top of page

Faik Xhani: THEMELET U HODHËN, VAZHDIMI ËSHTË I SIGURT

  • 34 minutes ago
  • 3 min read

Dje, në lartësinë mbi 750 m mbi nivelin e detit, në vendin e quajtur “Bokat e Bardha”, mori jetë projekti “Luznia na Bashkon”.

Një pikë dominuese, ku fshatrat e Dibrës shiheshin si në pëllëmbë të dorës, nga Korabi e deri në Prat, e veshur me pyje nga të gjithë anët, me një shesh ku mund të hidhje valle sa të doje dhe të pritje mijëra vetë.

Ora 9 e mëngjesit na gjeti në vend. Puna përgatitore vazhdonte. Në krye, më të tensionuar, Hysen Uka dhe Mensur Murrja, nismëtarët e këtij projekti.

Një mirëmëngjes dhe një përqafim vëllazëror me ta, si dhe urimi: “Ta gëzoni festën e Luznisë”.

Një baner i bukur me përmbajtje të qartë në ballë, me bokset. Biznese me artikuj të ndryshëm për t’u ardhur në ndihmë pjesëmarrësve dhe një kuadrat katërkëndësh me çadra të bardha, tavolina e karrige për t’u pushuar pjesëmarrësit. Orkestra, me në krye Kastriot Cupin, ardhur nga Anglia, krijonte atmosferë gëzimi e hareje, kurse Policia mbante rregull e stabilizonte trafikun e automjeteve, që qenë me qindra.

Ora 10 shënoi edhe ardhjen e Kryetarit të Bashkisë, Rahim Spahiu, si dhe sekretarit të Këshillit të Qarkut, z. Sokol Sava. Prezenca e tyre sikur e gjallëroi akoma më shumë dhe e zbukuroi festën. Një takim i ngrohtë me pjesëmarrësit, me urime dhe premtime të reja për të ardhmen. Z. Rahim premtoi se së shpejti do të asfaltohet rruga deri te “Bokat e Bardha” dhe do të bëhen investime të reja.

Pastaj u kalua në një vizitë në panairin e prodhimeve bio vendase dhe për të filluar seancën ceremoniale. Megjithëse i vogël, panairi ishte i pasur me produktet vendase, që binin në sy për cilësinë, freskinë dhe shijen e tyre.

Në orën 11 filloi ceremonia solemne me ekzekutimin e Hymnit të Flamurit, pastaj me këngën për Elez Murrën, ekzekutuar me emocion të veçantë nga Agim Huna.

Pastaj në vijim përshëndeti Kryetari i Bashkisë, Rahim Spahiu, i cili vlerësoi projektin, punën e grupeve të punës, si dhe bëri thirrje për pjesëmarrje dhe festim sa më të mirë, veçanërisht nga Luznakët, si dhe premtoi për shtrimin e rrugës me asfalt etj. Në fund uroi të gjithë pjesëmarrësit për vlerësimin dhe pjesëmarrjen në këtë event, si dhe organizatorët Hysen Uka e Mensur Murrën.

Grupi artistik, nën drejtimin e Moderatores dhe të Orkestrës, të drejtuar nga biznesmeni, poeti e instrumentisti Kastriot Cupi, përshëndetën me këngë, valle e recitime, që u duartrokitën nga pjesëmarrësit.

Mjaft domethënëse dhe me vlerë qe edhe fjala e z. Mensur Murja, ku, midis të tjerash, vuri theksin në nismën dhe punën e bërë për projektin “Luznia na bashkoi” dhe theksoi se koha e takimit të gjithë Luznakëve, shqiptarët brenda e jashtë vendit, do të jetë në muajin gusht të çdo viti.

Vendi i takimit, “Boka e Bardhë”, e emërtuar: Parku Komunitar “Luznia na bashkon”.

Ai evokoi vlerat e Luznisë dhe Luznakëve nga kohët parahistorike, antike e deri në ditët tona. Vuri në dukje se shumë studiues, mandej edhe të huaj, kanë shkruar e kanë vlerësuar Luzninë dhe Luznakët për zgjuarsi e trimëri. Gjithashtu solli në memorien e pjesëmarrësve dëshmorët e rënë në luftë kundër turqve, serbëve, malazezëve e austro-hungarezëve, si Isuf Elez Murrja, Mane Nurcja, Sali Dervish Nikolli, Rustan Nezir Stafa, Grenadines Maliq Seferi, Abdulla Abas Xhurxhi, Kyrt Selim Cupi, Sefedin Brahim Rahim Ruci, Selman Maksut Skuka, Muharrem Isak Colja, Ramadan Abdulla Ruci, Selman Elez Rizani e Sinan Islam Mera.

Gjithashtu Mensuri solli në memorien e pjesëmarrësve edhe dëshmorët e rënë gjatë LANÇ, si Myrteza Damzin, Sali Dernjani, Xhafer Shahini, Lutfi Murrja, Aqif Konesha e Shaban Murrja.

Mensuri falënderoi të gjithë ata që kanë shkruar për Luzninë e vlerat e saj, Kryetarin e Bashkisë dhe Këshillin Bashkiak për miratimin e projektit “Luznia na bashkon” dhe vuri theksin që takimi një herë në vit, në “Bokat e Bardha”, të shndërrohet në traditë pelegrinazhi, ku të fitojë kuptime të reja.

T’i shërbejë vëllazërimit, mirëkuptimit, harmonisë, duke ua përcjellë brezave të rinj Luzninë me të gjitha vlerat e saj.

Recitimet, vallet dhe këngët e trimërisë i dhanë bukuri e emocion më shumë gjithë pjesëmarrësve.

Ky tubim vlerësoi edhe kontributin e z. Hamit Lumi e Skënder Murrës, të dhënë për arsimimin dhe kulturën e breznive të reja, për të cilët janë vlerësuar edhe si Nderi i Bashkive Dibër e Bulqizë.

Me këtë rast përshëndeti edhe z. Skënder Murrja, me një kontribut të gjatë në arsim, i cili, krahas falënderimit për vlerësimin e bërë, vlerësoi shumë punën e grupeve për organizimin e eventit “Luznia na bashkoi” dhe veçanërisht të zotit Hysen Uka, mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë, Rahim Spahiu, e të z. Sokol Sava, si dhe theksoi punën që duhet të bëjmë edhe në të ardhmen për t’ua përcjellë brezave të reja vlerat e Luznisë dhe Luznakëve.

Festa vazhdoi gjatë në valle e këngë, me harmoni, me njohje e urime, të cilat do të mbeten në kujtesën e pjesëmarrësve gjatë.

Besojmë se themelet u hodhën të sigurta dhe vazhdimi do të jetë për jetë e mot.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page