Fatmir Terziu: Kur trazohet shqipja e shenjtë

Nuk dua ta trajtoj thjesht si një vështrim kritik mbi historinë e gjuhës, marrëdhëniet shqiptaro-serbe, por dhe mbi përgjegjësinë e filologjisë përballë interpretimeve të pambështetura shkencërisht. Kjo pasi, gjuha nuk është një pronë që mund të regjistrohet në një datë të caktuar, as një dëshmi historike që mund të shpallet e vërtetë vetëm përmes autoritetit të një akademiku. Ajo është një organizëm historik, një sistem shenjash, një trashëgimi e bartur nëpër breza, që ndryshon, pasurohet, përshtatet dhe ruan në strukturën e vet gjurmët e kohëve të ndryshme. Prandaj, kur flitet për lashtësinë e shqipes, nuk mund të mjaftojë as entuziazmi kombëtar, as një deklaratë televizive, as një përqindje e shkëputur nga konteksti i studimit gjuhësor. Kërkohet metodë, dokument, krahasim fonetik, analizë morfologjike, dëshmi historike dhe, mbi të gjitha, një dallim i prerë ndërmjet asaj që dihet, asaj që argumentohet dhe asaj që ende mbetet hipotezë.
Në këtë kuptim, si shkas marr në konisederatë studimin evitit 1904 të Henry Bradleyt, „The Making of English“, („Formësimi historik i gjuhës angleze“) (Londër: 1904) na ofron një pikënisje metodologjike veçanërisht të vlefshme. Në trajtimin e tij të marrëdhënieve ndërmjet anglishtes dhe gjermanishtes, Bradley nuk e mat historinë e një gjuhe me numrin e fjalëve të huazuara, por me prejardhjen, zhvillimin e rregullt të tingujve, strukturën gramatikore dhe dëshmitë e historisë së përbashkët. Ai vëren se një numër i madh fjalësh angleze dhe gjermane janë të afërta, por shpjegon se kjo afërsi nuk është rezultat i një huazimi të përgjithshëm nga njëra gjuhë te tjetra. Ajo buron nga një paraardhës i përbashkët, nga një gjuhë e rindërtuar prej filologëve përmes krahasimit sistematik. Kjo është një prej pikave më të rëndësishme të metodës historike: ngjashmëria nuk është vetvetiu provë huazimi; ajo mund të jetë dëshmi e një trashëgimie të përbashkët.
Bradley shkon më tej. Ai tregon se anglishtja moderne, ndonëse në leksikun e saj ka marrë një numër të madh fjalësh nga gjuhë të tjera, veçanërisht nga frëngjishtja dhe latinishtja, nuk e ka humbur prejardhjen e saj gjermanike. Këtu qëndron një dallim themelor ndërmjet historisë së fjalorit dhe historisë së gjuhës. Një gjuhë mund të ketë një fjalor të pasur me huazime, por të ruajë një bërthamë të qëndrueshme gramatikore dhe historike. Pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për të përcaktuar lashtësinë ose identitetin e shqipes duke numëruar fjalët e huazuara, pa shqyrtuar shtresëzimin e tyre, është metodologjikisht e mangët.
Kjo qasje duhet të shërbejë si pikënisje për një lexim kritik të veprës Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe, të Anila Omarit, si dhe për shqyrtimin e deklaratave publike që lidhen me historinë e shqipes. Nuk është fjala për të mohuar kontaktet gjuhësore shqiptaro-serbe, të cilat janë një realitet historik i studiuar nga albanologjia dhe sllavistika, por për të kërkuar që këto kontakte të trajtohen me të njëjtën disiplinë shkencore që Bradley zbaton në krahasimin anglisht-gjermanisht. Një gjuhë nuk mund të reduktohet në marrëdhëniet që ka pasur me fqinjët e saj, sikurse historia e një populli nuk mund të shkruhet vetëm përmes gjurmëve që kanë lënë mbi të popujt e tjerë.
Nga ngjashmëria te prejardhja: mësimi i Henry Bradleyt
Në The Making of English, Henry Bradley shpjegon se një studiues që fillon të mësojë gjermanishten vëren menjëherë ngjashmëritë me anglishten: Vater – father, Mutter – mother, Bruder – brother, Haus – house, Land – land, Stein – stone. Megjithatë, ai nuk ndalet te pamja e parë e fjalëve. Ai kërkon ligjet e përputhjes së tingujve, ndryshimet historike dhe marrëdhëniet e rregullta që e bëjnë të mundur të provohet prejardhja e përbashkët. Kjo është diferenca ndërmjet një vëzhgimi sipërfaqësor dhe një përfundimi filologjik.
