top of page

Fatmir Terziu: Një milionë netë

  • 2 days ago
  • 11 min read

Tregim: Një milionë netë

 

U zgjua. E pa zgjimin tek korniza përballë. Ishte pikërisht ajo. Në njëmijë e një netë veshi xhinse të ngushta e të grisura, shtrëngoi sandalet ortopedike dhe hodhi me vendosmëri flokët e saj madhështorë. Ato u shpërndanë në Rrugën e Qumështit dhe ndriçuan errësirën e Universit. Përpara saj, korridori prej mermeri rozë që të çonte në dhomat e Princit shtrihej me hir, i lagur me lotët e bukurive të shkatërruara nga pasioni mizor i të dashurit të saj. Zërat e tyre pëshpëritën në flladin yjor të eterit dhe e ndoqën me këmbëngulje të butë në një valë hijesh dhe ngjyrash. Historitë që ajo perceptonte u përhapën pas saj në një mantel të pafund, ndonjëherë aromatik si kanellë e spërkatur mbi kafe, ndonjëherë i zjarrtë si prush të shpërndarë, ndonjëherë i rëndë dhe dërrmues si fati i një gruaje të zgjedhur për të kaluar e bukur dhe e padëmtuar përmes dashurisë së një burri, derisa të dy gjetën zinxhirin e argjendtë me çelësin e zemrës së tij. Ai që zgjonte një qytet. Ai që zgjonte rrjedhën. Dhe në moment u shkund. U fut në të thella. Eh, tha me vete. Qenka e vërtetë, paska qytete që flenë sapo shuhet semafori i fundit. Paska qytete të tjera që vazhdojnë të marrin frymë me dritaret gjysmëhapur, sikur nata të ishte një mushkëri e madhe prej qelqi. Por ama ekzistoka edhe një qytet tjetër, i padukshëm në asnjë hartë, që zgjohet vetëm pasi njerëzit mendojnë se kanë mbaruar punë me ditën. Ai nuk ka kufij, nuk ka flamur, nuk ka gjuhë të vetën. Rrugët e tij fillojnë në aeroportet e botës, kalojnë nëpër stacionet e metrosë, përdridhen në korridoret e hoteleve, humbin në ekranet e telefonave dhe përfundojnë aty ku dikush vendos të dëgjojë një histori.

Pak veta e dinë se ky qytet ka edhe një roje. Askush nuk e di moshën e rojes. Askush nuk e di se ku banon. Disa e kanë parë të zbresë nga një tren nate në Vjenë. Të tjerë betohen se e kanë takuar në një traget që përshkonte Bosforin. Një fotograf japonez thoshte se e kishte fotografuar në Marrakech, ulur pranë një tregtari erëzash, por kur filmi u zhvillua, në vend të saj kishte mbetur vetëm një karrige bosh dhe hija e një shalli që lëkundej nga era. Emrin e saj askush nuk e mbante mend. Çdo qytet i kishte dhënë një tjetër. Për disa ishte Mira. Për të tjerë Zahra. Në Kartagjenë e quanin Hana. Në Stamboll, Nadira. Por ajo buzëqeshte sa herë dëgjonte ndonjërin prej tyre, sikur të gjitha emrat t'i përkisnin dikujt tjetër. Në të vërtetë, ajo nuk jetonte me emrin e saj. Jetonte me historitë. I mblidhte si të tjerët mbledhin monedha, pulla poste apo fotografi të vjetra. Vetëm se historitë nuk i fuste në albume. I mbante në kujtesë. Secilën me aromën e vet. Kishte histori që mbanin erë shi mbi asfaltin e Londrës. Të tjera sillnin aromën e kafesë së pjekur në Stamboll. Disa kishin kripën e Egjeut, të tjera tymin si prej dru arre në një fshat ballkanik. Ajo thoshte se çdo histori kishte një temperaturë.

Ka rrëfime që djegin. Ka rrëfime që ngrijnë. Dhe ka të tjera që të mbajnë gjallë, njësoj si zjarri i vogël që ndizet në një shtëpi malore kur jashtë fryn bora. Pikërisht këto kërkonte. Natë pas nate. Vit pas viti. Ndoshta prej një milionë netësh. Në katin e njëzeteshtatë të një hoteli prej xhami jetonte një burrë që zotëronte pothuajse gjithçka, përveç qetësisë. Në zyrën e tij nuk kishte libra. Kishte ekrane. Njëri tregonte bursat e Tokios. Një tjetër hartat satelitore. Një tjetër shifrat e luftërave. Një tjetër fytyra të krijuara nga inteligjenca artificiale, aq të përsosura, sa nuk ngjanin më me njerëzit.

