top of page

Hasan Shahinaj: Vizionari dimensional Gjergj Vlashi

1 day ago
3 min read

 

Të meditosh, të flasësh, të shkruash për figurën dimensionale të Gjergj Vlashit, "Artistit të Popullit", regjizorit dhe shkrimtarit disa- planësh duhen ditë e net të tëra. Unë përmbledhtas kam nderin të rreshtoj vetëm ca fjalë zemre për të, në këtë essé lakonike: Të gjithë e kujtojmë me nderime të përveçme të paharruarin Gjergj Vlashin, të aftin, të kompletuarin i cili në çdo takim promovues veprash në ish  Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit nxirrte nga goja fjalë ari, të mençura, të situara, të qarta si kristali. Kësisoj, e përjetoj unë këtu e 20 vjet më parë, që nga 6 shkurti i vitit 2006, kur Ai me kompetencë profesionale foli me gojë e me shkrim për prozën time me sens të stilit kutelian në takimin promovues të të 6 librave të mi të parë në ish – Librarinë famoze "Blue Star" të të ndjerit Dodë Dodani; kur kemi pasur kryetar të respektuarin krijues, z. Shpend Topollaj.

Së dyti, personaliteti i Gjergj Vlashit ka rrezatuar një jetë të tërë si krijues, regjizor, shkrimtar humori, përkthyes në ish-estradën dhe Teatrin "Aleksandër Moisiu" Durrës, duke lënë pas trashëgimi të vyer veçanërisht me tekstet e tij plot humor me kripë, apo siç kish zakon të thosh Ai vetë "humor me pikatore!", që në fakt ka qenë më se humor dhe madje, gjithsesi, një balsam shërronjës e profilaktik për plagët tona të shumta sociale, morale, korruptive, superstrukturore. Së treti, ne, ish-mësuesit tradicionalë e të përkushtuar deri në substancë në lëmin e arsimit shqiptar, e kujtojmë dhe e respektojmë penën e mprehtë të Gjergj Vlashit, qysh nga tregimi i tij brilant antologjik në ish-leximet letrare të viteve '70-'80-të të shekullit të kaluar me titullin intrigues sfidant "Djaloshi e gjarpri".

Së katërti, shkrimtari dhe artisti origjinal, bio shkodrano-durrsaku Gjergj Vlashi, ka gjithashtu një trashëgimi të pasur në disa gjini letrare nga më seriozet. P.sh., përpos humorit të thekur e nënllojeve të tij skeçe, kuplete, epigrame, ai ka kulmuar edhe me romane. Bie fjala, lexoni dhe rilexoni vëmendshëm romanin e tij të prozës moderne "Kulla e Zhabinëve" dhe do të më jepni të drejtë për realizmin magjik të përshkruar me stil konçiz, pikërisht atë që kish për zemër Gjergji vetë plot merak e delikatesë. Ndërsa, nëse romanin në fjalë "Kulla e Zhabinëve" do ta krahasonim me "Kullat" të emnakut- autor Gjergj Zhejit, do të kemi dy me paralele si dy  shina të trenit durrsako-krutan të letërsisë shqipe moderne me një tematikë gati të përafërt fort, por ama janë dy shina letrarizante që mbase  mund të takohen veçse në ardhmërinë më të ndritur të prozës shqipe.

Së pesti, psiko-pedagogu dhe akademiku ynë i shquar Bedri Dedja në librin e tij tërheqës e voluminoz "Nëpër ravat e jetës" e kujton me respekt, mall e nostalgji romantike ish- bashkëgjimnazistin e zellshëm Gjergj Vlashin e talentuar qysh në zanafillë, në ish gjimnazin tradicional të Durrësit të viteve '50-'60-të të shekullit XX, me emrin historik "16 Shtatori".

Së fundi, sot e mot e përherë, duke evokuar figurën e personalitetit shkrimor të të paharruarit Gjergj Vlashi, me fjalë zemre e sinqeritet maksimal, e kujtoj edhe unë me nostalgji e mall si një referencë të përhershme në mjediset impulsive të Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve tanë, sepse Gjergj Vlashi ka qenë, është e mbetet figurë meritore apo saktësisht Emeritus në letërsinë shqipe. Dhe kjo do theksuar veçanërisht për përveçmërinë e tij (sipas meje HSH.) si përkthyes i lakmuar i gjuhëve neolatine spanjisht, portugalisht, italisht. Lexoni dhe rilexoni intervistën e tij brilante me nobelistin portugezas Jose Samaragon e do të më jepni të drejtë sërish. Së fundi, vetë jetëgjatësia jo vetëm profesionale shkrimtaro-artistike e humoreske po edhe jetëgjatësia moshore duke u ngjitur në majën e një shekulli vetiak, ka treguar mirëfilli për shpirtin e bukur, të pasur e të pastër të Gjergj Vlashit; për të cilin fjala ime kaq e shkurtër është veçse një paragraf modest eseistik prej epitafi. Gjergj, o Gjergj, qofsh krenarisht në këtë homazh e promemorje emnak dinjitoz i Gjergj Kastriotit famoz kryehero;  nga profili yt shkrimor ke çfarë mëson e mediton gjithmonë, sepse kryesentenca jote ishte:  "Dashuria është kryefjala e jetës!..."

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page