Fatmir Terziu: Për Karadakun e djeshëm, dhe atë që do të mbahet mend
- 1 day ago
- 12 min read

Për Karadakun e djeshëm, dhe atë që do të mbahet mend
Prof Dr Fatmir Terziu
Shefki Karadaku ka hyrë tek ata shkrimtarë që ndërtojnë kohën pas tyre. Këta të fundit nuk maten me numrin e librave, as me jehonën e çastit, por me mënyrën se si vazhdojnë të lexohen kur epokat ndryshojnë, kur brezat ndërrojnë gjuhën e përditshme dhe kur letërsia kërkon vazhdimisht një qendër të re graviteti. Në këtë kategori pra bën pjesë Shefki Karadaku. Ai nuk është vetëm një emër i letërsisë shqipe; ai është një nga ato ura ku kalojnë disa periudha estetike, pa humbur identitetin e autorit. Nëse do të kërkohej një krahasim për të shpjeguar vendin e tij në letërsinë shqiptare, ai do të ngjasonte me një lumë që lind në malet e traditës, por që gjatë rrjedhës së tij përthith degë të panjohura, ndryshon shtratin, zgjeron brigjet dhe, në fund, derdhet në detin e modernitetit pa e humbur kurrë burimin. Pikërisht ky është Karadaku, një poet që nuk e mohoi traditën, por nuk u robërua prej saj; një prozator që nuk e ndërtoi rrëfimin mbi formulat e gatshme, por mbi shqetësimin estetik të kohës së vet.
Karadaku i djeshëm ishte krijuesi që hyri në letërsi në vitet kur fjala duhej të kalonte nëpër filtra të shumtë ideologjikë. Por edhe në atë klimë, ai arriti të ruajë një individualitet poetik të dallueshëm. Poezia e tij nuk ishte zhurmë retorike; ajo vinte si një frymëmarrje e qetë, ku njeriu ishte gjithmonë më i rëndësishëm se parulla, ku ndjenja ishte më e fortë se deklarata dhe ku metafora arrinte të thoshte atë që fjala e drejtpërdrejtë nuk mund ta artikulonte. Nuk është rastësi që kritikët më të rëndësishëm shqiptarë, nga Ismail Kadare e Dritëro Agolli deri te Sterjo Spasse, Llazar Siliqi, Faslli Haliti e Petraq Risto, panë tek ai jo vetëm talentin, por një vetëdije të rrallë estetike. Vlerësimi i tyre nuk lidhej vetëm me bukurinë e vargut, por me aftësinë e Karadakut për ta çuar poezinë shqiptare drejt një horizonti më të gjerë artistik. Në këtë pikë fillon edhe dallimi mes Karadakut dhe shumë bashkëkohësve të tij. Ai nuk shkroi vetëm për kohën; ai shkroi edhe kundër kufijve që koha përpiqej t’i vendoste artit. Në poezinë e tij përthithen futurizmi, ekspresionizmi, surrealizmi dhe krepuskolarizmi, por asnjëherë si imitacione. Këto rryma bëhen pjesë e një laboratorikrijues ku çdo ndikim kalon në filtrin e përvojës personale dhe del prej andej si një zë autentik.
Pikërisht këtu duhet kërkuar forca e tij. Shumë autorë huazojnë forma. Karadaku ndërtoi një mënyrë të menduari poetik. Ai nuk e përdori modernizmin si dekor, por si instrument për të depërtuar në shtresat më të thella të njeriut. Prandaj poezia e tij nuk mbetet në sipërfaqen e figurës; ajo zbret në psikologjinë e kujtesës, në ankthin historik dhe në metafizikën e ekzistencës. Në prozë ky proces bëhet edhe më kompleks. Romanet si „Një mijë vjet dashuri“, „Puthja e ngrirë“, „Vila e magjepsur“, „Salamandrat“, „Filantropi“, „Pangjerikus“, apo „Sagë mbretërore“ nuk ndërtojnë vetëm histori. Romanet e tij ndërtojnë atmosfera ku absurdi, historia dhe drama individuale bashkëjetojnë si tri shtresa të së njëjtës realitet. Në këtë kuptim, Karadaku është më afër romancierëve evropianë të shekullit XX sesa modelit tradicional shqiptar të rrëfimit linear.