Çdo pesë sekonda vinte një njoftim. Çdo minutë një alarm. Çdo orë një krizë. Ai lexonte gjithçka. Por nuk mbante mend asgjë. Lajmet kalonin mbi të si shiu mbi xham. Asnjë pikë nuk mbetej. Një mbrëmje, ndërsa qyteti poshtë tij shkëlqente si një qiell i përmbysur, sekretarja i tha: - Ka ardhur ajo.

Ai nuk pyeti kush. E dinte. Ajo vinte gjithmonë pa lajmëruar. Hyri me një pallto ngjyrë hiri, flokët e lidhur pas koke dhe një bllok të vogël me kapak lëkure. Asgjë nuk binte në sy tek ajo.

Dhe pikërisht kjo e bënte të paharrueshme.

- Çfarë më sjell sonte? - pyeti burri, pa ngritur sytë nga ekrani.

- Asgjë që mund ta kërkosh në internet.

Ai buzëqeshi lehtë.

- Atëherë ulu. Më bind.

Ajo nuk u ul menjëherë. Shkoi pranë dritares. Qyteti poshtë dukej si një det yjesh elektrike. Makina që lëviznin ngadalë ngjanin me peshq fosforeshentë në fund të një oqeani.

- E di çfarë më habit? - tha ajo.

- Çfarë?

- Se njerëzit dinë gjithnjë e më shumë dhe kuptojnë gjithnjë e më pak.

Ai mbylli ekranin. Për herë të parë pas shumë kohësh. Në dhomë ra një heshtje e rrallë. Një heshtje që nuk kishte zhurmën e mungesës, por të pritjes. Ajo e hapi bllokun. Brenda nuk kishte asnjë shënim. Faqet ishin të bardha.

- Ku janë historitë?

- Këtu.

Ajo preku ballin.

- Po pse nuk i shkruan?

- Sepse, sapo i shkruan, fillojnë të harrojnë si të marrin frymë.

Burri nuk kuptoi. Por nuk e ndërpreu. Ishte hera e parë pas shumë vitesh që dikush nuk i sillte statistika, raporte apo parashikime. I sillte një histori. Dhe ai nuk e dinte ende se ajo histori nuk kishte ardhur për ta argëtuar. Kishte ardhur për ta ndryshuar. Kur dolën nga hoteli, nata nuk i priti me heshtjen e zakonshme të qytetit. Dukej sikur rrugët kishin filluar të merrnin frymë. Xhami i kullave shumëkatëshe pasqyronte dritat e lumenjve të makinave, ndërsa mbi çatitë e ndërtesave era lëvizte antenat si kallamishtet buzë një kënete të padukshme. Ata ecën pa folur.

Burri ishte mësuar që çdo hap ta shoqëronte me tingullin e telefonit. Tani telefoni rrinte në xhep, i fikur. Për herë të parë pas shumë vitesh, ai dëgjonte zhurma që nuk vinin nga pajisjet: rrotat e një biçiklete që kaloi pranë tyre, të qeshurat e dy vajzave që dilnin nga një librari e vogël, këngën e largët të një violinisti në hyrje të metrosë.

- Po dëgjon? - pyeti Nadira.

- Çfarë?

- Qytetin.

Ai ngriti supet.

- Kam jetuar këtu pesëmbëdhjetë vjet.

Ajo buzëqeshi.

- Ke jetuar mbi të. Jo brenda tij.

Fjalët i mbetën pezull si një zog që nuk vendos ende ku do të ulet. Kaluan pranë një ndërtese të vjetër, të mbijetuar mes kullave prej xhami. Në katin përdhes ndodhej një librari e ngushtë. Vitrina ishte e mbushur me libra të zverdhur, harta të vjetra dhe orë xhepi që nuk punonin më.

Në derë rrinte ulur një plak. Nuk thërriste klientë. Vetëm priste.

- E njeh? - pyeti burri.

- Jo.

- Atëherë pse po ndalemi?

- Sepse ai na njeh ne.

