Fatmir Terziu: KRYEVEPËR
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 24
- 1 min read

Fatmir Terziu:
KRYEVEPËR
Shkula barishte, gjëmbaçë, radhiqe, ferra,
u luta me muaj të të kem në kopshtin tim,
mbeta një sy nga dritarja, e një nga dera,
me dashurinë për ty, pagëzova fatin tim.
Dashuria u deh nga bukuria jote e paparë,
i priste stinët me një drithmë në shpirt,
vinte pranvera, e të puthja bulzën e parë,
afrohej vjeshta, zverdhjen e ndjeja në mish.
Dy të tjerat: vera e thatë, dhe dimri acar,
mbetën një vegim i perceptimit tënd,
që kur të pashë ty për herë të parë,
përditë e më shumë po më çmënd.
Kam vite që kërkoj të gjej një emër,
ti them kopshtit: - Kjo është e veçantë!
Po trazoj mendjen, por thjesht në zemër,
vetëm një përceptim e kam të saktë.
Larg stinëve, dhe përtej ligjeve të natyrës,
dua të bëj një projekt jo më në letër,
të pikturoj në sy nurin tënd të fytyrës,
që të quhet mes luleve si kryevepër.









Faleminderit ! Nga ju lexojme safi POEZI !
Një lirikë e ëmbël që ka dalë nga shpirti. Vetëm urime!
Rrallë na ndodh të lexojmë poezi të tilla si KRYEVEPËR e poetit të mirënjohur Terziu.
E fshehta nuk duket, e dukshmja bëhet e fshehtë e mbushur me ndjenja të holla dhe mendime të thella. Kjo është e bukura e kësaj poezie që na rrëmben dhe na bën për vete emocionalisht. Suksese të tjera.
Athinë, 24- 9- 2025.