban ai vendlindjen në zemër dhe sa i rëndësishëm mbetet për të çdo gur, çdo kujtim dhe çdo njeri i atij vendi.

Në anën familjare, Sadeti paraqet po të njëjtën tablo të bukur. Ai është një familjar i përkushtuar, bashkëshort dhe prind shembullor, që ka ndërtuar një familje të admirueshme. Dy djemtë e tij janë edukuar me sukses dhe janë integruar denjësisht në shoqërinë dhe sistemin britanik, duke reflektuar vlerat që kanë marrë nga familja dhe nga shembulli i prindërve të tyre.
Në një kohë kur shpesh promovohen zhurma dhe fasada, figura si Sadet Dauti të kujtojnë se vlerat më të mëdha qëndrojnë te përulësia, puna, kultura dhe përkushtimi. Ai është një intelektual që mendon thellë, shkruan me përgjegjësi, kontribuon pa bujë dhe mbetet gjithnjë i lidhur me njerëzit dhe vendin e tij.
Prandaj, kur flasim për Sadet Dautin, nuk flasim thjesht për një publicist, përkthyes apo ish-ushtarak. Flasim për një njeri që ka ditur të ndërtojë ura mes dijes dhe jetës, mes vendlindjes dhe mërgimit, mes kujtesës dhe së ardhmes. Dhe pikërisht për këtë arsye ai mbetet një nga ata intelektualë që e mbajnë vendlindjen jo vetëm në sy e në zemër, por edhe në çdo veprim, mendim dhe kontribut të tyre. Dhe për një çast mendova ndërsa mbyllja këto rrjeshta, se prandaj ndoshta e quajnë Deti, jo si një shkurtim emri, por si një gjerësi vlerash.














Comments