Një nga dimensionet më të rëndësishme të krijimtarisë së tij mbetet raporti me historinë. Ai nuk e sheh historinë si monument, por si plagë të hapur. Personazhet e tij nuk janë heronj të ngrirë në bronz; ata janë njerëz që mbajnë mbi supe barrën e kohës. Pikërisht kjo e bën prozën e tij të mbetet aktuale edhe sot. Por nëse duhet të kërkojmë zemrën e veprës së Karadakut, ajo ndodhet në lirikë. Lirika e tij nuk është vetëm poezi dashurie. Është një mënyrë për të kuptuar njeriun përmes dashurisë. Edhe kur flet për vendlindjen, ai nuk ndërton një peizazh sentimental; ai ndërton një hartë emocionale të kujtesës. Poezia për Elbasanin është një dëshmi e kësaj estetike.
“Ky është qyteti me një mijë bebe…
Ky është qyteti me një mijë gojë…”
Këto vargje nuk janë thjesht një përshkrim urban. Qyteti shndërrohet në organizëm të gjallë. Ai merr frymë, lind, flet, kujton dhe vdes bashkë me banorët e tij. Numri “një mijë” nuk ka funksion statistikor; ai është simbol i pafundësisë njerëzore. Elbasani nuk paraqitet si një hapësirë gjeografike, por si një univers ku çdo dritare është një kujtesë, çdo rrugë një jetë tjetër dhe çdo frymëmarrje një histori.
Ky është një tipar që vetëm poetët e mëdhenj arrijnë ta realizojnë: ta kthejnë qytetin në metaforë të njeriut. Në këtë aspekt Karadaku i afrohet poetëve evropianë që e kanë trajtuar qytetin si një qenie të gjallë dhe jo si sfond dekorativ. Por ai mbetet krejtësisht shqiptar në ritmin emocional, në raportin me kujtesën dhe në mënyrën se si e lidh fatin individual me fatin kolektiv.
Një dimension tjetër që do të mbahet mend është guximi për të mos mbetur i njëjtë. Në një karrierë që shtrihet mbi pesë dekada, ai nuk përsërit vetveten. Çdo periudhë sjell një Karadak të ri, por gjithmonë të njohshëm. Ky është privilegj vetëm i autorëve që e konsiderojnë letërsinë si evolucion dhe jo si formulë. Edhe veprimtaria e tij si redaktor dhe botues mbetet pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tij kulturore. Puna në revistën “Ylli” dhe themelimi i shtëpisë botuese “Glob” nuk ishin vetëm angazhime profesionale. Ishin pjesë e një vizioni që letërsia shqiptare të komunikonte me letërsinë botërore. Botimi i autorëve si Kafka apo Kawabata tregon se Karadaku nuk mendonte vetëm për librin e vet; ai mendonte për kulturën si një sistem dialogu. Natyrisht, pasi shumë kanë shkruar, mbetet pyetja më e rëndësishme: cili është Karadaku që do të mbahet mend? Jo domosdoshmërisht autori i tridhjetë e tetë veprave. As vetëm poeti i lirikës së dashurisë, as vetëm romancieri i absurdit shqiptar. Ai do të mbahet mend si krijuesi që i dha letërsisë shqipe një frymë të ndërmjetme mes traditës dhe modernitetit; si autori që provoi se poezia mund të ishte njëkohësisht intime dhe universale, ndërsa romani mund të ishte shqiptar në temë dhe evropian në konceptim estetik.
