top of page

 In memoriam Ladi Esat Vata!

Updated: Dec 4, 2025


 In memoriam Ladi Esat Vata!

(Një kujtim i dhimbshëm dhe i paharruar për një njeri të rrallë)

 

Ka momente në jetë që të gdhenden përgjithmonë në kujtesë, dhe njëri prej tyre është ai kur bashkë me mikun tim nga Elbasani, ish-kryetarin e Shoqatës “Çamëria”, Daman Sinani, si edhe me deputetin e nderuar Lavdrim Krashi, të vizituam në shtëpi në Tiranë. Ishte një ditë e vështirë për të gjithë ne, por ti, Ladi, na dole para me atë qetësinë tënde burrërore që të ka shoqëruar gjithmonë. I lodhur, por i pathyer. I sprovuar, por i fortë në shpirt e në karakter. Në atë dhomë, ku lodhja dhe shpresa qëndronin krah për krah, ti përsëri ishe drita që i jepte zemër të gjithëve.

Nëna jote, e shtrirë dhe e sëmurë, të shihte me një dashuri të pamasë – dashuri nënë që s’e shuan dot as koha, as dhimbja. Babai yt, Esat Vata, një burrë me dinjitet dhe shpirt të madh, qëndronte pranë teje stoik, me sytë e mbushur, por me zemër të hekurt, siç ju ka karakterizuar gjithmonë. Në ato shikime, shihje krenari, dhimbje dhe lutje për ty. Familja jote të mbante në zemër, dhe ti i mbaje ata të gjithë brenda shpirtit tënd.

Kur sëmundja e pabesë të goditi, e gjeti rrotull teje njerëzit më të mirë. Profesor doktor Nuri Karadurmuş dhe ekipi i tij i shkëlqyer në Turqi u bënë si familja jote e dytë. Ata luftuan me çdo mundësi, me çdo dije, me çdo vullnet profesional. Çdo ditë mundohej të ishte një hap drejt shërimit, drejt rikthimit tënd mes nesh. Por, për fat të keq, në atë betejë të gjatë, Zoti paska vendosur ndryshe. Ai të deshi pranë vetes, në paqen e përjetshme.

Lajmi i ndarjes tënde nga jeta u përhap si një rrufe që na plasi zemrat të gjithëve. Mbi të gjitha të tronditi familjen tënde, që deri në sekondën e fundit të qëndroi krah teje. Prindërit e tu mbajnë sot një dhimbje që nuk ka fjalë, një boshllëk që vetëm një prind mund ta kuptojë. Fëmijët e tu, Leni dhe Mela, do të rriten duke mbajtur në shpirt dashurinë dhe mësimet që u dhe, dhe duke dëgjuar miliona rrëfime për babanë e tyre të jashtëzakonshëm. Bashkëshortja jote, Rajmonda, e cila ka qenë shkëmbi yt, forca jote, mbështetja jote më e madhe, sot mban në zemër plot dhimbje, por edhe plot krenari për njeriun me të cilin ndau jetën.

Vëllezërit e tu të dashur, Lutfiu, Gazmendi, Antoni, si edhe motra Fatbardha, nipërit, mbesat, të afërmit, fëmijët e axhallarëve, miqtë e lagjes, shokët e punës me komandantin Shkëlzenin në krye, të gjithë u tronditën thellë kur morën lajmin. Çdo njeri që të ka njohur, çdo mik, çdo shok, çdo dashamirës ka një kujtim të bukur me ty. Dhe janë pikërisht këto kujtime që sot i mbajnë të ndezura dritat që le pas. Ne nuk do të kemi më pranë trupin tënd, por kujtimi yt do të jetë përjetësisht i gjallë.

Dita e 13 prillit 2024, kur u diagnostikove për herë të parë në Ankara gjatë një kontrolli, mbetet një pikë kthese për të gjithë ne. Atëherë filloi një betejë që shpresonim se do ta fitoje, sepse ti ishe njeri me shpirt luftarak, gjithmonë optimist, gjithmonë me besim. Kjo sëmundje tinzare të zgjati dorën për të të lodhur, por ti nuk u dorëzove kurrë. Dhe as njerëzit rrotull teje.

Në këtë rrugëtim të dhimbshëm e të mundimshëm, pranë teje u gjendën edhe zonja Majlinda Sallaku, atasheja jonë ushtarake në Ankara, Ambasada Shqiptare, Ministria e Mbrojtjes dhe shumë njerëz të tjerë që sakrifikuan, ndihmuan dhe u përpoqën me çdo mënyrë. Ishin aty sepse ti e meritoje respektin dhe dashurinë e tyre, sepse jeta jote ishte e ndërtuar me punë, me nder dhe me vlera.

Vëllai yt, Lutfi Vata, drejtues i “Shoqatës Ardhmëria” në Mbretërinë e Bashkuar, shpesh tregonte dhimbjet e tua, forcën tënde, por mbi të gjitha amanetin tënd, të punonte sa më shumë për gjuhën shqipe, për shkollat, për fëmijët, për komunitetin shqiptar jashtë vendit. Ishte një amanet që binte në një terren të njohur, sepse edhe yt atë, Esati, e kishte të njëjtën zemër, të njëjtin shpirt, të njëjtin mision.

Sot, kur të kujtojmë, nuk të kujtojmë vetëm si Ladi Esat Vatën që u largua shumë shpejt nga kjo botë. Të kujtojmë si njeriun që ishte dhe mbetet:

Intelektual i rrallë. I disiplinuar!

I zgjuar e i matur.

I përkushtuar ndaj familjes, shoqërisë dhe kombit.

Punëtor e i palodhur.

Fisnik në sjellje.

Burrëror në çdo hap të jetës.

Mik i besës dhe i fjalës së dhënë.

Ti ishe njeri që nuk e ngrite zërin kurrë, por e ngrite gjithmonë vlerën. Nuk kërkove kurrë lavdi, por e fitove me punë dhe me sjellje. Nuk the kurrë “jam i lodhur”, edhe kur loti yt fshihej pas buzëqeshjes. E për këtë, Ladi, ne të duam, të respektojmë dhe do të të kujtojmë përjetë.

Boshllëku që na le pas është i pamasë. Por edhe trashëgimia jote njerëzore është po aq e madhe. Dhe në këtë ekuilibër të dhimbjes me mirënjohjen, ne do të vazhdojmë të të mbajmë gjallë. Në tregimet tona. Në jetët tona. Në dritën që na le.

U prehsh në paqen e Zotit, Ladi.

Drita jote qoftë e përhershme.

Kujtimi yt qoftë i përjetshëm.

12 Comments


Rrahim Gjana
Dec 04, 2025

Më erdhi shumë keq kur dëgjova për ndarjen nga jeta të Ladit. Do të na mungojë shumë. Familjes së lumtur dhe juve të nderuar Lutfi Vata.

Like

Gjati Pej
Dec 04, 2025

Ngushllime te sinqerta juve dhe familjes!

Like

Kosta Qorosi
Dec 04, 2025

Ngushellimet me te thella per humbjen e madhe, ti rrojne femijet. Jetojme me dhimbjen tuaj i nderuar Lutfi...

Like

Mehmet Hasani
Dec 04, 2025

Ngushellime.Te rroni e ta kujtoni njeriun e shtrenjte.

Like

Lutfi Gashi
Dec 04, 2025

I nderuari Lutfi dhe mbarë familja Vata ,pranoni ngushëlliimet e mija më të sinqerta për ndarjen nga jeta të vëllaut tuaj të dashur,zoti jua lehtësoft dhimbjen,vëllau u preht në paqe

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page