top of page

Fatmir Terziu: Kur librat hidhen në det, turpi mbetet në tokë

  • 1 day ago
  • 4 min read

 

Unë nuk e kam takuar ndonjëherë Sazan Gurin. Nuk kam pasur miqësi me të, nuk kemi ndarë tryeza, debate apo udhëtime. E kam ndjekur në media, e kam parë në televizion, e kam dëgjuar në intervista. Disa kohë më parë më kishte komunikuar edhe me e-mail, duke më kërkuar të isha pjesë e një projekti të tij. Komunikimi ynë mbeti aty. Vetëm kaq. Por ajo që dëgjova tani në Sarandë më preku thellë. Jo sepse bëhet fjalë për Sazan Gurin si individ, por sepse bëhet fjalë për librin, autorin dhe dinjitetin e fjalës së shkruar.

Sipas rrëfimit të Gurit, librat që kishte nxjerrë për prezantim dhe shitje në Shëtitoren e Sarandës janë marrë dhe hedhur në det. Ai e ka përjetuar këtë akt me dhimbje të dukshme dhe është shprehur: “Më mirë të më kishin vrarë. Nuk më mposhtin dot.” Nëse ajo që është raportuar është e saktë, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me disa libra të dëmtuar. Nuk është thjesht një humbje ekonomike. Nuk është një incident që duhet të kalojë në kronikën e ditës dhe të harrohet nesër. Kemi të bëjmë me një akt që prek një kufi shumë më të madh: si sillemi ne me mendimin që nuk na pëlqen?

Mendja ime shkoi menjëherë te një kohë tjetër, te regjimet absurde që i dënonin librat e padëshiruar, i hiqnin nga qarkullimi, i mbyllnin në magazina, i zhduknin nga bibliotekat dhe, në raste të tjera të historisë, i digjnin. Librat kanë qenë gjithmonë një nga objektivat e para të mendësisë që kërkon të kontrollojë mendimin. Sepse libri nuk është vetëm letër dhe bojë. Libri është dëshmi. Është kujtesë. Është kundërshtim. Është një mënyrë për t'i thënë kohës: unë kam menduar dhe kam lënë gjurmë. Prandaj, kur dikush merr librat e një autori dhe i hedh në det, pyetja nuk është vetëm: Kush i hodhi? Pyetja më e madhe është: Çfarë kulture po ndërtojmë ne kur libri trajtohet si mbeturinë?

Mund të mos na pëlqejë Sazan Guri. Mund të mos biem dakord me idetë e tij, me mënyrën si argumenton, me qëndrimet e tij publike apo me ndonjë prej shkrimeve të tij. Kjo është krejt normale. Një shoqëri e lirë nuk kërkon që ne të mendojmë njësoj. Përkundrazi, ajo jeton pikërisht nga e drejta për të kundërshtuar. Librin mund ta kritikosh. Autorin mund ta kundërshtosh. Idetë mund t'i rrëzosh me argumente. Por librin nuk e hedh në det. Sepse në çastin kur ne vendosim se një libër duhet të zhduket vetëm sepse autori i tij nuk na pëlqen, nuk kemi goditur më vetëm autorin. Kemi goditur vetë parimin e debatit. Dhe këtu është pjesa më e trishtë e kësaj historie: deti nuk i mbyt vetëm librat. Ai i merr me vete edhe gjurmët e një pune. Një autor mund të ketë kaluar muaj apo vite duke shkruar, mbledhur materiale, menduar, redaktuar, botuar. Dikush tjetër mund ta përmbledhë gjithë këtë në disa sekonda duke i marrë librat dhe duke i hedhur në ujë.

Kjo është një dhunë simbolike ndaj punës intelektuale. Nuk po them se çdo libër është domosdoshmërisht një libër i mirë. Asnjë autor nuk është mbi kritikën. Përkundrazi, autori që boton duhet të jetë i gatshëm të përballet me lexuesin, kritikën, kundërshtimin dhe edhe refuzimin. Por përgjigjja ndaj një libri është një libër tjetër, një artikull tjetër, një argument tjetër, një debat tjetër. Jo deti. Saranda është një qytet turistik, një qytet i hapur, një qytet që pret njerëz nga shumë vende. Në një hapësirë të tillë, libri duhet të jetë pjesë e peizazhit kulturor, jo një objekt për t'u përzënë nga hapësira publike. Shëtitorja duhet të jetë vend ku takohen njerëzit, idetë, kultura dhe fjala. Nëse një autor nxjerr librat e tij në një shëtitore, ne mund të ndalojmë, t'i shohim, t'i blejmë ose të vazhdojmë rrugën. Kjo është liria.

Por nëse dikush vendos se ai autor nuk duhet të jetë aty dhe merr librat e tij për t'i hedhur në det, atëherë kemi kaluar nga mospajtimi te përçmimi, nga kritika te dhuna simbolike. Dhe këtu, sinqerisht, unë ndiej turp. Jo për Sazan Gurin. Për ata që mund ta kenë bërë. Sepse një shoqëri që pretendon se është demokratike duhet të dijë të durojë edhe zërin që nuk i pëlqen. Një shoqëri që e quan veten kulturore duhet ta mbrojë librin edhe kur libri nuk i përket autorit të saj të preferuar. Sot janë librat e Sazan Gurit. Nesër mund të jenë librat e një tjetri. Pasnesër mund të jetë një gazetë, një revistë, një pikturë, një film, një mendim.

Dhe historia na ka mësuar diçka të thjeshtë: kur fillon ndalimi i mendimit, askush nuk e di se ku do të ndalet ai. Prandaj, në vend që të pyesim nëse na pëlqen apo jo Sazan Guri, duhet të pyesim veten nëse duam një shoqëri ku librat hidhen në det. Unë nuk e dua. Dhe besoj se askush që e respekton librin, autorin dhe lirinë e mendimit nuk duhet ta dojë. Sepse deti mund t'i marrë librat. Por nuk duhet të na marrë edhe dinjitetin.

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page