top of page

Fatmir Terziu: Lamtumirë Mjeshtrit të dritës dhe shpirtit, Skënder Kamberi

  • Apr 16
  • 2 min read

 

Disa njerëz nuk largohen kurrë, edhe kur ikin. Ata mbeten në ngjyrë, në dritë, në kujtesë. I tillë ishte Skënder Kamberi – një emër që nuk i përket vetëm artit figurativ shqiptar, por vetë shpirtit të tij. Sot, kur ai është përcjellë me dhimbje në banesën e fundit, nuk duket sikur është shuar një jetë, por sikur është fikur një dritë që për dekada ndriçoi Vlorën, Shqipërinë dhe më gjerë. Një dritë që nuk vinte vetëm nga peneli i tij, por nga një shpirt i thellë, i ndjeshëm dhe i përkushtuar ndaj së bukurës. Për mua, humbja është edhe më personale.

Skënder Kamberi nuk ishte vetëm një mjeshtër i madh i pikturës. Ai ishte edhe ai që i dha formë vizuale librit tim “Rrëfenjat e Xha Avramit”. Me finesën e tij si grafik, ai nuk ilustroi thjesht një tekst – ai e kuptoi, e ndjeu dhe e përktheu në imazh. Çdo vijë, çdo detaj mbante brenda një dialog të heshtur mes fjalës dhe figurës, mes autorit dhe artistit. Ai kishte një aftësi të rrallë: të shihte përtej asaj që ishte e dukshme.

I lindur në Vlorë më 1939, qyteti i detit dhe i legjendave, ai e mbarti këtë hapësirë brenda vetes gjatë gjithë jetës. Deti i tij nuk ishte thjesht peizazh,  ishte gjendje shpirtërore. Valët, perëndimet e kuqe, kaltërsia e pafund, shqiponjat që merrnin formë në retë e qiellit – të gjitha jetonin në telajot e tij si një poezi e pashkruar. Që në rini, ai e kishte të qartë se arti nuk ishte një zgjedhje e lehtë, por një thirrje. Dhe ai iu përgjigj kësaj thirrjeje me një përkushtim të rrallë. Studioja e tij – e vogël në hapësirë, por e pafund në krijimtari – ishte tempulli ku ngjyrat merrnin jetë dhe mendimet bëheshin formë. Skënder Kamberi nuk ishte vetëm një piktor i madh; ai ishte një njeri i madh në thjeshtësinë e tij. Një artist pa zhurmë, pa bujë, por me një thellësi që e bënte të paharrueshëm për këdo që e njihte. Ai i donte njerëzit, i mbështeste të rinjtë, dhe gjithmonë besonte se arti duhet të jetë në shërbim të së bukurës.

Edhe kur përballej me vështirësi, ai nuk e humbi kurrë besimin. Sepse për të, arti ishte një formë dashurie. Dhe dashuria, siç thoshte vetë, ishte gjithmonë e para. Titujt që mbante, “Artist i Merituar” dhe “Piktor i Popullit”, nuk ishin thjesht dekorata. Ishin një njohje e një jete të tërë në shërbim të artit, një jete ku çdo tablo ishte një dëshmi, çdo ngjyrë një rrëfim. Sot, kur ai nuk është më fizikisht mes nesh, mbeten veprat. Mbete deti i tij. Mbete drita e tij. Mbete ajo mënyra e veçantë për ta parë botën, me ndjeshmëri, me dhimbje, por gjithmonë me shpresë. Dhe për ata që patën fatin ta njohin, mbetet edhe diçka më e madhe: kujtimi i një njeriu që jetoi me dinjitet, krijoi me pasion dhe la pas një trashëgimi që nuk shuhet.

Lamtumirë, Mjeshtër. Peneli yt u ndal, por ngjyrat e tua do të flasin përjetë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page