Plaku ngriti kokën dhe buzëqeshi sikur i kishte pritur prej kohësh.

- Vonuat sonte - tha qetësisht.

Burri u habit.

- Jemi takuar ndonjëherë?

- Jo.

- Atëherë?

- Njerëzit nuk njihen vetëm kur janë parë. Ka nga ata që njihen sepse mbajnë të njëjtën lodhje në sy.

Ai nuk dinte ç'të përgjigjej.

Plaku nxori nga xhepi një çelës të vogël bronzi. Nuk ishte më i madh se gishti i vogël i dorës.

- Ma la një burrë para tridhjetë vjetësh - tha. - Më tha se një natë do të kalonte dikush që do ta kërkonte pa e ditur.

- Çelës për çfarë?

- Nuk ma tha.

Burri qeshi.

- Kjo është absurde.

- Jo më absurde se fakti që njerëzit ruajnë fotografi në re, ndërsa kujtimet i humbin në tokë.

Nadira nuk foli. Vetëm e pa plakun me atë qetësinë e dikujt që e di se disa biseda nuk kanë nevojë për shpjegime.

Ai ia zgjati çelësin burrit.

- Merre.

- Nuk më duhet.

- Pikërisht prandaj të duhet.

Burri e mori më shumë nga mirësjellja sesa nga bindja. E futi në xhep. Nuk e dinte se, atë çast, kishte marrë me vete jo një copë metali, por pyetjen që do ta ndiqte gjatë gjithë udhëtimit. Pak më tej rruga hapej në një shesh të vogël. Në mes të tij ishte vendosur një pianist. Pianon e kishte të konsumuar. Disa tastiera mungonin. Megjithatë muzika dilte e plotë. Rreth tij nuk kishte turmë. Vetëm një vajzë e vogël që mbante dorën e gjyshes. Një djalë me çantë shpine. Një burrë që sapo kishte mbaruar turnin e natës. Një grua pastruese me doreza ende në duar. Askush nuk fliste. Të gjithë dëgjonin.

- E sheh? - tha Nadira.

- Çfarë?

- Muzika nuk po i bën të harrojnë jetën. Po ua kujton.

Burri e ndjeu se diçka po ndryshonte brenda tij. Për vite me radhë kishte menduar se bota mbahej në këmbë nga ekonomia, politika, teknologjia dhe fuqia. Tani, përballë asaj pianoje të vjetër, iu duk se ndoshta mbahej edhe nga gjëra shumë më të brishta. Një melodi. Një buzëqeshje. Një histori.

Ata vazhduan rrugën deri te lumi. Uji rrëshqiste ngadalë, duke marrë me vete dritat e qytetit.

Në sipërfaqe notonin reflektime urash, reklamash dhe reflektimet e hënës.

- Çfarë kërkon në të vërtetë? - e pyeti burri.

Nadira nuk u përgjigj menjëherë. Mori një guralec dhe e hodhi në ujë. Rrathët u zgjeruan ngadalë.

- Kërkoj njerëzit që ende dinë të habiten.

- Janë kaq të rrallë?

- Më të rrallë se diamantët.

Ai e pa me vëmendje.

- Po ti? Çfarë fiton nga gjithë këto udhëtime?

Ajo buzëqeshi me trishtim.

- Kujtesë.

- Për vete?

- Jo.

Për botën. Sepse çdo ditë njerëzit prodhojnë miliona fotografi, miliarda fjalë dhe pafund të dhëna. Por kujtesa nuk ndërtohet me sasi. Ajo ndërtohet me atë që prek shpirtin. Era fryu lehtë. Nga ana tjetër e lumit dëgjohej zilja e një tramvaji. Një pulëbardhë kaloi ulët mbi ujë. Për një çast, gjithçka dukej e zakonshme. Pastaj Nadira tha me zë të ulët: - A e di pse qytetet nuk vdesin?

Ai tundi kokën.

- Sepse çdo natë dikush fal dikë. Dikush pret. Dikush kthehet. Dikush lind. Dikush shkruan një letër që nuk do ta dërgojë kurrë. Dikush ndez dritën për një njeri që vonohet. Dhe dikush tjetër, pa e ditur, bëhet historia që një i panjohur do të tregojë pas shumë vitesh.

Burri uli sytë. Iu kujtua se nuk mbante mend herën e fundit kur kishte pritur dikë pa parë orën.

