Fatmir Terziu: Sa ndryshe është ky Blushi nga Blushi
- 11 hours ago
- 4 min read

Sa ndryshe është ky Blushi nga Blushi
Nga Fatmir Terziu
Lexova një shkrim të Ben Blushit. Nuk e lexova për debat. Ama mendja më vidhiste shumë fjalë. Fjalë që gricin kujtime, fjalë që mbesin në diskutime. Shkrimi i Ben Blushit mbi ndarjen territoriale të Shqipërisë lë pikërisht këtë përshtypje. Ai nis si një debat për administrimin e vendit, por në shumë pjesë përfundon si një rrëfim personal mbi boshatisjen e fshatit të tij të lindjes, Blushit të Kolonjës. Pikërisht këtu qëndron edhe dallimi im me të.
Dua ta theksoj, se nuk jam kundër reformave. Përkundrazi. Shqipëria ka nevojë për reforma më të thella administrative, ekonomike dhe territoriale. Por jam kundër kur një përvojë personale shndërrohet në filozofi zhvillimi për të gjithë vendin. Shqipëria nuk është vetëm Blushi (fshati i origjinës së Blushit, autor), as vetëm Kolonja, as vetëm një kujtim i trishtë i një vendlindjeje që është zbrazur nga njerëzit. Nëse një fshat është boshatisur, kjo nuk do të thotë se fshati ka humbur misionin e tij. Kjo do të thotë se shteti ka humbur detyrimin ndaj tij.
Ky është dallimi thelbësor.
Blushi e sheh boshatisjen si një proces pothuajse të natyrshëm. Spias shkrimit të tij, duket sikur historia të ketë vendosur që njerëzit gjithmonë do të zbresin nga mali në fushë, nga fshati në qytet, nga lindja drejt perëndimit. Historia, në fakt, nuk e thotë këtë. Historia na mëson se njerëzit lëvizin aty ku krijohen mundësitë. Nëse mundësitë mungojnë, ata largohen. Nëse mundësitë rikthehen, ata rikthehen.
Pikërisht këtë ka bërë Evropa. Në Gjermani nuk u tha kurrë se fshatrat bavareze, apo ato të Pyllit të Zi duhet të braktiseshin, sepse qytetet ishin bërë më të mëdha. Përkundrazi, shteti investoi miliarda euro në infrastrukturë, në bujqësi moderne, në internet me shpejtësi të lartë, në turizëm rural dhe në bizneset familjare. Në Austri, fshati nuk konsiderohet një mbetje e së kaluarës. Ai është pjesë e krenarisë kombëtare. Fermerët e Alpeve subvencionohen jo sepse janë të varfër, por sepse prania e tyre ruan natyrën, ekonominë dhe identitetin e vendit. Në Zvicër, mjekë, profesorë universitarë, inxhinierë dhe sipërmarrës jetojnë në fshatra, ndërsa punojnë në qytete. Ata nuk largohen nga fshati për të qenë modernë. Ata e bëjnë fshatin pjesë të modernitetit. Në Francë, programet e revitalizimit rural kanë rikthyer jetë në qindra komuna që dikur rrezikonin të boshatiseshin. Në Itali, Toskana, Umbria dhe shumë rajone të tjera jetojnë pikërisht falë fshatit. Turizmi, vera, ullinjtë, agroturizmi dhe trashëgimia kulturore nuk do të ekzistonin pa investimin e vazhdueshëm në zonat rurale. Edhe Spanja, që përjetoi fenomenin e njohur si "España vaciada", nuk tha se fshati kishte marrë fund. Përkundrazi, nisi politika të posaçme për rikthimin e banorëve, për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe për zhvillimin e teknologjisë në zonat e largëta.
Kjo është filozofia perëndimore. Ajo nuk pyet nëse një fshat ia vlen të shpëtohet. Ajo pyet se çfarë duhet bërë që ai të jetojë. Po Ballkani? Edhe aty shembujt nuk mungojnë. Sllovenia është një nga modelet më të suksesshme të zhvillimit rural në Evropë. Fshati është bërë pjesë e ekonomisë kombëtare. Kroacia investon vazhdimisht në komunitetet rurale dhe ishullore me fondet e Bashkimit Evropian. Greqia vazhdon të mbështesë zonat malore dhe ishujt me politika fiskale të veçanta. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë programe të posaçme për zhvillimin rural. Askush nuk e konsideron boshatisjen arsye për të mos investuar. Përkundrazi. E konsiderojnë arsye për të investuar më shumë.
Prandaj më duket se Ben Blushi e sheh Shqipërinë me sytë e Blushit të Kolonjës, ndërsa Shqipëria duhet parë me sytë e gjithë shqiptarëve. Ai propozon që ndarja Jug-Veri të zëvendësohet me një ndarje malore, fushore dhe bregdetare. Është një ide që mund të diskutohet, por nuk duhet të krijojë iluzionin se problemet zgjidhen duke ndryshuar emërtimet.
Historia nuk funksionon kështu. As Evropa nuk funksionon kështu. Gjermania nuk ka hequr dorë nga identitetet e Bavarisë apo Saksonisë. Italia nuk ka zhdukur dallimin historik mes veriut dhe jugut. Belgjika vazhdon të jetojë me Flandrën dhe Valoninë. Spanja me Katalonjën dhe Andaluzinë. Britania me Anglinë, Skocinë dhe Uellsin. Identitetet rajonale nuk zhduken me laps administrativ. Ato bashkëjetojnë me shtetin modern.
Edhe në Shqipëri problemi nuk është që ekziston një jug dhe një veri. Problemi është kur politika i përdor këto dallime për interesa të saj. Prandaj nuk është e nevojshme të "zhdukim" jugun apo veriun. Është e nevojshme të zhdukim pabarazinë, sepse nuk është mali që largon njerëzit. Është mungesa e rrugëve. Nuk është fshati që i dëbon të rinjtë. Është mungesa e shkollave, spitaleve, punësimit dhe perspektivës. Nuk është relievi problemi. Problemi është mungesa e shtetit.
Në këtë pikë, shkrimi i Blushit më duket më shumë një dëshmi personale, sesa një projekt kombëtar. Ai sheh fshatin e tij dhe arrin në përfundimin se e ardhmja ndodhet diku tjetër. Unë shoh Perëndimin dhe arrij në përfundimin e kundërt, sepse Perëndimi nuk e ndërton zhvillimin duke braktisur territorin. E ndërton duke mos lënë askënd pas. Ky është ndryshimi. Shqipëria nuk ka nevojë të zgjedhë mes qytetit dhe fshatit, ajo ka nevojë t'i zhvillojë të dy. Nuk ka nevojë të shpallë fitues bregdetin dhe humbës malin. Ka nevojë të ndërtojë politika që çdo cep i saj të ketë mundësi të barabarta.
Dua ta theksoj me të madhe atë që e kanë thënë të mençurit e ideve bashkuese, se një vend nuk bëhet evropian kur harron fshatin. Bëhet evropian kur e bën edhe fshatin një vend ku njerëzit zgjedhin të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Dhe pikërisht këtu, për mua, ky është një Blushi krejt ndryshe.








Comments