Fatmir Terziu: Ramazan Koçi, një mjeshtër i respektuar i fushës së ndërtimit

Ramazan Koçi, një mjeshtër i respektuar i fushës së ndërtimit
Prof Dr Fatmir Terziu
Dikur kishte shumë fjalë të urta, shumë fjalë filozofike që flisnin për temën në fjalë. Sot thuhet se kishte dhe ndoshta ende ka njerëz që ndërtojnë shtëpi, godina e vepra të mëdha. Thihet se ka të tjerë që ndërtojnë edhe diçka më të vështirë, besimin, dinjitetin dhe historinë e një familjeje. Ramazan Koçi i përket pikërisht kësaj kategorie të rrallë njerëzish, të cilët nuk u bënë të njohur nga zhurma, por nga pesha e punës, fjala e mbajtur dhe përgjegjësia e marrë mbi supe. Jeta e provoi herët. Ende në një moshë të njomë, ai u përball me humbjen e të atit, mjeshtrit të njohur Xhelil Koçi, një njeri që ishte jo vetëm shtylla e familjes së madhe Koçi, por edhe një emër i respektuar për ndershmërinë dhe mjeshtërinë e tij. Ikja e parakohshme e mjeshtrit Xhelil Koçi krijoi një boshllëk të madh, por njëherazi solli në skenën e jetës një djalë që do të rritej shumë më shpejt se mosha e tij.

Ramazani nuk pati luksin të mendonte vetëm për ëndrrat e rinisë. Ai mori mbi vete barrën e një familjeje të gjerë, ku vëllezërit dhe motrat ishin ende në mosha të ndryshme dhe kishin nevojë për dorën, mendjen dhe përkushtimin e vëllait të madh. Krahas nënës së tij fisnike, e cila mbeti zemra e shtëpisë, më vonë edhe bashkëshortja e tij, Remzija, u bë pjesë e kësaj sakrifice të heshtur. Të dy, me urtësi e mirëkuptim, u shndërruan në shtyllat që mbajtën të bashkuar një trung familjar, duke mos lejuar që vështirësitë ta përkulnin atë. Ky është një nga ato kapituj që nuk shkruhen në dokumente zyrtare, por mbeten të gdhendur në kujtesën e brezave. Të mbash një familje të madhe në këmbë kërkon më shumë se forcë fizike; kërkon karakter, drejtësi, durim dhe aftësi për të parë përtej vetes. Pikërisht këto cilësi e shoqëruan Ramazan Koçin gjatë gjithë jetës.
Në fushën e ndërtimit ai u dallua si një mjeshtër me autoritet profesional. Punoi në vepra të shumta dhe në institucione të rëndësishme të kohës së monizmit, ku mjeshtëria nuk matej vetëm me teknikën, por edhe me përgjegjësinë. Ai zotëronte një intuitë të rrallë organizative, ishte administrator i aftë dhe drejtues që dinte të fitonte respektin e njerëzve jo me imponim, por me shembullin personal. Punët që mbajnë firmën e mjeshtrit nuk janë vetëm beton e tulla; ato janë dëshmi të një kulture pune që sot vlerësohet edhe më shumë. Për Ramazan Koçin, ndërtimi nuk ishte thjesht profesion. Ishte disiplinë, ishte moral dhe ishte përgjegjësi ndaj çdo objekti që mbante emrin e tij. Nuk ishte rastësi që në Tiranë mjaftonte të përmendej emri i Ramazan Koçit dhe shumë njerëz përgjigjeshin menjëherë: “Po, e njohim mjeshtrin e ndërtimeve.” Ky respekt nuk u fitua në një ditë. Ai u ndërtua vit pas viti, përmes korrektësisë, profesionalizmit dhe një reputacioni që nuk njohu asnjëherë njollë.
Në vitet e para të aktivitetit të tij, një kapitull i veçantë mbetet bashkëpunimi me kunatin, Sehit Destan Alushin. Ata formuan një dyshe të admirueshme pune dhe qytetarie, një shembull që përmendej me krenari në Trebisht, vendlindjen e tyre, dhe më gjerë në gjithë Gollobordën e Dibrën. Dy burra të formuar në traditën e punës, të besës dhe të përgjegjësisë, të cilët nuk kërkuan privilegje, por i lexuan kohët me gjuhën më të sigurt: punën. Ata vinin nga familje me rrënjë patriotike dhe me emër të mirë. Trashëguan jo vetëm mbiemrin, por edhe detyrimin moral për ta nderuar atë çdo ditë. Pikërisht kjo i bëri të dallueshëm. Ata e kuptonin se nderi nuk trashëgohet; ai fitohet vazhdimisht me sjellje, me karakter dhe me kontribut. Ramazan Koçi mbeti gjithashtu një model referimi për të gjithë fisin e tij dhe për familjen nga ana e bashkëshortes. Fjala e tij kishte peshë, sepse vinte nga përvoja. Këshillat e tij dëgjoheshin, sepse mbështeteshin mbi jetën që kishte bërë dhe jo mbi teori. Ai ishte nga ata njerëz që nuk e kërkonin respektin; respekti vinte natyrshëm drejt tyre.
Brezat që e njohën e kujtojnë si një njeri të drejtë, punëtor dhe të matur. Brezat që vijnë pas do ta njohin përmes veprës dhe emrit që ai la pas. Ky është privilegji i njerëzve të mëdhenj të heshtur: ata jetojnë gjatë në kujtesën e të tjerëve, sepse kanë ditur të ndërtojnë jo vetëm godina, por edhe karaktere. Në historinë e ndërtimit shqiptar ka shumë mjeshtër të zotë. Por ka pak njerëz që arrijnë të ndërthurin mjeshtërinë profesionale me madhështinë njerëzore. Ramazan Koçi është një prej tyre. Ai mbetet një simbol i punës së ndershme, i përgjegjësisë familjare, i fisnikërisë dhe i profesionalizmit që nuk zbehet me kalimin e kohës. Në fund të fundit, veprat prej betoni mund të plaken, ndërtesat mund të rikonstruktohen, por emri i një njeriu që jetoi me dinjitet dhe ndërtoi jetë po aq sa ndërtoi godina, mbetet gjithmonë i fortë si themelet që ai la pas








Faleminderit shumë Prof Fatmir Terziu, për shkrimin dhe vlersimin ndaj meje ! Ju urroj shëndet e jetë të gjatë Juve dhe familjës tuaj ! Mbarësi e lumturi paçit gjithë jetën tuaj ! Ju përqafoj Ramazan Koçi !