Pikërisht këtu duhet të vendoset edhe analiza e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Kur një fjalë shqipe ka ngjashmëri me një fjalë serbe, studiuesi nuk duhet të nxitojë të shpallë huazimin pa përcaktuar më parë drejtimin e tij, periudhën historike, rrugën e përhapjes, zhvillimin fonetik dhe kuptimin në të dyja gjuhët. Në disa raste kemi huazime nga sllavishtja në shqipe; në raste të tjera, huazimet kanë ndodhur në drejtimin e kundërt, ndërsa në të tjera mund të kemi ndërmjetësime dialektore ose burime më të hershme të përbashkëta. Përfundimi duhet të dalë nga analiza, jo nga parapëlqimi.
Bradley na kujton gjithashtu se ndryshimi nuk është shenjë e mungesës së lidhjes historike. Anglishtja dhe gjermanishtja janë larguar nga njëra-tjetra gjatë shekujve, por ligjshmëria e ndryshimeve të tyre ka lejuar rindërtimin e lidhjeve të lashta. E njëjta logjikë vlen edhe për shqipen: fakti që ajo ka një zhvillim të veçantë fonetik e morfologjik nuk e bën më pak pjesë të familjes indoevropiane. Përkundrazi, pikërisht veçoritë e saj të dallueshme janë ndër argumentet që e bëjnë të mundur studimin e saj si një degë më vete.
Shqiptaro-serbishtja: kontakti nuk është zanafillë
Monografia e Anila Omarit, Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe (Botimet Albanologjike, Tiranë, 2012), meriton të trajtohet përmes përmbajtjes së saj reale dhe jo përmes interpretimeve që mund t'i bashkëngjiten në debatet televizive ose politike. Një vlerësim bibliografik i botuar në revistën Studime Filologjike më 14 qershor 2013, me autor Kolec Topallin, e paraqet këtë monografi si kontribut në albanologji dhe sllavistikë. Sipas përmbledhjes së tij, studimi shqyrton marrëdhëniet e hershme dhe të vona ndërmjet shqipes dhe serbishtes, duke përfshirë leksikun, gramatikën, sintaksën, fjalëformimin, fonetikën dhe toponiminë historike.
Ky përcaktim është i rëndësishëm, sepse një studim mbi marrëdhëniet ndërmjet dy gjuhëve nuk është automatikisht një studim që mohon prejardhjen e njërës prej tyre. Të analizosh huazimet, ndikimet fonetike, ndërveprimet leksikore dhe përshtatjet gramatikore nuk do të thotë të shpallësh një gjuhë si produkt të tjetrës. Këtu duhet bërë dallimi ndërmjet kontaktit gjuhësor dhe gjenealogjisë gjuhësore. I pari shpjegon ndikimet që një gjuhë ushtron ose merr gjatë bashkëjetesës me një tjetër; e dyta përcakton lidhjet e prejardhjes historike ndërmjet gjuhëve.
Nëse një fjalë shqipe është marrë nga serbishtja, kjo nuk e bën shqipen serbe. Nëse një fjalë serbe ka hyrë nga shqipja, kjo nuk e bën serbishten shqipe. Dhe nëse të dyja gjuhët kanë ruajtur elemente të një trashëgimie më të hershme indoevropiane, kjo kërkon një analizë të tretë, krejt të ndryshme nga analiza e huazimeve. Këto tri kategori nuk mund të shkrihen në një përfundim të vetëm pa cenuar vetë logjikën e filologjisë historike.
Një studim i Matthew C. Curtisit, Slavic-Albanian Language Contact: Lexicon, i botuar në revistën Slavia Centralis, e trajton pikërisht këtë çështje përmes teorive të huazimit dhe të kontaktit gjuhësor. Autori argumenton se ndikimi sllav në leksikun shqip ka qenë më i gjerë në shtrirje gjeografike dhe në sasi, por evidenton gjithashtu kontribute të shqipes në kategori të ndryshme leksikore, përfshirë emërtime farefisnie. Pra, tabloja nuk është një marrëdhënie e thjeshtë njëkahëshe, por një histori kontakti të gjatë, me intensitete dhe drejtime të ndryshme.
