Fatmir Terziu: Kur koha prek kohën e shkrimit
- 52 minutes ago
- 6 min read

Kur koha prek kohën e shkrimit
Herën e tretë trokita në të njëjtën derë. Nuk ishte thjesht një trokitje mbi dru, ishte një trokitje mbi fatin e një dorëshkrimi. Shkallët që të çonin në atë godinë atë ditë m’u dukën më të pjerrëta se zakonisht. Ndoshta nuk ishin shkallët që kishin ndryshuar, por pesha e pritjes. Çdo autor e njeh atë ndjesi, dorëshkrimi në dorë duket më i rëndë se vetë trupi. Kryeredaktori, Mefail Pupuleku, njëherazi edhe zëvendëskryetar i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, ma kishte dhënë fjalën se tregimi do të botohej. Premtimi ishte bërë. Por ndonjëherë koha nuk ndryshon vetëm kalendarin, ajo ndryshon edhe njerëzit. Kur hyra në zyrën e tij, nuk isha vetëm. Më shoqëronte gjyshi im nga nëna, njeri që ai e njihte mirë. Ishin kushërinj të afërt. Por ai dinte edhe diçka tjetër. Gjyshi kishte qenë i dënuar nga sistemi. Në çast, premtimi u tret.
- Nuk do të botohet, - më tha shkurt.
Nuk ishte tregimi që po refuzohej. Ishte hija e biografisë që vazhdonte të ndiqte njerëzit edhe kur fjala kërkonte të ishte e lirë. Në ato vite, shpesh nuk lexohej dorëshkrimi, lexohej mbiemri i autorit. Me dorëshkrimin në dorë trokita te redaktori Dritan Çerma. Ai e mori, e shfletoi dhe buzëqeshi lehtë.
- “Drejtori u transferua”… ta ka botuar Bujari.
Për një çast mbeta pa fjalë. Mendova se mos, pa e ditur, po i bëja padrejtësi atij që më kishte hapur derën e parë. Me Bujarin sapo kishim filluar të njiheshim. Nuk ishim ende miq. Flisnim pak, me atë rezervën e natyrshme që kanë njerëzit kur ende peshojnë njëri-tjetrin. Ai punonte gazetar dhe fakti që ishte pjesë e gazetës “Shkumbini”, në kohën kur unë isha student, më shtynte ta kërkoja herë pas here. Nuk më detyrohej për asgjë. Megjithatë, pa zhurmë, pa bujë, ai u bë botuesi i tregimit tim të parë.
Sa autorë të mëdhenj kanë njohur një dorë të tillë! Thuhet se pa Maxwell Perkinsin, ndoshta bota nuk do ta kishte njohur as Ernest Hemingwayn, as F. Scott Fitzgeraldin, as Thomas Wolfein në formën që njohim sot. Asnjë libër nuk lind vetëm nga pena, shpesh ai lind edhe nga guximi i një redaktori që vendos të besojë tek autori kur të tjerët hezitojnë. Historia e letërsisë është, në njëfarë mënyre, edhe historia e njerëzve që dinë të thonë “po” në çastin kur të gjithë të tjerët thonë “jo”.