Koha zakonisht i heq letërsisë gjithçka që është rastësore. Ajo ruan vetëm atë që arrin të bëhet përvojë njerëzore. Pikërisht aty qëndron fitorja e Shefki Karadakut. Kur zhurma e epokave të jetë fashitur dhe debatet e përkohshme të kenë humbur, do të mbetet ajo që është më e vështira për t’u ndërtuar: një zë i dallueshëm. Dhe letërsia shqiptare do ta kujtojë atë jo vetëm si poetin e Elbasanit, as vetëm si romancierin e një gjysmë shekulli krijimtarie, por si një prej atyre autorëve që e kuptuan se arti nuk e sfidon kohën duke e mohuar atë, por duke i mbijetuar asaj. Ka poetë që i shkruajnë qytetit të tyre, dhe ka poetë që arrijnë ta bëjnë qytetin të shkruajë për ta. Shefki Karadaku i përket kësaj kategorie të dytë. Në poezinë kushtuar Elbasanit, ai nuk përshkruan thjesht një vendlindje; ai rindërton një univers shpirtëror ku rrugët, dritaret, frymëmarrjet dhe kujtesa bashkëjetojnë si qenie të gjalla. Qyteti nuk mbetet një hapësirë gjeografike e kufizuar nga muret, rrugicat apo kalaja e tij e lashtë. Ai shndërrohet në një organizëm që lind, rritet, dashuron, vuan dhe përtërihet bashkë me njerëzit që e banojnë. Kur ai shkruan: “Ky është qyteti me një mijë bebe, ky është qyteti me një mijë gojë, ky është qyteti me një mijë shprehje…”, lexuesi e kupton se poeti nuk po numëron njerëz, por po shumëfishon jetën. Numri “një mijë” nuk është matematikë; ai është metafora e pafundësisë njerëzore. Në pak vargje, Karadaku ndërton një filozofi të tërë mbi vazhdimësinë e jetës, mbi kujtesën kolektive dhe mbi identitetin që formësohet përmes brezave. Kjo është një nga cilësitë më të rralla të poezisë së madhe: të shndërrojë një qytet konkret në një simbol universal të ekzistencës. Pikërisht nga kjo poezi mund të niset leximi i gjithë krijimtarisë së tij. Sepse Elbasani i Karadakut nuk është vetëm vendlindja e autorit; ai është metafora e botës së tij artistike. Çdo rrugë të çon drejt një kujtese, çdo dritare hap një horizont të ri interpretimi dhe çdo figurë poetike mbart një dimension filozofik që e tejkalon kufirin e përjetimit individual. Në këtë mënyrë, vendlindja bëhet alfabeti i parë estetik prej nga lind e gjithë ndërtesa krijuese e shkrimtarit. Prandaj, të flasësh për Shefki Karadakun do të thotë të flasësh për një autor që e ngriti përvojën personale në nivel universalesh artistike. Ai nuk e shkroi Elbasanin vetëm si qytetin ku u lind, por si hapësirën ku njeriu mëson të njohë dashurinë, kohën, humbjen, kujtesën dhe shpresën. E pikërisht nga ky qytet simbolik nis edhe rrugëtimi ynë drejt analizës së një prej zërave më origjinalë, më të kultivuar dhe më jetëgjatë të letërsisë moderne shqipe, një autori që nuk i përket vetëm së djeshmes, por edhe asaj letërsie që do të vazhdojë të lexohet dhe të interpretohet në të ardhmen.
Karadaku në raport me poetikën evropiane
Nëse letërsia shqiptare e gjysmës së dytë të shekullit XX do të vendosej në një hartë më të gjerë të zhvillimeve estetike evropiane, Shefki Karadaku do të ishte një nga emrat që do të komunikonte më natyrshëm me të. Jo sepse ai u përpoq të ishte evropian, por sepse arriti të ishte thellësisht vetvetja. Pikërisht kjo është shenja dalluese e çdo letërsie që fiton përmasa universale. Universalja nuk lind nga imitimi, por nga autenticiteti. Në këtë këndvështrim, poezia e tij të kujton njëherazi qetësinë filozofike të lirizmit mesdhetar dhe tensionin shpirtëror të modernizmit qendrorevropian. Ai nuk ndërton vargun për të impresionuar me figurën, por për ta lënë lexuesin përballë një pyetjeje që vazhdon edhe pasi libri është mbyllur. Kjo është arsyeja pse poezia e tij nuk konsumohet në leximin e parë. Ajo kërkon rikthim, sepse çdo rikthim zbulon një shtresë tjetër kuptimore.