Këtu qëndron edhe rëndësia e një leximi të kujdesshëm të Omarit: sa herë që paraqitet një huazim, duhet të shpjegohet periudha, burimi, drejtimi, përhapja dhe përshtatja e tij. Një fjalë nuk mund të bëhet dëshmi e prejardhjes së një populli vetëm sepse gjendet në dy gjuhë me forma të afërta. Po kështu, një numër i madh huazimesh nuk mund të përdoret si provë e zhdukjes së identitetit gjenealogjik të gjuhës marrëse.
Për këtë arsye, pretendimi i përcjellë në materialin e mësipërm se 93 për qind e leksikut të shqipes qenka i huazuar duhet trajtuar me rezerva të veçanta. Në materialin që kemi në dispozicion nuk paraqitet tabela e llogaritjes, korpusi i fjalëve, kriteri i përzgjedhjes, etimologjitë dhe as ndarja ndërmjet huazimeve të drejtpërdrejta, huazimeve të ndërmjetësuara dhe trashëgimisë indoevropiane. Për më tepër, nuk kemi një citim të drejtpërdrejtë nga monografia që të vërtetojë se kjo përqindje është pohim i autores. Prandaj, nuk është shkencërisht e drejtë t'ia atribuojmë asaj si përfundim të provuar pa verifikuar tekstin përkatës.
Edhe në rast se një përqindje e tillë do të gjendej në ndonjë analizë leksikore, ajo do të kërkonte shpjegim të hollësishëm. Çfarë quhet fjalë e huazuar? A përfshihen fjalët ndërkombëtare? Po huazimet e vjetra që janë përshtatur plotësisht në fonetikën dhe morfologjinë shqipe? Po fjalët me prejardhje të diskutueshme? Dhe mbi të gjitha, a po flasim për një përqindje të fjalorit të një fjalori të caktuar apo për përdorimin real të fjalëve në një korpus të gjuhës?
Pa këto të dhëna, përqindja mbetet një shifër pa fuqi shpjeguese. Në gjuhësi, një numër nuk është argument vetëm sepse shprehet me saktësi matematikore.
Data e shkrimit nuk është data e lindjes së gjuhës
Një nga ngatërrimet më serioze në debatin publik për shqipen është barazimi i dëshmisë së parë të shkruar me lindjen e saj. Këto janë dy çështje krejt të ndryshme. Gjuha mund të ekzistojë për shekuj me radhë në komunikimin e përditshëm, në këngë, në kujtesën gojore dhe në organizimin shoqëror, përpara se të shfaqet në një dokument të shkruar. Për shqipen, dokumenti më i hershëm i njohur dhe i datuar është Formula e Pagëzimit e vitit 1462, e lidhur me emrin e Pal Engjëllit. Ajo përmban një fjali në gjuhën shqipe të përfshirë në një dokument kishtar të shkruar në latinisht. Më pas vjen Meshari i Gjon Buzukut, i vitit 1555, vepra e parë e madhe e njohur e shtypur në shqip. Këto data përcaktojnë historinë e dokumentimit të shqipes, jo zanafillën e saj.
Kjo është një çështje që Henry Bradley e sqaron me një metodë të admirueshme kur trajton periudhat e anglishtes. Ai dallon anglishten e vjetër, atë të mesme dhe anglishten moderne, por paralajmëron se nuk duhet imagjinuar sikur në një vit të caktuar një gjuhë zëvendësohet papritur nga një tjetër. Kufijtë kronologjikë janë mjete studimi, ndërsa zhvillimi i gjuhës është i vazhdueshëm.
Pikërisht ky është gabimi që duhet shmangur kur përmendet viti 1500 në lidhje me shqipen. Nëse dikush thotë se shqipja dëshmohet në dokumente të shkruara gjatë shekullit XV dhe se dokumentimi i saj bëhet më i plotë në shekullin XVI, ai është duke folur për historinë e shkrimit. Nëse thotë se shqipja ka lindur në vitin 1500, ai po bën një pohim krejt tjetër, për të cilin duhet të sjellë prova që nuk mund të nxirren nga data e një dorëshkrimi apo e një libri.
