Fatmir Terziu: Për një zgjim më të mirë
- May 6, 2025
- 1 min read

Miq ju përshëndes! Si gjithnjë ju falenderoj nga zemra, dhe me disa poezi të shkurtra, ndoshta në vend të disa fjalëve të urta. Ose thjesht në të gdhirë, me disa Poezi për një zgjim më të mirë:
1. PËR KOHËN
Produkt? Ndoshta është më i veçanti,
tregu i vetëshitjes si nënprodukt i vetëlëndimit,
derisa të bëhet art.
Ja pse i mbyll buzët,
nuk pështyj lart.
2. VARG ME VARGJET
Këputje e mesme. Tel në vend të spangove,
rrobat terren në terrjen e trishtuar të një pusi,
nëse duart do të zëvendësoheshin nga veprimi,
nëse veprimi do ti zëvendësonte duart,
trupi ndoshta do kuptonte më mirë erën e djersës,
varg mes vargjeve.
3. FISI
Cigarishtja e gjyshit
dhe cigarja e zverdhur në fotografi
dy humbjet më të mëdha të fisit
mes albumit të grisur në fëmijëri…
Ëndrra ime, cigarja ime, ka një tym kaq të shkurtër
nuk mund të luaj rolin e lotit,
por shtrëngohet.
4. TRASHËGIM
Specat djegës
shtypen në thesin e kujtimeve,
dhe në faqe turpërohen kur nxjerrin farën
e bardha djeg kujtimet
pa paralajmërim.
5. PËR FËMIJËRINË
Ndërsa lidhim sandalet me duart e nënës,
gurët mes gishtave,
kokrrizat e rërës si zogj në mesin e krimbave,
mbarojnë ankimimin,
gjithçka do të jetë në rregull,
por jo në pleqëri.









Comments