top of page

Fatmir Terziu: Naim Muça, tekniku i gjeologjisë që e kishte vendlindjen në zemër

  • 52 minutes ago
  • 3 min read

Naim Muça, tekniku i gjeologjisë që e kishte vendlindjen në zemër

 

Naim Muça, tekniku i gjeologjisë, njeriu i përkushtuar ndaj profesionit, familjes dhe vendlindjes mbetet simbolika e viteve kur u njoha. Sa herë jam shkëmbyer me të në rrugë, kur udhëtoja drejt Ostrenit të Madh, në vitet kur isha mësues në Shkollën e Mesme të Bashkuar „Elez Koçi“, e kujtoj me atë seriozitetin dhe qetësinë e tij karakteristike. Në atë kohë, Naimi ishte përgjegjës i kërkimeve gjeologjike për mineralin e manganit në Trebisht. Ishte një punë që kërkonte njohuri, përkushtim, durim dhe një lidhje të fortë me terrenin. Por kujtimi im për të nuk lidhet vetëm me rrugët e Trebishtit apo me punën gjeologjike. Ka edhe një tjetër vend ku ai mbetet fort në kujtesën time: tryeza e bukës në shtëpinë e xhaxhait tim të dashur e të paharruar, Rexhep Terziu, i cili në atë kohë punonte gjithashtu si gjeolog në ato kërkime.

Aty, mes njerëzve të profesionit, bisedave për punën, për mineralet, për vendet ku ishin bërë kërkimet, por edhe për jetën, Naim Muça shfaqej ashtu siç ishte në të vërtetë: specialist, familjar, bisedë-ëmbël dhe i përkushtuar. Kishte një merak të veçantë për shkollimin e fëmijëve. Sidomos për Shkëlzenin, djalin e tij të parë, për të cilin fliste me atë dëshirën e madhe prindërore që ta shihte një ditë inxhinier. Ishte një dëshirë që tregonte shumë për botën e tij, për Dritanin e të gjithë. Naimi e dinte se puna ishte e rëndësishme, por e dinte edhe më mirë se dija dhe shkollimi ishin rruga për të ardhmen e fëmijëve. Dhe kur fliste për vendlindjen, ndryshonte edhe zëri i tij.

Fliste për Shqipërinë, për traditat, për pasuritë e saj, për njerëzit, për historinë dhe për shumëçka tjetër. Ishte nga ata njerëz që nuk kishin nevojë të kërkonin fjalë të mëdha për të treguar dashurinë për vendin e tyre. E kishin atë dashuri brenda vetes dhe ajo u buronte natyrshëm në bisedë.

Buronte mjaltë nga goja e tij. Ishte bisedëkëmbim, i sinqertë dhe i hapur. Nuk kishte teprica në fjalët e tij dhe as dëshirë për t'u dukur. Kishte thjesht një natyrë njerëzore që të afronte dhe të bënte ta dëgjoje me kënaqësi.

Naim Muça ishte nga Ostreni i Vogël, por emri i tij ishte bërë i njohur shumë më tej se kufijtë e vendlindjes. Në Dibër e njihnin dhe e respektonin. Në Bulqizë, sidomos në mjediset e minierës, emri i tij lidhej me profesionin, përvojën dhe nderin e një specialisti që e kishte bërë punën me seriozitet.

Më kujtohet edhe inxhinier Nexhati, dibrani intelektual, i cili kur fliste për Naimin, e bënte gjithmonë me superlativa. Dhe ndoshta ky është një nga vlerësimet më të bukura që mund t'i mbetet një njeriu: të flasin mirë për ty ata që të kanë njohur në punë, në jetë dhe në ditët e zakonshme. Sot bëhen dy vite pa Naim Muçën.

Dy vite pa zërin e tij, pa bisedat e tij, pa atë mënyrën e veçantë se si fliste për vendlindjen, për Shqipërinë, për familjen dhe për jetën. Por dy vite nuk janë asgjë përballë kujtesës. Njeriu nuk matet vetëm me vitet që jeton, por edhe me gjurmët që lë pas. Dhe Naimi ka lënë gjurmë. I ka lënë në familjen e tij, te fëmijët për të cilët u përkushtua aq shumë, te miqtë, te kolegët, te njerëzit e Trebishtit, Ostrenit, Bulqizës e Dibrës dhe te të gjithë ata që patën fatin ta njihnin.

Sot, kur e kujtoj, më vijnë ndër mend rrugët drejt Ostrenit, vitet e mësuesisë, kërkimet gjeologjike në Trebisht dhe ato tryeza të thjeshta ku njerëzit mblidheshin rreth bukës dhe bisedës. Në ato tryeza kishte edhe Rexhep Terziun tim të paharruar, kishte Naim Muçën dhe kishte një botë njerëzish që sot nuk janë më, por që vazhdojnë të jetojnë në kujtesën tonë.

Kjo është edhe një formë tjetër e jetës. Të jetosh në kujtesën e atyre që të kanë njohur. Naim Muça ishte një prej atyre njerëzve që nuk bënë zhurmë për të lënë emër. Punoi, u përkushtua, rriti familjen, deshi vendlindjen dhe eci i qetë nëpër jetën e tij. Sot, dy vite pas ndarjes nga jeta, emri i tij vjen përsëri në kujtim jo si një emër i së shkuarës, por si një njeri që ka ende vend në bisedat, në kujtimet dhe në zemrat e atyre që e njohën. U prehtë në paqe, Naim Muça. Dhe vendlindja që e deshe aq shumë, bashkë me njerëzit që të njohën e të respektuan, le ta mbajnë gjatë kujtimin tënd.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page