Për më tepër, vetë Bradley, në trajtimin e historisë së anglishtes, e vendos theksin te ndryshimet graduale dhe te rindërtimi i fazave të mëparshme të gjuhës. Kjo është pikërisht mënyra se si duhet të studiohet edhe shqipja: përmes dokumenteve të shkruara, krahasimit indoevropian, zhvillimeve fonetike, formave dialektore dhe analizës së shtresave leksikore.
Kështu, nuk ka asnjë arsye shkencore që mungesa e dokumenteve të shkruara të përdoret si dëshmi e mungesës së një gjuhe. Përndryshe, do të duhej të mohonim edhe historinë e shumë gjuhëve të tjera që kanë kaluar periudha të gjata të transmetimit gojor përpara se të dokumentoheshin.
Shqipja në familjen indoevropiane: trashëgimi dhe veçanti
Për të kuptuar drejt këtë çështje, duhet të rikthehemi te një e dhënë themelore e gjuhësisë historike: shqipja është një degë më vete e familjes indoevropiane. Kjo nuk është një tezë patriotike, por një klasifikim gjuhësor i mbështetur në krahasimin e strukturave dhe të zhvillimeve historike të saj. Ajo ka tipare që e dallojnë nga degët e tjera, ka zhvilluar sistemin e vet fonetik dhe gramatikor dhe ka përthithur gjatë historisë një numër të konsiderueshëm elementesh nga gjuhë të ndryshme.
Kapitulli për shqipen në veprën akademike The Indo-European Language Family: A Phylogenetic Perspective (Cambridge University Press, 2022), e trajton atë si degë të veçantë indoevropiane dhe vëren se dokumentimi i saj relativisht i vonë ka lënë ende paqartësi në rindërtimin e disa fazave të zhvillimit historik. Kjo është një vërejtje me rëndësi: mungesa e dëshmive të hershme nuk e anulon prejardhjen, por kufizon shkallën e sigurisë me të cilën mund të rindërtohen disa etapa të saj.
Në këtë pikë, duhet treguar kujdes edhe me identifikimin e drejtpërdrejtë të shqipes me ilirishten ose pellazgjishten. Hipoteza e lidhjes së shqipes me ilirishten ka një histori të gjatë në albanologji, por dëshmitë e pakta dhe fragmentare të gjuhëve të lashta të Ballkanit nuk lejojnë që çdo lidhje të shpallet përfundimisht e provuar. Edhe lidhja me pellazgjishten, në kuptimin e një gjuhe të rindërtuar dhe të dokumentuar drejtpërdrejt, nuk ka një bazë të mjaftueshme shkencore. Këtu qëndron një dallim që duhet mbrojtur me këmbëngulje: lashtësia historike e një populli nuk ka nevojë të mbështetet në çdo hipotezë të mundshme për t'u marrë seriozisht. Ajo që është e dokumentuar duhet të paraqitet si e dokumentuar; ajo që është e mundshme duhet të paraqitet si hipotezë; ajo që nuk provohet duhet të mos shndërrohet në të vërtetë të detyrueshme.
Një gjuhësi e përgjegjshme nuk ka frikë nga pyetjet. Përkundrazi, ajo fiton autoritet pikërisht kur i pranon kufijtë e njohjes dhe i shndërron ata në pikënisje të kërkimit të mëtejshëm.
Përballë trashëgimisë së vjetër filologjike
Në materialin e paraqitur nga studiuesi Prof Dr Eshref Ymeri përmenden Louis Benloew, Maurice Druon dhe disa referenca të tjera që lidhen me lashtësinë shqiptare. Këto burime kanë interes për historinë e mendimit mbi shqiptarët, por kërkojnë një dallim të kujdesshëm ndërmjet vlerës historike të një mendimi dhe fuqisë së tij si provë gjuhësore. Louis Benloew, në shekullin XIX, e trajtonte çështjen shqiptare në një kontekst filologjik dhe etnografik, duke u përpjekur të lidhte emra të përveçëm dhe tradita të lashta me shqipen. Ky është një dokument i rëndësishëm i historisë së albanologjisë franceze, por përfundimet e tij duhet të rivlerësohen sipas metodave të sotme të etimologjisë dhe të gjuhësisë historike. Një studiues i shekullit XIX nuk mund të përdoret si autoritet përfundimtar për çështje që kërkojnë verifikim me metoda të shekullit XXI.