As kur kishte ecur pa një destinacion. As kur kishte dëgjuar një njeri deri në fund. Atë natë, qyteti nuk kishte ndryshuar. Ndryshonte vetëm mënyra se si ai po e shihte. Dhe kjo, mendoi Nadira, ishte gjithmonë fillimi i çdo historie të madhe.

Kur agimi filloi të zbriste mbi qytet, dritaret e kullave humbën shkëlqimin e tyre. Drita e mëngjesit është gjithmonë më e sinqertë se drita elektrike, ajo nuk zbukuron asgjë, nuk fsheh asgjë. I zbulon të gjitha ashtu siç janë.

Ata u kthyen te hoteli pa nxituar. Në hyrje, roja i natës po mblidhte filxhanët bosh të kafesë. Një pastruese fshinte dyshemenë me lëvizje të qeta, sikur të fshinte jo pluhurin, por gjurmët e ëndrrave që njerëzit kishin lënë pas gjatë natës. Askush nuk i kushtoi vëmendje gruas me pallton gri dhe burrit që ecte pranë saj me telefonin e fikur në xhep.

Ashensori u ngjit në heshtje. Kur dera u hap në katin e njëzeteshtatë, Nadira nuk hyri. Ajo mbeti në korridor.

- Këtu ndahemi - tha me zë të ulët.

Burri e pa me habi.

- Nuk do të shihemi më?

Ajo nuk u përgjigj menjëherë. Vështroi dritaren në fund të korridorit, ku qielli po merrte ngjyrën e parë të mëngjesit.

- Njerëzit nuk takohen vetëm një herë. Ata takohen sa herë kujtojnë atë që u ka ndryshuar jetën.

Ai deshi të thoshte diçka, por fjalët nuk i dolën. Ishte çudi. Dikur kishte përgjigje për gjithçka. Tani kishte vetëm pyetje.

- Kush je ti, në të vërtetë?

Ajo buzëqeshi.

- Nuk ka rëndësi.

- Ka.

- Jo. Sepse, po ta dish emrin tim, do të harrosh atë që të kam treguar.

Era lëvizi lehtë flokët e saj. Pastaj ajo u kthye dhe nisi të largohej përgjatë korridorit. Hapat e saj nuk bënin zhurmë. Në fund të korridorit ndodhej një derë që burri ishte i bindur se nuk kishte qenë aty më parë. Nadira e hapi. Brenda nuk kishte dhomë. Vetëm një dritë e bardhë. Ajo hyri. Dera u mbyll. Kur ai arriti atje, muri ishte i pandërprerë. Asnjë derë. Asnjë shenjë. Vetëm muri i ftohtë i hotelit.

Ditët kaluan. Jeta u përpoq të rikthehej në ritmin e zakonshëm. Telefoni u ndez përsëri. Mesazhet vazhduan. Takimet. Konferencat. Raportet. Por diçka kishte ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Sa herë që dikush fliste, ai nuk dëgjonte më vetëm fjalët. Përpiqej të kuptonte historinë që fshihej pas tyre. Kur një kamarier i buzëqeshte, pyeste veten se kë kishte lënë në shtëpi. Kur një taksist heshtte gjatë gjithë rrugës, mendonte se çfarë barre mbante në zemër. Kur një grua e moshuar ushqente pëllumbat në shesh, i dukej sikur ajo po priste dikë që nuk do të kthehej më.

Bota nuk ishte bërë ndryshe. Ndryshe ishte bërë shikimi i tij. Një mbrëmje, teksa po rregullonte xhepin e palltos, gjeti çelësin prej bronzi. Për një çast kishte harruar se e mbante me vete. E mori në dorë. Ishte i ngrohtë. Sikur dikush ta kishte mbajtur pak më parë. Filloi të provojë çdo derë që i dilte përpara. Asnjë nuk hapej. As dera e zyrës. As dera e apartamentit. As dera e bibliotekës së vjetër. Atëherë e kuptoi. Çelësi nuk ishte bërë për të hapur brava. Ishte bërë për të mos lejuar që disa dyer të mbylleshin përgjithmonë brenda njeriut. Ai e futi përsëri në xhep.

