Fatmir Terziu: Kurva e Zyrës së Pashaportizimeve
- 2 hours ago
- 3 min read

Tregim nga Fatmir Terziu
Poshtë asaj zyre kishte një plep. Degët e plepit, që prekte katin e tretë, përkëdhelnin dritaren. Pas asaj dritareje ishte ajo. Askush nuk e dinte emrin e saj të vërtetë. Në katin e tretë të godinës gri, aty ku njerëzit hynin me fytyra dhe dilnin me numra, ajo njihej vetëm si “ajo”. Më të guximshmit, pas shpine, e quanin Kurva e Zyrës së Pashaportizimeve. Nuk dihej kush e kishte shpikur i pari këtë emër, por në atë ndërtesë fjalët ngjiteshin në mure më fort se lagështira. Unë e pashë për herë të parë një të martë, në orën tetë pa pesë.
Radha kishte filluar që natën. Burra me dosje kartoni, gra me fotografi të futura në çanta, pleq që mbanin certifikata lindjeje sikur të ishin relike shenjtorësh. Të gjithë prisnin një vulë për të ikur nga fshati ku do të ndërtohej hidrocentrali i madh kinez. Askush nuk vinte aty për të hyrë në jetë, vetëm për të dalë prej saj. Ajo rrinte pas xhamit numër katër.
Nuk ishte e bukur në mënyrën klasike. Kishte një fytyrë të lodhur dhe sytë e një njeriu që kishte parë shumë njerëz duke u përkulur. Flokët i mbante gjithnjë të lidhura fort, si dikush që druhet se mos mendimet i shpërndahen në ajër. Kur fliste, nuk ngrinte kurrë zërin. Dhe pikërisht kjo i tmerronte njerëzit.
- Formulari është plotësuar gabim.
- Po ku?
- Gabim.
Kaq.
Njerëzit largoheshin të shkatërruar nga sporteli i saj sikur të kishin dalë nga një gjyq ku dënimi ishte dhënë pa akuzë. Thuhej se pranonte para. Thuhej se pranonte trupa. Thuhej se kishte çuar njerëz në internim e të tjerë në varr. Në korridore përflitej si një grua pa moral, por unë vura re diçka tjetër. Askush nuk e shikonte drejt në sy.
Një ditë, ndërsa prisja numrin tim, pashë një burrë të vjetër që u rrëzua para sportelit. Dosjet iu shpërndanë në dysheme si zogj të vrarë. Askush nuk lëvizi. Vetëm ajo doli nga zyra. U përkul ngadalë dhe nisi të mbledhë letrat. Në njërën prej tyre ishte një fotografi e zverdhur. Djali i plakut, me uniformë pune nga Miniera e Hekur Nikelit. Mbi fotografi ishte shkruar: “Po ju pres”.
Gruaja e sportelit e mbajti gjatë atë foto në dorë. Për herë të parë, fytyra iu çakordua.
- Sa vite? - pyeti.
- Tetëmbëdhjetë… - tha plaku.
Ajo heshti.
Pastaj, pa asnjë shpjegim, mori vulën dhe goditi dokumentin. Një goditje e thatë, si krismë revolveri. Të gjithë kthyen kokën. Plaku filloi të qante. Jo fort. Siç qajnë njerëzit që kanë harruar si bëhet. Atë çast kuptova diçka të tmerrshme. Ajo nuk ishte kurvë. Ishte roja e fundit e një ferri administrativ, ku njerëzit detyroheshin të shisnin dinjitetin për një copë lirie. Kur doli pushimi, e ndoqa pa e kuptuar pse. Në oborrin pas godinës, ajo ndezi një cigare dhe u mbështet te muri. Dukej më e vogël jashtë sportelit. Gati e padukshme.
- Të urrejnë shumë, - i thashë.
Ajo buzëqeshi lehtë.
- Njerëzit urrejnë derën kur nuk hapet.
- Dhe ti je dera?
- Jo, - tha. - Unë jam çelësi që ndryshket çdo ditë nga duart e tyre.
Pashë gishtat e saj. Ishin të nxirë nga boja e vulave. Papritur më pyeti: - E di pse më quajnë kurvë?
Nuk fola.
- Sepse nuk durojnë dot idenë që dikush ka pushtet mbi ikjen e tyre nga skëterra. Era lëvizi hirin e cigares. Në katin e tretë ra zilja dhe turma filloi të lëvizte përsëri si një kafshë e vetme pa kokë. Ajo e hodhi cigaren dhe u kthye drejt derës. Pastaj tha diçka që nuk e kam harruar kurrë: - Në këtë vend, biri im, njerëzit nuk poshtërohen kur japin trupin. Poshtërohen kur japin shpresën. Dhe hyri përsëri brenda, atje ku vulat vendosnin fatin e njerëzve më shpejt se Zoti.








Comments