Fatmir Terziu: Një grusht dhé nga larg, për të mirin Daut Dauti
- 7 minutes ago
- 3 min read

Takimin e parë me Daut Dautin e kam ende në mendje. E takova pas një telefonate që më kishte bërë, kur kërkonte të dinte më shumë rreth PhD-së. Ishte një bisedë e thjeshtë, nga ato që nuk e mendon se një ditë do t’i rikthehesh me mall. Pastaj u takuam disa herë. Na bashkoi veprimtaria në komunitetin shqiptar, bisedat, njerëzit dhe ajo ndjesia e përbashkët e të qenit larg vendit, por gjithnjë pranë tij nëpërmjet kujtesës. Takimi i fundit ishte më 7 maj 2025. Dauti më vizitoi në institucionin akademik ku punoj. Bëmë edhe një fotografi bashkë. Atëherë nuk e dija se ajo fotografi do të mbetej një prej kujtimeve të fundit që do të kisha me të. Gjatë asaj bisede më tregoi se po përballej me një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme. Po trajtohej në një nga spitalet më të njohura të Londrës dhe mjekësia po bënte gjithçka që ishte e mundur. E dëgjoja dhe, siç ndodh në raste të tilla, nuk dija çfarë të thosha. Sepse përballë sëmundjes së rëndë fjalët bëhen të vogla. Megjithatë, njeriu deri në fund shpreson. Dhe ndoshta pikërisht kjo është një nga gjërat më të bukura dhe më tragjike të qenies njerëzore: edhe kur e di se koha po ngushtohet, zemra vazhdon të kërkojë një hapësirë për shpresën.
Sot Dauti nuk është më. Dhe mungesa e tij është më shumë se një dhimbje personale. Është një humbje edhe për jetën intelektuale shqiptare, sepse ai ishte prej atyre njerëzve që e kthyen largimin nga atdheu në punë, kërkim dhe dëshmi. Daut Dauti u lind në Kokaj të Gjilanit në vitin 1960. Studioi juridikë në Prishtinë dhe vazhdoi studimet në Londër. Punoi si gazetar, studiues, këshilltar për media dhe në institucione të ndryshme shqiptare e ndërkombëtare. Por mbi të gjitha, ai u përkushtua historisë, veçanërisht marrëdhënieve britaniko-shqiptare. Studimet e tij, të mbështetura në arkivat britanike, dhe librat që la pas janë një pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie. Por unë nuk dua ta kujtoj Dautin vetëm përmes titujve, posteve dhe librave. Njeriu nuk është vetëm ajo që shkruhet në një biografi. Dauti kishte një lidhje të veçantë me vendlindjen e tij, Kokajn. Edhe pse jetoi për shumë vite në Londër dhe puna e çoi në vende të ndryshme, ai vazhdonte të kthehej atje me kujtesë. Këtë vit botoi “Nëpër gjethe kujtimesh”.

Sot e shoh ndryshe edhe fotografinë tonë të 7 majit 2025. Në atë çast ishim thjesht dy njerëz duke fiksuar një takim. Sot ajo fotografi ka marrë një peshë tjetër. Koha i ka dhënë një kuptim që atëherë nuk mund ta dinim. Fotografitë kanë këtë të keqe dhe këtë të mirë njëkohësisht: ruajnë një çast, por nuk na tregojnë se sa larg është ai çast nga fundi. Ndoshta kjo është arsyeja pse kujtesa është më e fortë se koha. Koha merr njeriun. Kujtesa e kthen. Dhe Dauti do të kthehet sa herë që dikush të hapë një nga librat e tij, të kërkojë një nga studimet e tij, të përmendë një bisedë, të shohë një fotografi, apo të kujtojë atë njeri që kërkonte gjithmonë dokumentin, burimin, dëshminë.
Ai nuk kënaqej me atë që ishte thënë. Kërkonte të dinte se çfarë kishte ndodhur vërtet. Ndoshta kjo është edhe mënyra më e mirë për ta nderuar: të mos lejojmë që kujtesa të zbehet, sepse një njeri mund të largohet nga kjo botë, por nuk largohet domosdoshmërisht nga jeta e të tjerëve. Dauti ka mbetur në fjalë. Në libra. Në kujtime. Dhe mbi të gjitha, në atë vend të vogël nga ku nisi rrugëtimi i tij: Kokaj. Prandaj titulli i këtij kujtimi nuk mund të ishte tjetër veçse: Një grusht dhé nga larg. Një grusht dhé për një njeri që jetoi larg vendlindjes, por nuk u nda kurrë prej saj.
Një grusht dhé për një mik që e takova, e dëgjova, e fotografova dhe që sot më mungon. Një grusht dhé për Daut Dautin. Dhe ndoshta, në fund, dheu nuk është vetëm fundi. Është kthimi. U prehsh në paqe, Daut. Dheu i vendlindjes qoftë i lehtë mbi ty.








Comments