Karadaku nuk është poet i deklarimeve të mëdha. Ai është poet i dridhjes së vogël, i detajit që bart peshën e një universi të tërë. Një dritare, një rrugë, një pemë, një gur, një puthje, një gjethe, një qytet, në poezinë e tij nuk mbeten objekte. Ato bëhen qendra gravitacionale të mendimit poetik. Pikërisht këtu qëndron një nga cilësitë më të rralla të artit të tij: ai e shpëton sendin nga zakonshmëria dhe e ngre në rang simboli. Ky proces është një nga tiparet më të rëndësishme të poetikës moderne. Simbolet e Karadakut nuk janë të mbyllura. Ato nuk imponojnë një kuptim të vetëm, por prodhojnë shumësi interpretimesh. Një lexues mund të gjejë në to historinë, një tjetër dashurinë, një tjetër vetminë, ndërsa një studiues mund të zbulojë mekanizmat e ndërtekstualitetit që autori ndërton me mjeshtëri.
Arkitektura e figurës poetike
Një analizë stilistike e poezisë së Shefki Karadakut tregon se ai nuk mbështetet vetëm te metafora. Sistemi figurativ i tij është shumë më kompleks. Metafora ndërthuret vazhdimisht me simbolin, antitezën, paradoksin, personifikimin dhe elipsën. Kjo ndërthurje krijon një tekst që nuk rrjedh në mënyrë lineare, por në mënyrë spiralore. Lexuesi nuk ecën drejt fundit të poezisë; ai sillet rreth së njëjtës bërthamë emocionale, duke e parë atë çdo herë nga një kënd tjetër. Në këtë aspekt Karadaku është më shumë arkitekt sesa improvizues. Çdo varg duket spontan, por pas tij fshihet një disiplinë kompozicionale e admirueshme. Ritmi nuk është vetëm muzikor; ai është ritëm mendimi. Prandaj poezia e tij nuk mund të ndahet nga reflektimi filozofik. Edhe heshtja ka funksion estetik. Ka vargje ku ajo që nuk thuhet është po aq e rëndësishme sa ajo që shkruhet. Pikërisht kjo ekonomi e fjalës e largon nga retorika dhe e afron me poetët që besojnë se poezia fillon aty ku gjuha nuk mjafton më.
Romani si laborator i ndërgjegjes
Nëse poezia është zemra emocionale e Karadakut, romani është laboratori i mendimit të tij. Në prozën e tij nuk ekziston ndarja klasike mes heroit pozitiv dhe negativ. Personazhet janë krijesa të papërfunduara, të mbushura me kontradikta, me dritë dhe errësirë njëkohësisht. Kjo është një shenjë e qartë e romanit modern, ku njeriu nuk gjykohet, por kuptohet.
Shpesh rrëfimi i tij krijon përshtypjen e një pasqyre të thyer. Çdo copëz pasqyre reflekton të njëjtin realitet, por nga një kënd tjetër. Kjo teknikë e shumëplanësisë e pasuron strukturën narrative dhe e bën lexuesin bashkëpunëtor aktiv në rindërtimin e kuptimit. Pikërisht për këtë arsye romanet e Karadakut nuk lexohen si kronika të një kohe të caktuar. Ato lexohen si analiza të mekanizmave të pushtetit, të frikës, të dashurisë, të zhgënjimit dhe të shpresës. Këto tema nuk plaken kurrë.