Po kështu, thënia që i atribuohet Maurice Druonit për pjesëmarrjen e stërgjyshërve të shqiptarëve në Luftën e Trojës nuk duhet të paraqitet si provë historike. Referenca e dhënë në material është një publikim në Facebook dhe jo një botim kritik apo dokument origjinal i Akademisë Franceze. Kjo nuk e përjashton mundësinë që Druon të ketë shprehur një mendim të tillë, por e bën të domosdoshëm verifikimin e burimit, kontekstit dhe formulimit origjinal. Edhe citimi i një enciklopedie greke për pellazgët nuk e zgjidh çështjen e prejardhjes së shqipes. Një pohim enciklopedik për një popullsi parahistorike nuk është automatikisht provë e vazhdimësisë së një gjuhe të caktuar deri në ditët tona. Për këtë duhen lidhje gjuhësore të identifikueshme dhe dokumentacion i krahasueshëm. Kjo mënyrë e trajtimit nuk e dobëson aspak interesin për historinë shqiptare. Përkundrazi, e mbron atë nga argumentet e pambështetura që mund të përdoren lehtësisht kundër saj.
Fjala e Prof. Dr. Eshref Ymerit mbart një vlerë të veçantë pozitive, sepse buron nga një vetëdije e konsoliduar intelektuale, nga përkushtimi ndaj së vërtetës historike dhe nga dashuria për gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar. Ajo nuk është thjesht një qëndrim kundërshtues ndaj një deklarate apo interpretimi, por një thirrje për të mos e shkëputur kërkimin shkencor nga përgjegjësia kombëtare dhe kulturore. E çmoj këtë reagim për guximin e shprehjes, për shqetësimin që përcjell dhe për nxitjen që i bën debatit të mbështetet në dokumente, argumente dhe respekt ndaj trashëgimisë sonë. Pikërisht kur intelektualët flasin me bindje, përvojë dhe përgjegjësi, fjala e tyre bëhet një kontribut i vyer në mbrojtjen e dinjitetit të gjuhës shqipe.
Akademia dhe përgjegjësia e fjalës shkencore
Çështja që ngrihet nga deklarata publike e akademikut Valter Memisha, siç përcillet në materialin e paraqitur, nuk duhet trajtuar me etiketime personale apo me kundërpërgjigje politike. Ajo duhet vendosur në një terren shumë më serioz: çfarë nënkuptohet kur thuhet se një gjuhë e ka zanafillën në një vit të caktuar? Nëse është fjala për dokumentimin e parë, duhet përmendur viti 1462 dhe Formula e Pagëzimit. Nëse është fjala për dëshminë e parë të një vepre të madhe të shtypur, duhet përmendur viti 1555 dhe Meshari. Nëse është fjala për formimin historik të shqipes, atëherë kërkohet një diskutim tjetër, që përfshin periudhat parahistorike, gjuhën proto-shqipe dhe zhvillimin e saj brenda familjes indoevropiane.
Këto nuk janë sinonime. Ngatërrimi i tyre në një studio televizive mund të krijojë konfuzion publik, por nuk mund të zëvendësojë argumentimin akademik. Po aq e rëndësishme është që institucionet shkencore të jenë të hapura ndaj kritikës. Një monografi nuk bëhet e paprekshme vetëm sepse botohet nga një institucion akademik, por as nuk bëhet e pavlefshme vetëm sepse dikush e kundërshton nga pozita të tjera ideologjike. Ajo duhet të lexohet, të analizohet, të krahasohet me burimet dhe, nëse është e nevojshme, të kundërshtohet me argumente të verifikueshme. Akademia nuk është tribunë e identiteteve politike, por institucion i dijes. Detyrimi i saj nuk është të prodhojë përfundime që kënaqin ndjeshmëritë e njërit apo tjetrit grup, por të mbrojë standardet e kërkimit, transparencën e burimeve dhe të drejtën e debatit shkencor.
Një gjuhë që ka kaluar nëpër shekuj kontaktesh nuk duhet paraqitur si e paprekur nga ndikimet e jashtme. Por as ndikimet nuk mund të përdoren për t'i mohuar asaj individualitetin historik. Ky është thelbi i çështjes.