Pas asaj dite, kryeredaktori nuk më foli më. Nuk e di nëse kishte frikë nga unë. Besoj se kishte frikë nga koha. Ishte një kohë kur shumë njerëz nuk i bindeshin ndërgjegjes, por kalendarit politik. Vite më vonë e takova rastësisht në Tiranë. Ishte ulur në një lokal, duke pirë kafe me Hasan Ademin, burrin e tezes sime. Hasani ishte atëherë anëtar i Plenumit të Komitetit të Partisë së Rrethit dhe drejtonte sektorin e ndërtim-komunikacionit. Unë jetoja në shtëpinë e tyre, sepse nuk kishin fëmijë dhe dëshira e tyre ishte që një ditë të mbetesha pranë tyre. Kur më pa aty, Mefaili ishte krejt tjetër. Fjalët iu zbutën, buzëqeshja iu kthye. Ishte i njëjti njeri, por një kohë tjetër.
Atëherë kuptova se koha nuk provon vetëm shkrimtarët, ajo provon edhe karakteret. Disa njerëz ecin përpara kohës së tyre. Disa ecin pas saj. E disa nuk ecin fare, por presin të shohin nga fryn era. Ky ishte një mësim që nuk ma dha universiteti. Ma dha jeta. Dhe pikërisht ai mësim ma shtoi respektin për Bujarin. Sepse ai nuk pyeti se nga vija, as kë kisha gjysh. Ai pa vetëm dorëshkrimin. Vite më vonë, në demokraci, duke udhëtuar drejt Tiranës, këtë histori ia tregova vëllait të tij, i cili punonte shofer në Bashkinë e Tiranës. Miku im Faja buzëqeshi me atë qetësinë që e karakterizon.
- Kështu jemi ne vëllezërit, - tha.
Nuk kishte mburrje në ato fjalë. Kishte thjesht natyrshmëri. Folëm gjatë për ta, për Profesor Ferid Hudhrin dhe për shumë njerëz të tjerë që kishin ditur të mbeteshin vetvetja pavarësisht kohëve. Miqësia jonë lindi pa marrëveshje, pa interesa dhe pa kërkuar favore. Nga larg u bëmë miq. Dhe ndoshta pikërisht kjo është forma më e pastër e miqësisë, ajo që nuk kërkon hapësirë, por krijon afërsi, ajo që nuk kërkon shpërblim, por lë kujtesë, sepse, në fund, koha nuk mban mend vetëm librat që janë botuar. Ajo mban mend edhe njerëzit që patën guximin t’i botonin.
Vite më vonë, këtë histori e përmenda në një nga ato pasditet e bukura të bisedave për letërsinë, në lokalin “Piaca del Solo”, në zemër të Elbasanit. Rreth tavolinës ishin mbledhur shkrimtarë, studiues e intelektualë: Bahri Myftari, Lazër Stani, Zyhdi Morava, Bujar Hudhri, Isa Kreka, Ahmet Mehmeti e miq të tjerë të fjalës.
E ndërsa rrëfeja atë episod të largët, kuptova se koha kishte kapërcyer kohën. Njerëzit ishin thinjur, Shqipëria kishte ndryshuar, censura kishte mbetur një kujtim i hidhur, por kujtesa vazhdonte të sillte përpara fytyrat e atyre që, në çastet vendimtare, kishin zgjedhur të ishin në anën e librit. Bujari ndërkohë kishte ndjekur një rrugë krejt tjetër. Ai nuk mbeti vetëm gazetari që botoi tregimin tim të parë. Me themelimin e shtëpisë botuese “Onufri”, ai u shndërrua në një nga figurat më të rëndësishme të botimeve shqiptare, botuesi që lidhi emrin e tij me veprën e Ismail Kadaresë dhe me dhjetëra autorë të tjerë që formësuan bibliotekën shqiptare të dekadave të fundit.
Por, pavarësisht suksesit, një gjë nuk ndryshoi kurrë: ai nuk i la pas miqtë. Disa njerëz, kur u rritet emri, zvogëlojnë rrethin e tyre. Bujari bëri të kundërtën. Ai e zgjeroi botën e librit pa ngushtuar botën e njerëzve. Gjithmonë kam menduar se një botues nuk matet vetëm me numrin e titujve që nxjerr në qarkullim, por me hapësirën që u krijon autorëve dhe lexuesve. Në këtë kuptim, Bujar Hudhri ishte njeriu që krijoi më shumë hapësirë për librin se kushdo tjetër në kohën tonë. Ai nuk botoi vetëm libra; ai ndërtoi ura mes shkrimtarëve dhe lexuesve, duke dëshmuar se dashuria për letërsinë nuk është profesion, por mënyrë jetese.
Dhe atë pasdite, në “Piaca del Solo”, ndërsa biseda rridhte mes kujtimeve, librave dhe emrave që i kishte ruajtur koha, mendova se ndoshta kjo është fitorja më e madhe e njeriut: të mos mbahet mend vetëm për atë që ka shkruar apo botuar, por për dyert që ka hapur për të tjerët.
Në të vërtetë, Bujar Hudhri nuk ishte vetëm botues. Ai ishte një nga ata njerëz që e kuptoi se liria e shtypit nuk fitohet me slogane, por me praktikë të përditshme.
Në Elbasan ai dha një leksion të heshtur demokracie me gazetën “Fjala e Lirë”. Së bashku me stafin e tij, ai e shndërroi atë në një model të gazetarisë së pavarur, ku fjala nuk matej me interesat e ditës, por me përgjegjësinë ndaj së vërtetës. Për një kohë, gazeta u bë një tribunë e mendimit të lirë, një dritare ku mund të hynte ajri i demokracisë së sapolindur. Më vonë, siç ndodh shpesh me institucionet që krijojnë identitet, erdhën të tjerë me një filozofi tjetër drejtimi dhe një pjesë e atij shpirti të lirë nisi të cungohej. Ishte një tjetër provë se liria nuk fitohet njëherë e përgjithmonë; ajo duhet mbrojtur çdo ditë.
Më pas Bujari krijoi një tjetër pikë referimi me gazetën “Ku vemi…?”, një titull që në vetvete ishte një pyetje drejtuar shoqërisë shqiptare. Nuk ishte vetëm emri i një gazete, por një mënyrë për të sfiduar ndërgjegjen e kohës. Kur u vendos në Tiranë me shtëpinë botuese “Onufri”, shumëkush mendoi se ai kishte lënë pas gazetarinë. Në të vërtetë, ai vetëm e kishte zgjeruar misionin e tij. Nga faqet e gazetës kaloi te libri, duke ndërtuar një nga katalogët më të rëndësishëm të botimeve shqiptare dhe duke e kthyer “Onufrin” në një institucion të kulturës sonë.
Edhe sot, me gazetën kulturore “ExLibris”, ai vazhdon të mbrojë të njëjtin parim që e ka shoqëruar në çdo etapë të jetës: respektin për librin, për autorin dhe për fjalën e lirë. Kanë ndryshuar kohët, kanë ndryshuar formatet, kanë ndryshuar teknologjitë, por jo Bujari. Ai mbetet i njëjti në punë dhe në fjalë, i matur në gjykim, korrekt në marrëdhënie dhe besnik ndaj misionit të tij kulturor. Ndoshta kjo është arsyeja pse emri i tij lidhet natyrshëm me besueshmërinë. Sepse në fund nuk janë vetëm librat që e bëjnë një botues të madh; është karakteri me të cilin ai i shërben librit.








Comments