Fatmir Terziu: Majat
- Jun 18
- 3 min read

Majat
Na u soll Globi si ilustrim. Pastaj dhe ilustrimi si shpjegues. E aty nisi hamendja… Në qytetin ku askush nuk e dinte saktësisht se kur fillonte pranvera dhe kur mbaronte dimri, ekzistonte një kopsht i madh. Ishte aq i madh sa banorët e quanin thjesht Kopshti, sikur të mos kishte tjetër në botë. Në atë kopsht rriteshin pemë të vjetra e të reja. Disa kishin rrënjë që depërtonin thellë në tokë, aq thellë sa askush nuk arrinte t’i shihte. Të tjerat ishin më të reja, me trungje të hollë dhe me etjen e zakonshme të çdo filizi, natyrisht të arrinin majat. Por majat ishin bërë një çështje e çuditshme. Sa herë që një lastar i ri ngrinte kryet drejt dritës, shfaqeshin kopshtarët. Ata vinin me gërshërë të mëdha, me fytyra të ngrira dhe me libra rregullash nën sqetull. Nuk flisnin shumë. Vetëm matnin degët.
- Është rritur shumë, - thoshin.
Dhe e krasisnin. Vitin tjetër, nga i njëjti trung dilnin edhe më shumë lastarë. Edhe ata kërkonin qiellin. Edhe ata krasiteshin. Me kalimin e viteve, pemët filluan të ngjanin me njëra-tjetrën. Nuk kishin më kurora të lira. Nuk kishin më drejtime të tyre. Ishin kthyer në forma të rregullta, të bukura për syrin e kopshtarit dhe të trishta për zogjtë. Një mëngjes, një korb i zi u ul mbi një gardh dhe pyeti:
- Ku janë majat?
Askush nuk iu përgjigj. Pemët kishin mbetur pa maja. Madje edhe majat që shiheshin larg, rezultuan të ishin maja pa maja. Imitime. Kurora prej druri të ngjitura mbi trungje të lodhura. Kopshti dukej i qetë. Por nën tokë diçka lëvizte. Rrënjët flisnin. Flisnin natën, kur kopshtarët flinin.
- Ne nuk jemi krijuar për t’u prerë përgjithmonë, - pëshpëritnin.
- Ne nuk jemi krijuar për të imituar.
- Ne nuk jemi krijuar për të mbetur hijet e majave.
Në qendër të kopshtit ngrihej një tribunë e madhe prej guri. Aty ngjiteshin gjithmonë të njëjtët njerëz. Kur ngjiteshin, turma poshtë duartrokiste. Sa herë ngjiteshin, premtonin se do të kujdeseshin për pemët. Sa herë zbrisnin, pemët ishin më të krasitura. Vitet kalonin. Tribuna bëhej më e lartë. Kopshti bëhej më i ulët. Derisa një ditë ndodhi diçka e pazakontë. Një nga pemët e reja, që ishte prerë shtatë herë, nuk nxori më degë. Nuk nxori as gjethe. Nxori pëshpëritje. Pëshpëritjet u përhapën si myshk mbi trungje. Pastaj si erë. Pastaj si zjarr. Dhe papritur banorët e kuptuan se kishin kaluar gjithë jetën duke parë tribunën dhe jo kopshtin.
Atëherë ndodhi ajo që askush nuk e kishte parashikuar. Të parët që zbritën nga tribuna nuk ishin ata poshtë. Ishin ata sipër. Zbritën me nxitim. Si gjithmonë, sepse e dinin se vullkani nuk shpërthen kurrë mbi tribunë. Ai shpërthen poshtë saj. Dhe kur vullkani filloi të merrte frymë, ata u larguan. Turma mbeti. Pemët mbetën. Rrënjët mbetën. Pastaj, si pas çdo stuhie, njerëzit u shpërndanë për t’u marrë me jetët e tyre. Por kësaj here kishte mbetur diçka. Një shteg. Një shteg që nuk të çonte më te tribuna.
Të çonte te një ndërtesë e heshtur në skajin e kopshtit. Mbi portën e saj shkruhej vetëm një fjalë: Drejtësia. Aty nuk kishte duartrokitje. Nuk kishte flamuj. Nuk kishte lartësi. Vetëm pasqyra. Dhe secili që hynte brenda shihte fytyrën e vet pa tribunë, pa mikrofon, pa kurorë.
Aty e kuptonte se askush nuk kishte lindur majë. Askush nuk kishte lindur njësh. Dhe ndoshta, mendoi korbi i zi teksa fluturonte mbi kopshtin e trazuar, madhështia e vërtetë nuk ishte të ngjiteshe në tribunë, por të dije të zbrisje prej saj.








Padyshim Fatmir Terziu është misionari i kulturologjisë dhe letrave shqipe. Çdo gjë e bën që gjuha shqipe të lëvrohet dhe të lexohet në çdo kënd të botës, si e barabartë me gjuhët dhe letërsitë e mëdha. Mirënjohëse pafund
Profesor shumë bukur. Me alegori ke shkruar gjithçka për realitetin shqiptar.
Shëndet të uroj.
Po këtu tek ne do të dinë të zbresin nga tribuna t'i lënë "drurët" të rriten natyrshëm?
Urime Profesor
....madhështia e vërtetë nuk ishte të ngjiteshe në tribunë, por të dije të zbrisje prej saj....Fenomenale!