top of page

Fatmir Terziu: Një homazh për Abydyl Xhajën

ree

Një homazh për Abydyl Xhajën

 

Prof. Dr. Fatmir Terziu


Gjithkush do të dëshironte të mblidhte një grusht dhé nga toka që e lindi dhe e rriti atë e t'ia hidhte në shenjë respekti në ikjen e tij. Gjithkush, anembanë, por sidomos në Elbasan. Një grusht dhé për të mirin Njeri, për të saktin mendimtar, për të thjeshtin intelektual, për të mbarin qytetar, për të dashurin familjar, për të shtrenjtin mik, për të palodhurin në profesion, për çdo gjë që bëri në perfeksion, në shoqëri, si vlerë dhe si i përpiktë, po aq dhe në politikë.  

E kështu ndarja nga jeta e ish zv. Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, ekonomistit të mirëkualifikuar, Abdyl Xhaja, një ndër personalitetet më të spikatura të ekonomisë dhe politikës shqiptare në dekadat e fundit të shekullit XX, do të paqësonte shumë shpirtra, shumë zemra, shumë dashuri njerëzore me të cilat i lidhën hapat e tij që në fëmijëri, rini, e në tërësi deri sa ai dha frymën e tij. E kështu nuk do të mjaftoheshin vetëm fjalët, për një prej figurave të mirënjohura të ekonomisë dhe politikës shqiptare, por do të plotësohej edhe ajo dashuri e madhe për këtë figurë që do të mbetet e paharruar në shekuj, ashtu siç ai e krijoi vetë këtë dashuri në të gjallën e tij.

Ndërsa lajmi përcjell e përlotë shqiptarët në të gjithë kontinentet, ndarja nga jeta pas një sëmundje të gjatë e të pashërueshme në moshën 82-vjeçare, është më shumë se një arsye për të rikujtuar udhën e tij të gjatë angazhuese. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhaja la një gjurmë të thellë në zhvillimin industrial dhe energjetik të vendit, si dhe në skenën politike të viteve të tranzicionit. Abdyl Xhaja, lindi më 13 mars 1943 në Elbasan. Ai studioi në qyetetin e tij dhe pas rezultateve të shkëlqyera studioi përfundoi studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1965, duke u diplomuar si ekonomist për industri.

Sikurse dihet, fillimet e tij profesionale ishin të lidhura ngushtë me qytetin e lindjes, ku shërbeu si ekonomist në ndërmarrje të ndryshme industriale. Në vitet që pasuan, ai do të angazhohej në një karrierë të gjatë në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ku mbajti pozicione të rëndësishme drejtuese. Gjatë kësaj kohe, ai ishte gjithashtu pjesë e Komitetit Shtetëror të Statistikës dhe më vonë do të kalonte në nivelet qendrore të drejtimit të sektorit industrial në vend. Me ndryshimet politike të fillimviteve ’90, Abdyl Xhaja u bë një figurë kyçe në qeverisjen e vendit, duke shërbyer si Zëvendësministër i Burimeve Minerare dhe të Energjetikës, Zëvendëskryeministër dhe më pas Ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës në disa qeveri gjatë viteve 1991–1997.

Në poltikë ai iu bashkua  Partisë Demokratike, dhe në vitin 1996 ai u zgjodh deputet në Elbasan dhe ndërkohë ishte edhe anëtar aktiv i Këshillit Kombëtar të kësaj force politike. Pas vitit 1997, ndonëse jashtë jetës politike aktive, vijoi të kontribuonte në fushën e ekonomisë si këshilltar pranë unionit të investitorëve të huaj dhe më vonë pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.

Për kontributin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe promovimin e potencialeve ekonomike të Shqipërisë, Abdyl Xhaja është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i shtetit të Oklahomës në SHBA – një vlerësim i rrallë për një qytetar shqiptar. Jeta dhe veprimtaria e tij mbeten një shembull i përkushtimit ndaj zhvillimit ekonomik dhe shërbimit publik. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën nga afër si profesionist të përkushtuar dhe qytetar model.

Mbi të gjitha në vitet dhe momente e vështira për Elbasanin Abdyl Xhaja ishte dhe mbeti një intelektual dhe qytetar i zoti, që mblodhi qytetërimin në tryezë, që afroi shanse dhe mirëkuptime tryezash për të majtë e të djathtë, që e bëri të mundhsme jetën në kohë krismash, që e mundësoi njeriun të mirëkuptojë njeriun në një situatë të turbullt ai mbi të gjitha ishte politikan i matur, i denjë për të bërë paqe.

Le të shërbejnë këto rrjeshta si një homazh për punën e një njeriu të denjë që ia kushtoi jetën e tij kauzës së qytetarisë, intelektualizmit, ekonomisë, barazisë, demokracisë dhe prosperitetit.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page