top of page

Fatmir Terziu: Një vit pa Sherif Bllacën

  • 3 hours ago
  • 3 min read

 

Kaloi shpejt një vit. Në raste të tilla, viti nuk harron të vetënnumërohet. I ka 365 ditët e veta, njëra pas tjetrës, me mëngjese që lindin e mbrëmje që mbyllen mbi ne. Nuk harron. Vetëm hutohet. Hutohet mes orëve, rrëshqet nëpër minuta, tretet në morën e përditshmërisë dhe, pa e kuptuar, kalon në kujtesë. Dhe kur 365 ditët ikin kaq shpejt, natyrisht, ato i përkasin ikjes. Ikjes së një miku. Ikjes së një poeti. Ikjes së Sherif Bllacës në duart e Zotit. Por ka njerëz që, edhe kur ikin, nuk e përfundojnë udhëtimin e tyre. Ata mbeten. Mbeten në një fjali të shkruar dikur, në një libër të lënë mbi tavolinë, në një bisedë që nuk harrohet, në zërin e dikujt që i përmend me mall. Mbeten në kujtesën e atyre që i deshën dhe, mbi të gjitha, në atë hapësirë të rrallë ku njeriu vazhdon të jetojë pasi nuk është më fizikisht mes nesh: në veprën e tij.

Sherif Bllaca mbeti pikërisht aty. Në këtë vit që kaloi pa të, ai u kujtua nga vajzat dhe djemtë e tij, nga Zonja e tij e nderuar, bashkëshortja që ndau me të ditët e bukura, vështirësitë, heshtjet dhe gëzimet e jetës. U kujtua nga nipërit e mbesat, në Pejë dhe kudo ku ata jetojnë e punojnë. U kujtua në familje, aty ku mungesa ka një tjetër peshë, sepse aty kujtimi nuk është vetëm fjalë: është një karrige që mbetet bosh, një zë që kërkohet instinktivisht, një emër që shqiptohet me dashuri. Por Sherifi u kujtua edhe nga miqtë. Nga miqtë e tij të jetës, të punës, të mendimit dhe të librit. Sepse kishte miqësi që ai nuk i ndërtonte me zhurmë. I ndërtonte me kohë, me respekt, me kulturë, me fjalën e matur dhe me atë përkushtim të rrallë që i bën njerëzit të mbeten gjatë në kujtesën e tjetrit.

U kujtua edhe nga vetë librat. Ndoshta kjo është mënyra më e bukur që një shkrimtar mund të kujtohet: kur librat e tij vazhdojnë të hapen edhe pasi duart që i shkruan nuk janë më aty. Kur një lexues ndalet në një faqe dhe, përmes saj, takon sërish autorin. Kur fjala e tij nuk pranon të vdesë bashkë me trupin. Sherifi u la brezave diçka që koha nuk mund ta numërojë me 365 ditë. Ai la fjalën. La kujtesën. La përkushtimin. La një pjesë të vetes në atë pasuri të madhe shpirtërore që quhet letërsi dhe kulturë shqiptare. Dhe, bashkë me të, mbetet edhe një hartë e jetës së tij.

Shkupi, ku punoi në vitet e rinisë dhe ku jeta profesionale e mori përpara në ato vite të një kohe tjetër. Sllovenia, ku njohu përgjegjësi, punë dhe njerëz të rëndësishëm të rrugëtimit të tij në ish-Jugosllavi. Peja, qyteti ku la gjurmë pune, kulture dhe përkushtimi. Vende të ndryshme, por një njeri i vetëm, që i kaloi ato me dinjitet dhe me bindjen se puna, kultura dhe atdheu nuk janë fjalë për t'u thënë, por vlera për t'u jetuar. Në këtë kujtesë shfaqen edhe rrënjët. Rrënjët patriotike të Ramë Bllacës. Një trashëgimi që nuk ishte për Sherifin thjesht një kapitull familjar, por një pjesë e asaj vetëdijeje shqiptare që e shoqëroi në jetë. Sepse disa rrënjë nuk duken, por ushqejnë pemën. Dhe pema e një familjeje, kur ka kaluar nëpër histori, kulturë, sakrificë dhe përkushtim, nuk është vetëm pemë familjare. Ajo bëhet pjesë e kujtesës së një kombi. Prandaj, një vit pa Sherif Bllacën nuk është vetëm një vit mungesë. Është një vit ku mungesa e tij është përballur me praninë e veprës së tij.

Një vit ku emri i tij është kthyer në biseda, në kujtime, në faqe librash, në mallin e familjarëve dhe në respektin e miqve. Koha, thonë, shëron. Por ndoshta koha nuk shëron gjithmonë. Ndonjëherë ajo vetëm na mëson si ta mbajmë dhimbjen në një vend më të qetë të zemrës. Dhe aty, në atë vend, njerëzit që kemi humbur nuk janë më vetëm të ikur. Ata bëhen pjesë e jona. Sherifi është sot pjesë e kujtesës së atyre që e njohën. Pjesë e kujtesës së Pejës. Pjesë e kujtesës së rrugëtimit të tij në Shkup e Slloveni. Pjesë e kujtesës së miqve të librit. Pjesë e një familjeje që e mban emrin e tij me nder. Dhe pjesë e asaj shqiptarie që ai e deshi jo me bujë, por me punë, me kulturë, me fjalë dhe me përkushtim.

Një vit kaloi. 365 ditë. Por përballë kujtesës, numrat humbin fuqinë e tyre. Sepse disa njerëz nuk maten me kohën që kanë jetuar, por me gjurmën që kanë lënë. Dhe gjurma e Sherif Bllacës nuk është mbyllur me ditën e ikjes së tij. Ajo vazhdon. Në familje. Në miqësi. Në libra. Në kujtime. Në Pejë. Në rrugët ku ai punoi e jetoi. Dhe në atë fjalë të madhe që e mbajti pranë vetes deri në fund: Shqiptaria. Një vit pa Sherif Bllacën. Por jo një vit pa gjurmën e tij.

1 Comment


Guest
2 hours ago

Faleminderit nga zemra për këto fjalë kaq të ndjera dhe për kujtimin e bukur që ruan për babain tim. Për ne, ai do të mbetet gjithmonë një njeri i dashur dhe i paharruar. Miqësia dhe respekti që keni pasur për njëri-tjetrin janë një dëshmi e bukur e njeriut që ka qenë. Kujtimi i tij do të jetojë gjithmonë në zemrat tona. 🕊️🤍”

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page