top of page

Fatmir Terziu: Ravitë

  • 18 hours ago
  • 3 min read

Ravitë


 

Ravitë. Prushi i saj mbart një tokë, një kujtesë, një kohë dhe, mbi të gjitha, një histori të tërë. Ravitë, në kuptimin e saj, lidhet me tokën e vuajtur, me aluvionin, një tokë e përbërë nga grimca minerale e shkëmbinjsh, më të mëdha se argjila dhe më të imta se rëra. Por në këtë shkrim, ravitë merr një kuptim tjetër.  Ravitë bëhet metaforë e një kohe ku historia duket sikur lëviz nën këmbët e njerëzve, ku ajo që ishte e fortë mund të trazohet dhe ajo që dukej e harruar mund të dalë sërish në sipërfaqe. Kosova po kalon një tjetër nga ato periudha kur e shkuara dhe e tashmja përplasen fort. Ditët e fundit kanë sjellë në vëmendje jo vetëm zhvillimet politike, por edhe kujtesën e një kohe kur Kosova po shkruante faqet e saj më të vështira dhe më vendimtare.

Në këtë kujtesë rikthehen edhe fjalët e Akademik Rexhep Qosjes për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për prijësin e saj, Hashim Thaçin, të thëna në momente kur historia nuk ishte ende histori, por një realitet i gjallë, i rrezikshëm dhe i papërfunduar.

Edhe kjo fotografi duket sikur ka mbetur pezull në kohë. Ajo sjell përpara nesh disa prej figurave që lidhen me atë periudhë të Kosovës: Ibrahim Rugovën në të majtë, Hashim Thaçin në qendër dhe Rexhep Qosjen pranë tij. Përtej fotografisë, megjithatë, qëndron një Kosovë tjetër, Kosova e pritjeve, e përplasjeve, e shpresave dhe e dilemave të mëdha. Pastaj është Haga.

Liderët e UÇK-së përballë drejtësisë ndërkombëtare, një kapitull që ende nuk është mbyllur në kujtesën shqiptare. Haga nuk është vetëm një vend gjeografik; për shumë shqiptarë të Kosovës ajo është shndërruar në një hapësirë të ngarkuar me pyetje, pritje, dhimbje dhe debate mbi mënyrën se si po gjykohet një pjesë e historisë së Kosovës.

Dhe pastaj vjen 13 shtatori, një tjetër datë që kërkon të lexohet jo vetëm si një pikë në kalendar, por si pjesë e një pritjeje më të madhe. Pritja është një nga format më të çuditshme të historisë: ajo nuk bën zhurmë, por rëndon. Njeriu pret një vendim, një përgjigje, një kthesë, ndërsa pas tij qëndrojnë vite të tëra. E bashkë me këto rikthehen edhe Mitrovica, Trepça dhe miniera, sepse Kosova nuk mund të kuptohet vetëm përmes emrave të politikanëve dhe datave historike. Ajo duhet lexuar edhe përmes tokës së saj. Përmes minatorit që zbret në thellësi. Përmes Trepçës që është më shumë se një ndërmarrje: është një nga simbolet e pasurisë, punës, rezistencës dhe konfliktit rreth Kosovës. Është një emër që lidhet me nëntokën, por që prej dekadash është ngritur në sipërfaqe si çështje politike, ekonomike dhe kombëtare.

Mitrovica është një plagë. Trepça është një kujtesë. Haga është një pritje. 13 shtatori është një datë. Ndërsa ravitë është toka mbi të cilën historia vazhdon të lëvizë. Ndoshta kjo është arsyeja pse Ravitë më duket një titull i përshtatshëm për këtë vështrim mbi Kosovën e sotme. Sepse historia nuk është gjithmonë shkëmb. Shpesh ajo është tokë e trazuar. Përzihet, zhvendoset, mbulohet nga shtresa të reja, por nuk zhduket. Dhe Kosova, edhe sot, duket sikur po ecën mbi një tokë të tillë: një tokë ku e djeshmja nuk ka përfunduar ende dhe e nesërmja nuk ka marrë ende formën e vet. Kjo është Ravitë, jo vetëm toka e vuajtjes, jo vetëm aluvioni, por metafora e një historie që ende nuk është vendosur plotësisht në vendin e saj.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page