Elbasani si univers poetik
Shumë shkrimtarë e kanë dashur vendlindjen. Karadaku e ka shndërruar atë në kategori estetike. Elbasani nuk është vetëm qyteti ku ai lindi. Ai është memoria që e shoqëron në çdo etapë të krijimtarisë. Është vendi ku fillon gjuha, ku lind metafora dhe ku formësohet identiteti poetik. Kur ai shkruan:
“Para rrugës sime një mijë rrugë të tjera,
para dritares sime një mijë dritare shoh…”
nuk flet vetëm për një qytet konkret. Ai flet për shumëfishimin e përvojës njerëzore. Çdo rrugë është një mundësi, çdo dritare një perspektivë, çdo qytet një njeri. Ky universalizim i vendlindjes është një nga arritjet më të bukura të poetikës së tij. Kjo është arsyeja pse lexuesi, edhe nëse nuk ka qenë kurrë në Elbasan, e ndien atë si një qytet të vetin. Letërsia e madhe pikërisht këtë bën: e çliron hapësirën nga gjeografia dhe e kthen në përvojë shpirtërore.
Çfarë do të thotë të mbijetosh në letërsi?
Historia e letërsisë ka provuar se mbijetesa nuk është privilegj i autorëve më të botuar, por i autorëve që vazhdojnë të prodhojnë kuptime të reja për çdo brez. Në këtë kuptim, Shefki Karadaku ka hyrë në atë zonë të letërsisë ku vepra fillon të jetojë e pavarur nga autori. Brezat që do të vijnë nuk do ta lexojnë vetëm si dëshmi të një kohe historike. Ata do ta lexojnë sepse në faqet e tij do të gjejnë pyetjet që vazhdojnë të shqetësojnë njeriun: çfarë është dashuria, çfarë është kujtesa, çfarë është liria, çfarë është vetmia dhe deri ku arrin dinjiteti njerëzor. Kjo është arsyeja pse Karadaku nuk mund të mbetet vetëm një emër në historinë e letërsisë shqiptare. Ai është një nga gurët mbajtës të saj.
Ashtu si urat e vjetra nuk mbajnë vetëm peshën e njerëzve që kalojnë mbi to, por edhe historinë e lumenjve që kanë parë, edhe vepra e Shefki Karadakut mban mbi vete kujtesën estetike të disa brezave. Ajo lidh traditën me modernitetin, historinë me të ardhmen, përvojën shqiptare me universalen njerëzore. Prandaj, Karadaku i djeshëm ishte shkrimtari që kërkonte vazhdimisht forma të reja për të shprehur njeriun. Karadaku që do të mbahet mend është autori që provoi se letërsia nuk matet me kohën kur është shkruar, por me kohën që arrin të sfidojë. Dhe pikërisht aty, në atë hapësirë ku arti bëhet kujtesë e përhershme, emri i tij vazhdon të shkruhet me të njëjtën qetësi, dinjitet dhe madhështi që karakterizoi gjithë krijimtarinë e tij.
Konkluzion
Në fund të çdo leximi të rëndësishëm, lexuesi nuk largohet vetëm me kujtimin e personazheve, të vargjeve apo të ngjarjeve. Ai largohet me një mënyrë tjetër të të menduarit. Pikërisht këtë arrin të realizojë krijimtaria e Shefki Karadakut. Ajo nuk të fton vetëm të admirosh artin e fjalës, por të hysh në një dialog të vazhdueshëm me vetveten, me kohën dhe me historinë. Ky është privilegji që e fitojnë vetëm autorët e mëdhenj. Letërsia e tij dëshmon se arti nuk është një pasqyrë që kopjon realitetin, por një dritare që e zgjeron atë. Nëpërmjet metaforës, simbolit dhe ndërtimit të një universi poetik të veçantë, Karadaku na kujton se njeriu nuk jeton vetëm me atë që sheh, por edhe me atë që arrin të imagjinojë. Pikërisht aty fillon dimensioni filozofik i veprës së tij.