Që nga ajo ditë nuk e përdori më si send. E mbajti si kujtesë. Vitet kaluan. Askush nuk e pa më Nadirën. Disa thoshin se kishte vdekur. Disa se ishte shpërngulur në një kontinent tjetër. Disa betoheshin se e kishin parë në një tren nate, duke biseduar me një fëmijë. Të tjerë e kishin takuar në një bibliotekë të vogël pranë detit. Sa herë që dikush përpiqej ta fotografonte, ajo nuk dilte në fotografi. Dilnin vetëm njerëzit që e dëgjonin. Burri filloi të udhëtonte. Jo për biznes.

Për njerëzit. Ulej në kafene të vogla. Në stacione. Në porte. Në fshatra që nuk i përmendnin guidat turistike. Mësoi të dëgjonte. Dhe kuptoi se çdo njeri mbante brenda vetes një roman që nuk do të shkruhej kurrë, nëse askush nuk do ta pyeste:

- Si je, në të vërtetë?

Ai nisi t'i shkruante ato histori. Jo për famë. Jo për çmime. Por nga frika se mos bota humbiste kujtesën e saj. Një pasdite pranvere, në një qytet buzë detit, një vajzë e vogël e pa të ulur në një stol me një fletore në dorë.

- Çfarë po shkruan? - e pyeti.

Ai ngriti kokën dhe buzëqeshi.

- Një histori.

- Për kë?

Ai mendoi gjatë. Pastaj tha: - Për ty.

Vajza qeshi.

- Por ne sapo u njohëm.

- Historitë nuk fillojnë ditën kur njerëzit takohen. Ato fillojnë shumë më herët. Ndoshta ditën kur dikush vendos të dëgjojë. Kur u plak, raftet e shtëpisë së tij ishin mbushur me fletore. Nuk kishte shkruar për mbretër. As për perandori. As për njerëzit që bënë zhurmë në histori. Kishte shkruar për infermierë që nuk u larguan nga pacientët. Për mësues që ndezën dritë në fshatra të harruar. Për emigrantë që ruajtën gjuhën e nënës. Për fëmijë që ndanë copën e fundit të bukës.

Për njerëz të zakonshëm, sepse kishte kuptuar se bota mbahet mbi shpatullat e tyre. Dhe se historia më e madhe nuk është ajo që ndryshon hartat. Është ajo që ndryshon një zemër. Në mbrëmjen e fundit të jetës së tij, ai hapi dritaren. Qielli ishte i mbushur me yje. Iu duk sikur secili prej tyre ishte një histori që ende priste të tregohej. Ai nxori nga xhepi çelësin prej bronzi.

E vendosi mbi tavolinë. Pranë një fletoreje bosh. Dhe buzëqeshi. Sepse e kuptoi se as çelësi nuk i përkiste atij, as historia. Të dy duhej të vazhdonin udhën. Përtej tij. Përtej kujtesës. Përtej kohës.

Thuhet se, herë pas here, në ndonjë aeroport, në ndonjë stacion treni, në ndonjë kafene ku njerëzit ende flasin duke parë njëri-tjetrin në sy, shfaqet një grua me një pallto gri. Nuk pyet kush je. Nuk pyet çfarë pune bën. Ajo vetëm ulet pranë teje dhe të dëgjon. Nëse arrin ta harrosh telefonin për pak çaste, mund ta dëgjosh tek të thotë me një zë që duket se vjen nga larg: - Më trego një histori, sepse bota nuk do të shpëtohet nga ata që dinë gjithçka. Do të shpëtohet nga ata që nuk pushojnë së dëgjuari. Dhe ndoshta, në atë çast, pa e kuptuar, do të fillojë nata e parë e një historie tjetër. Një histori që nuk do të zgjasë një mijë e një net. Por një milionë netë.

3 Comments


Pozaet Qose
a day ago

 

Prozë klasi(poetike).

Like

Kujtim Stojku
a day ago

 

Ky tregim që sapo lexova më duket një udhëtim mes kujtesës dhe shpirtit njerëzor, ku qytetet nuk maten me dritat e tyre, por me historitë që mbajnë brenda. Një tregim që na kujton se në një botë të mbushur me zhurmë, akti më i rrallë është të dëgjosh. Faleminderit për këtë univers fjalësh, ku çdo histori bëhet një çelës për një derë të harruar brenda nesh.

Urime

Like

Petraq Pali
a day ago

Nje prozë që të mbërthen !

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page