Kur trazohet shqipja e shenjtë
Shqipja është e shenjtë jo sepse duhet vendosur jashtë çdo shqyrtimi, por sepse përmes saj janë ruajtur kujtesa, përvoja, emërtimet, këngët, rrëfimet, ligjërimi dhe mënyra se si brezat kanë kuptuar botën. Shenjtëria e saj nuk qëndron në mungesën e huazimeve, por në vazhdimësinë e një tradite gjuhësore që ka ditur të përthithë, të përshtatë dhe të krijojë. Ajo nuk ka nevojë për mbrojtës që t'i shpikin një histori të pakundërshtueshme, por për studiues që dinë të dallojnë të vërtetën nga dëshira për të vërtetën. Nuk ka nevojë për mburoja ideologjike, por për gramatika, fjalorë historikë, botime kritike, korpuse dokumentare dhe studime krahasuese. Nuk ka nevojë për një lashtësi të shpallur me zë të lartë, por për një lashtësi të hulumtuar me durim.
Në këtë kuptim, Henry Bradley mbetet një pikë referimi metodologjike. Kur shpjegon se anglishtja, megjithëse ka përthithur mijëra fjalë nga frëngjishtja, latinishtja dhe greqishtja, ruan një strukturë historike gjermanike, ai na jep një mësim që tejkalon rastin e anglishtes. Gjuha nuk përcaktohet vetëm nga fjalët që ka marrë, por edhe nga ato që ka trashëguar, nga mënyra se si i ka zhvilluar dhe nga sistemi që i lidh ato në një tërësi.
Për këtë arsye, krahasimi i shqipes me serbishten duhet të jetë një krahasim i hapur, i thellë dhe i ndershëm. Ai duhet të evidentojë huazimet sllave, ndikimet shqiptare, shtresat e përbashkëta ballkanike dhe trashëgiminë më të vjetër indoevropiane, pa i ngatërruar këto kategori dhe pa i shndërruar marrëdhëniet gjuhësore në pretendime politike. Nëse një përfundim nuk mbështetet nga ligjet fonetike, nga morfologjia, nga kronologjia dhe nga dokumentacioni, ai duhet rishikuar, pavarësisht se kush e ka formuluar.
Dhe këtu qëndron edhe përgjegjësia e atyre që flasin në emër të dijes. Një deklaratë publike mund të zgjasë disa minuta, por pasojat e saj në vetëdijen kulturore të një shoqërie mund të zgjasin shumë më tepër. Kur një akademik flet për zanafillën e shqipes, ai nuk flet vetëm për një term gjuhësor. Ai prek një çështje që kërkon saktësi të jashtëzakonshme, sepse historia e gjuhës është njëkohësisht histori e kujtesës dhe e identifikimit njerëzor.
Shqipja nuk trazohet nga studimi, nga krahasimi apo nga zbulimi i huazimeve të saj. Ajo trazohet kur studimi zëvendësohet me deklaratën, kur përqindja zëvendëson argumentin, kur dokumenti ngatërrohet me zanafillën dhe kur historia bëhet pronë e bindjeve personale. Një gjuhë e gjallë nuk ka frikë nga e vërteta, sepse e vërteta nuk ia pakëson lashtësinë, por ia ndriçon më mirë rrugën.
Shqipja nuk ka nevojë të shpallet e lashtë për të qenë e tillë. Ajo ka nevojë të studiohet aq thellë, sa lashtësia, zhvillimi dhe veçantia e saj të flasin përmes dëshmive. Dhe kur dëshmitë flasin, asnjë studio televizive, asnjë përqindje e paverifikuar dhe asnjë paragjykim nuk mund të zërë vendin e shkencës.
Referenca shkencore dhe bibliografike:
Bradley, Henry. The Making of English. Oxford, 1904. Veçanërisht kapitujt I, II dhe III. Teksti i plotë i veprës.
Omari, Anila. Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe. Botimet Albanologjike, Tiranë, 2012.
Topalli, Kolec. Recension për monografinë e Anila Omarit, Studime Filologjike, 2013, f. 237–240. Recensioni bibliografik.
Curtis, Matthew C. “Slavic-Albanian Language Contact: Lexicon”, Slavia Centralis, 5(2), f. 5–20. Studimi mbi kontaktet leksikore.
The Indo-European Language Family: A Phylogenetic Perspective. Cambridge University Press, 2022, kapitulli 13: Albanian. Kapitulli shkencor mbi shqipen.
Mansaku, Seit. “Tradita e shkrimit të shqipes dhe Formula e Pagëzimit”, Studime Filologjike, 2007, nr. 3–4, f. 27–34. Studimi mbi dokumentimin e shqipes.








Comments