Fatmir Terziu: Në anën tjetër
- 6 minutes ago
- 4 min read

TREGIM
Kur lajmi u përhap në lagje se i moshuari Ruzh kishte vdekur, askush nuk u ngut ta besonte. Jo sepse ai ishte i pavdekshëm, por sepse kishte zakon të rrinte midis jetës dhe një shakaje të gjatë që nuk mbaronte kurrë. Edhe kur i dhembte shpina, ai thoshte se po “provonte tokën nëse e mban akoma.” Por atë mëngjes, kur dyert nuk u hapën dhe radioja e tij vazhdonte të përsëriste të njëjtin lajm nga një botë tjetër, për protesta të mëdha në Shqipëri, për turma që kërkonin dorëheqje, për zëra që ngjiteshin si valë të padukshme deri në qiell, fqinjët kuptuan se këtë herë heshtja nuk ishte shaka.
E gjetën Ruzhin ulur pranë dritares. Kishte rënë përpara, sikur të ishte përkulur për t’i dëgjuar më mirë lajmet. Dora i kishte mbetur mbi një gotë çaji të ftohur. Dhe jashtë, era sillte copa zërash nga larg: “Mjaft… mjaft… mjaft…” Askush nuk e dinte nëse vinin nga rruga poshtë, apo nga një vend më i largët, ku njerëzit nuk lodheshin kurrë së kërkuari të drejtën e tyre për të mos u harruar.
Gjyshja e lagjes tha se në çastin e fundit, Ruzhi kishte buzëqeshur, si të kishte parë diçka që të tjerët nuk mund ta shihnin. Ndoshta një autobus të vjetër që nisej drejt protestës. Ndoshta vetë protestën që nuk mbaronte kurrë, që nuk kishte as fillim, as fund, vetëm ecje. Dhe kështu, si gjithmonë në këto raste, u mblodhën fqinjët. Njëri tha se Ruzhi kishte qenë njeri i mirë, por i çuditshëm. Një tjetër tha se fliste shpesh me radion, sikur radioja të ishte një qenie që i përgjigjej. Një i tretë tha se e kishte parë një natë duke qëndruar në errësirë, duke dëgjuar zërat e protestës që vinin nga ekrani i fikur.
Pastaj ndodhi ajo që ndodh gjithmonë kur vdekja nuk di si të sillet me njerëz të tillë. U hap një derë që nuk ishte aty më parë. Ruzhi u gjend në një udhëkryq, as tokësor, as qiellor. Një udhëkryq ku rrugët nuk ishin shtruar, por ishin menduar të shtroheshin. Në njërën anë dëgjoheshin zëra të fortë, të gjallë, të lodhur, turma që thërrisnin në një gjuhë që ai e njihte shumë mirë, gjuhën e “mjaftit”. Në anën tjetër, një heshtje e pastër, aq e pastër sa dukej e dyshimtë. Ai u ndal, shikoi rreth e rrotull dhe tha me zë të ulët: - Ku shkohet për të mos u kthyer më në lajme?
Askush nuk iu përgjigj. Vetëm një figurë e zbehtë, si e bërë nga drita e televizorit kur s’ka sinjal, iu afrua nga pas.
- Ti je përtej lajmit, - tha figura.
- Përtej lajmit? Unë s’kam qenë kurrë brenda tij, - tha Ruzhi.
- Gabohesh. Ti e ke ndjekur gjithë jetën. E ke dëgjuar. E ke komentuar. Ke tundur kokën. Ke thënë “kështu nuk shkon më”.
- Po kush nuk e ka thënë këtë?
Figura heshti. Pastaj e kapi lehtë nga krahu. Nuk ishte për ta detyruar, por për ta orientuar.
- Ka dy rrugë, - tha ajo. - Njëra të çon në vendin ku njerëzit vazhdojnë të kërkojnë ndryshim. Tjetra në vendin ku ndryshimi është tashmë i shpallur, por askush nuk pyet më për të. Ruzhi qeshi me një zë të thatë.
- Dhe cila është më e lodhshme?
- Të dyja.
Ai ktheu kokën nga zëri i turmës. Ishte i njëjti zë që e kishte ndjekur për vite, nga televizori, nga rruga, nga dritaret e hapura të natës. Tani dukej sikur vinte edhe nga brenda tij.
- Po ata atje? - pyeti ai. - A arrijnë ndonjëherë diku?
Figura nuk u ngut të përgjigjej.
- Arrijnë gjithmonë në një vend ku fillojnë përsëri.
Ruzhi uli kokën.
- Pra nuk ka fund.
- Ka vetëm kthim.
Ai u mendua gjatë, si njeri që kërkon një stacion autobusi që nuk është shënuar në hartë.
- Unë kam qenë gjithmonë në anën tjetër, - tha më në fund. - Kur protestonin të tjerët, unë i shikoja nga dritarja. Kur heshtnin, unë dëgjoja zhurmën e tyre në televizor. Kur lodheshin, unë pija çaj.
- Dhe tani? - pyeti figura.
- Tani dua të di nëse çaji pihet edhe këtu.
Figura buzëqeshi lehtë, pa siguri.
- Këtu nuk ka çaj.
- As protesta?
- Jo siç i njeh ti.
Në atë çast, era u kthye. Dhe me të erdhi zëri i largët, më i qartë se më parë, turma në Shqipëri, zëra që përplaseshin me rrugët, me institucionet, me njëri-tjetrin, por mbi të gjitha me heshtjen.
“Mjaft… mjaft… mjaft…”
Ruzhi ngriti kokën.
- E dëgjon? - tha.
- Po, - u përgjigj figura.
- Dhe nuk lodhen?
- Lodhen. Por pastaj gjejnë një arsye tjetër.
Ai mendoi gjatë.
- Nëse shkoj atje, - tha, - a do më shohin?
- Jo.
- Po nëse qëndroj këtu?
- As këtu.
Ai qeshi përsëri, këtë herë më butë.
- Atëherë jam në vendin e duhur.
Figura e pa gjatë, sikur po kërkonte një fjali tjetër për ta ndryshuar gjithçka, por nuk e gjeti.
- Ka edhe një gjë, - tha më në fund.
- Çfarë?
- Në anën tjetër, nuk harrohet asgjë.
Ruzhdiu u kthye edhe një herë nga zëri i turmës. Për një çast iu duk sikur mes britmave kishte fytyra që njihte, njerëz që kishte parë në rrugë, në lajme, në radhë, në heshtje. Të gjithë duke ecur drejt një fjale që nuk mbaronte kurrë. Ai bëri një hap përpara.
Pastaj ndaloi.
- Në rregull, - tha. - Më çoni atje ku fillon përsëri.
Figura nuk e preku më. Vetëm hapi një rrugë që nuk ishte aty më parë. Dhe kur Ruzhdiu u nis, nga larg u dëgjua sërish turma, jo si zhurmë, por si frymëmarrje e madhe e një qyteti që nuk di të pushojë. Në anën tjetër, dikush po kthehej.








Comments