Fatmir Terziu: Përqafimi që flet më shumë se fjalët
- May 29
- 4 min read

Nga Fatmir Terziu
U ndala se i njoh. U ndala se përqafimi flet më shumë se fjalët. Dhe aty ka çaste që nuk mbyllen brenda një aparati, sepse ato vazhdojnë të marrin frymë gjatë, si një poezi e pambaruar. Kjo selfie e thjeshtë, e shkrepur nga dora e birit, është një prej atyre momenteve që nuk kanë nevojë për shumë shpjegime. Ajo flet vetë. Flet me dritën e syve, me afërsinë e duarve, me qetësinë e një përqafimi që vjen nga thellësia e gjakut dhe e shpirtit. Takimet, përqafimet dhe përmallimet mes babait dhe birit janë ndër udhërrëfyesit më të fortë të jetës njerëzore. Janë ato pika ku koha ndalon për një çast dhe njeriu kupton se çfarë ka vërtet vlerë. Në ato sekonda nuk ekzistojnë titujt, zhurmat e botës, garat apo lodhjet e përditshme. Ekziston vetëm dashuria që nuk ka nevojë të thuhet me zë të lartë.
Në këtë fotografi gjendet pikërisht ajo ndjenjë e papërpunuar, e sinqertë dhe e rrallë. Një baba dhe një bir. Dy breza që nuk qëndrojnë vetëm pranë njëri-tjetrit, por duket sikur mbajnë njëri-tjetrin në jetë. Dora e babait mbi supin e të birit nuk është thjesht një gjest. Është një histori e tërë mbrojtjeje, krenarie dhe besimi. Ndërsa buzëqeshja e Viktorit, që mban aparatin në dorë, duket si një falënderim i heshtur për gjithçka që është trashëguar prej atij njeriu. Babai në këtë fotografi nuk është vetëm prind. Ai është poet, shkrimtar, kritik, studiues dhe një mirënjohës i madh i vlerave njerëzore. Një burrë që vjen nga Piluri, si Timo Mërkuri, ai gur i fortë i Jugut shqiptar, dhe që prej vitesh krijon vlera në Sarandën e bukur. Në fytyrën e tij duket qetësia e atyre njerëzve që kanë kaluar shumë stuhi, por nuk kanë humbur dritën e zemrës. Ka diçka fisnike në buzëqeshjen e tij; një butësi që vetëm njerëzit e letrave dhe të shpirtit mund ta ruajnë deri në pleqëri.

Dhe përballë tij qëndron Viktori, biri i talentuar, eseist dhe studiues, një vazhdimësi e natyrshme e asaj bote mendimi dhe krijimi. Ka raste kur trashëgimia nuk matet me pasuri apo emra. Matet me mënyrën si një bir sheh babanë e tij. Me respektin që nuk shtiret. Me krenarinë që nuk ka nevojë të shpallet. Kjo selfie është pikërisht një dëshmi e tillë. Në sfond shfaqet Saranda, e qetë dhe e ndriçuar në muzgun e saj. Dritat e qytetit duken si yje të vegjël të shpërndarë mbi tokë, ndërsa deti, edhe pse nuk shihet plotësisht, ndihet në ajrin e kësaj fotografie. Është sikur qyteti vetë bëhet dëshmitar i këtij çasti intim. Një ballkon, një mbrëmje e zakonshme, një aparat telefoni në dorën e djalit, dhe megjithatë, brenda kësaj thjeshtësie fshihet një univers emocionesh.
Ndoshta kjo është arsyeja pse fotografi të tilla mbeten gjatë në kujtesë. Sepse ato nuk përpiqen të jenë perfekte. Nuk janë të ndërtuara për t’u dukur. Janë të vërteta. Dhe e vërteta gjithmonë prek më fort. Një ditë, kur vitet të kenë kaluar edhe më shumë, kjo fotografi do të ketë një peshë tjetër. Do të jetë kujtesë, mall, dritë dhe zë. Do të jetë një dëshmi se dashuria mes babait dhe birit nuk ka nevojë për skena madhështore. Mjafton një përqafim i heshtur, një dorë mbi sup dhe një buzëqeshje që lind nga zemra. Sepse ndonjëherë, një selfie bëhet letërsi. Dhe një çast i zakonshëm bëhet përjetësi.
Në një tjetër fotografi, po aq të ngrohtë dhe domethënëse, babë e bir shfaqen krah njëri-tjetrit në një atmosferë feste. Viktori, elegant dhe i qetë në hijeshinë e rinisë së tij, dhe pranë tij Timo Mërkuri, me atë vështrimin e butë të një prindi që sheh tek i biri jo vetëm vazhdimësinë e gjakut, por edhe të shpirtit. Ka diçka të rrallë në këtë afërsi: një miqësi që ka lindur nga dashuria, një respekt që është rritur bashkë me vitet. Dhe sot, kjo fotografi merr një kuptim edhe më të veçantë, sepse është ditëlindja e Viktor Mërkurit.

Ditëlindjet nuk janë vetëm numra që shtohen në kalendar. Janë stacione kujtese, ku njeriu sheh rrugën që ka bërë dhe atë që ende e pret. Për një baba, ditëlindja e të birit është një rikthim tek dita kur ai kuptoi se zemra mund të rrahë edhe jashtë trupit të vet. Është një ndjenjë krenarie e heshtur, që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha. Dhe pikërisht sot, Timo Mërkuri i drejtohet të birit me një urim që mbart brenda jo vetëm dashurinë prindërore, por edhe admirimin e një krijuesi për krijuesin që po rritet përtej tij: “Urime për ditëlindjen bir. Aty ku unë ëndërroja të arrija, andej nise udhëtimin tënd ti.”
Sa shumë dritë ka në këtë fjali. Nuk është thjesht një urim. Është një dorëzim fisnik i ëndrrës nga një brez tek tjetri. Është pranimi i bukur se biri mund të ecë më larg, më lart, më thellë. Dhe nuk ka fitore më të madhe për një baba sesa të shohë se i biri fillon fluturimin aty ku ai dikur shihte horizontin. Në këtë marrëdhënie nuk ka garë. Ka vetëm vazhdimësi. Një poet që sheh tek i biri jehonën e mendimit, forcën e dijes dhe hijeshinë e karakterit. Një bir që mban pranë babanë jo vetëm në fotografi, por në formimin e tij njerëzor dhe krijues. Ndoshta prandaj këto fotografi prekin kaq shumë. Sepse ato nuk tregojnë vetëm dy njerëz. Tregojnë kohën që lidhet dorë për dore. Tregojnë se dashuria mes babait dhe birit nuk plaket kurrë. Ajo ndryshon formë, bëhet më e heshtur, më e thellë, më fisnike. Dhe në fund mbetet gjithmonë ajo ndjenjë e bukur: krenaria e një babai që sheh ëndrrën e vet duke vazhduar të ecë në sytë e të birit.








Comments