Një nga vlerat më të qëndrueshme të krijimtarisë së tij është aftësia për ta ruajtur njeriun në qendër të gjithçkaje. Në një epokë kur ideologjitë, sistemet dhe ndryshimet historike kanë tentuar ta zvogëlojnë individin, Karadaku e rikthen atë në përmasën e tij të vërtetë. Personazhet dhe vargjet e tij nuk kërkojnë heronj të përsosur; ato kërkojnë njerëz që guxojnë të mbeten njerëz. Kjo është arsyeja pse veprat e tij nuk i përkasin vetëm periudhës kur u shkruan. Ato kanë hyrë në atë hapësirë ku letërsia fiton një jetë të dytë, atë të rileximit. Çdo brez do të gjejë në to pyetje të reja, sepse çdo brez do ta lexojë Karadakun nga këndi i vet, pa e shteruar kurrë kuptimin e tij.
Nga këndvështrimi estetik, Shefki Karadaku përfaqëson një nga urat më të rëndësishme ndërmjet traditës dhe modernitetit në letërsinë shqipe. Ai nuk e mohoi trashëgiminë poetike që e parapriu, por as nuk pranoi të mbetej peng i saj. Duke përthithur përvoja të ndryshme evropiane dhe duke i shkrirë ato me ndjeshmërinë shqiptare, ai krijoi një gjuhë artistike që ruan identitetin kombëtar, ndërsa komunikon natyrshëm me universalen. Në gjithë krijimtarinë e tij ndihet një besim i heshtur se fjala artistike është një nga format më fisnike të lirisë njerëzore. Njeriu mund të humbasë pasurinë, pushtetin, madje edhe kohën e vet, por për sa kohë ruan aftësinë për të krijuar dhe për të ëndërruar, ai mbetet i lirë. Ky mesazh kalon si një fill i padukshëm në poezinë dhe prozën e Karadakut dhe e bën veprën e tij të mbetet gjithnjë bashkëkohore.
Në këtë kuptim, Shefki Karadaku nuk ndërtoi vetëm libra; ai ndërtoi kujtesë kulturore. Çdo poezi, çdo tregim dhe çdo roman i tij është një gur në ndërtesën e identitetit letrar shqiptar. Kur studiuesit e së ardhmes do të kërkojnë të kuptojnë evolucionin estetik të letërsisë shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në fillimet e shekullit XXI, emri i tij do të jetë ndër pikat e domosdoshme të referimit. Edhe vendlindja e tij, Elbasani, fiton në veprën e Karadakut një dimension që e tejkalon gjeografinë. Qyteti nuk mbetet vetëm hapësirë kujtimesh, por bëhet metaforë e vazhdimësisë së jetës, e trashëgimisë shpirtërore dhe e marrëdhënies së pandashme mes njeriut dhe rrënjëve të tij. Kjo është arsyeja pse Elbasani i Karadakut do të vazhdojë të jetojë në letërsinë shqipe jo vetëm si një qytet, por si një simbol poetik.
Në fund, koha mbetet kritiku më i drejtë i çdo krijuesi. Ajo rrëzon emra që dikur dukeshin të pathyeshëm dhe ruan me kujdes ata që kanë ditur t’i japin artit një frymë të re. Shefki Karadaku e ka fituar këtë provë jo përmes zhurmës së çmimeve apo të famës së përkohshme, por përmes cilësisë së një vepre që vazhdon të komunikojë me lexuesin përtej kufijve të kohës së saj. Prandaj, Karadaku i djeshëm është tashmë pjesë e historisë së letërsisë shqiptare, ndërsa Karadaku që do të mbahet mend është pjesë e së ardhmes së saj. Sepse letërsia e vërtetë nuk vdes me autorin. Ajo vazhdon të marrë frymë në ndërgjegjen e lexuesve, të zgjojë pyetje të reja, të ndriçojë horizonte të panjohura dhe të dëshmojë se fjala artistike është forma më jetëgjatë e kujtesës njerëzore. Pikërisht në këtë pavdekësi të qetë të artit qëndron edhe trashëgimia më e çmuar që Shefki Karadaku i ka lënë kulturës shqiptare.








Comments