top of page

Fatmir Terziu: Krishtlindja në rrugën e fundit të portit

1 day ago
11 min read

Krishtlindja në rrugën e fundit të portit

 

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Në prag të Krishtlindjeve të vitit 2005, kur mjegulla e Kanalit të La Manshit kishte filluar të zbriste mbi çatitë e Portsmouthit dhe dritat e zbukurimeve festive pasqyroheshin në asfaltin e lagur të Queen Street, Arben Kodra po ecte pa ndonjë destinacion të caktuar. Kishte veshur një palë xhinse të errëta, një pallto të vjetër prej kamoshi, që e kishte blerë disa vite më parë në një dyqan të përdorur në Southsea, dhe një shall leshi të kuq, të cilin ia kishte dërguar e motra nga Elbasani. Në xhepin e djathtë mbante një Nokia 3310 me ekranin gati të palexueshëm, ndërsa në të majtin disa monedha që i kishin mbetur nga pagesa e fundit në një magazinë pranë portit. Portsmouthi kishte një mënyrë të veçantë për t'i mbajtur njerëzit pranë detit edhe atëherë kur ata përpiqeshin të largoheshin prej tij. Në këtë qytet, historia nuk qëndronte vetëm në muze, në anijet e vjetra, apo në monumentet kushtuar marinarëve të rënë. Ajo ishte e pranishme në aromën e kripur që vinte nga bregu, në zhurmën e zinxhirëve të ankorimit, në bilbilat e trageteve dhe në fytyrat e burrave që kishin kaluar gjysmën e jetës duke pritur kthimin e dikujt.

Arbeni kishte ardhur në Angli në vitin 1998. Fillimisht kishte punuar në një lavazh makinash në Croydon, pastaj në një kompani ndërtimi në Reading dhe, më në fund, përmes një njohjeje të vjetër, kishte përfunduar në Portsmouth, ku për disa kohë kishte punuar në një ndërmarrje që merrej me mirëmbajtjen e objekteve të kantierit detar. Përpara se të largohej nga Shqipëria, kishte menduar se emigrimi ishte një udhëtim drejt një jete tjetër. Tani e kuptonte se ndonjëherë njeriu ndërron vetëm adresën, ndërsa vetminë e merr me vete, të paketuar në të njëjtat valixhe.

Atë mbrëmje vendosi të hynte në një lokal të vjetër në Broad Street, në një rrugicë që zbriste drejt lagjes historike të Old Portsmouth. Lokali quhej The Last Anchor, një ndërtesë e ulët me tulla të kuqe, dritare të vogla dhe një tabelë druri ku ishte pikturuar një spirancë e ndryshkur. Në vitet e mëparshme aty mblidheshin punëtorë të kantierit, ish-marinarë të Marinës Mbretërore, shoferë taksish dhe njerëz që nuk kishin ndonjë arsye të veçantë për të shkuar në shtëpi para mesnatës.

Përpara hyrjes, nën strehën e një dyqani të mbyllur, rrinte një burrë i moshuar me një kitarë akustike. Quhej Walter Higgins dhe dikur kishte kënduar në lokalet e Southamptonit. Tani ishte bërë një pjesë pothuajse e pandashme e Broad Street. Kishte përpara një kuti të vjetër biskotash Huntley & Palmers, ku kalimtarët hidhnin ndonjë monedhë, ndërsa ai këndonte këngë detarësh, këngë dashurie dhe, kur nuk i kujtohej teksti, improvizonte vargje për motin anglez. Atë mbrëmje po këndonte një këngë të tijën, të cilën e kishte titulluar Christmas at the Last Anchor.

 

Marinarët kthehen kur bie nata,

me xhepa bosh e zemra të ngrira,

Portsmouthi ndez dritat nëpër rrugë,

por jo çdo dritare pret të dashurit e saj.

 

Në tavernë ka birrë dhe zhurmë,

në rrugë ka shi dhe këmbë të lodhura,

dhe Krishtlindja vjen për të gjithë,

veç atyre që kanë humbur adresën e shtëpisë.

 

Disa hapa më tutje, tre të rinj me xhaketa të zeza po përpiqeshin të ngjisnin një biçikletë të vjetër mbi kofanon e një Ford Escorti të kuq. Njëri prej tyre, një marinar anglez i quajtur Stephen Miller, i cili kishte pirë dukshëm më shumë sesa i lejonte uniforma e shërbimit, po këmbëngulte se mund të ecte mbi makinën pa prekur tokën. Shoqëruesit e tij qeshnin, ndërsa një grua që po nxirrte qenin për shëtitje kishte ndaluar dhe po i shikonte me atë shprehjen tipike të anglezëve që nuk duan të përfshihen në punët e të tjerëve, por nuk dëshirojnë as të humbasin spektaklin.

Arbeni buzëqeshi. Portsmouthi kishte arritur t'i bënte edhe çmenduritë e njerëzve të dukeshin si pjesë e dekorit të Krishtlindjeve. Ai shtyu derën e rëndë të The Last Anchor dhe hyri brenda. Në lokal po zhvillohej një debat që kishte kaluar prej kohësh kufijtë e një bisede të zakonshme. Në njërën anë ishin katër punëtorë anglezë të kantierit detar, ndërsa në anën tjetër qëndronin dy shqiptarë, Ilir Dervishi dhe Besnik Leka, të cilët punonin në një kompani që merrej me riparimin e motorëve të anijeve. Një karrige ishte rrëzuar, një gotë kishte përfunduar nën pianon elektrike dhe një burrë me jelek të gjelbër përpiqej të bindte të pranishmit se gjithçka kishte filluar për shkak të një basti prej pesë paundësh. Në atë çast, një zë femëror u dëgjua nga pas banakut:

- A mund të më shpjegojë dikush pse burrat, sapo mbushin dy gota, fillojnë të sillen sikur kanë marrë me qira gjithë qytetin?

Arbeni e njohu menjëherë zërin. Ishte Margaret Collins, të cilën të gjithë e thërrisnin Maggie. Ajo kishte punuar aty për më shumë se dhjetë vjet dhe dinte pothuajse gjithçka për klientët e lokalit, përveç arsyeve pse ata vazhdonin të ktheheshin. Ishte një grua rreth të dyzetave, me flokë të shkurtër ngjyrë gështenjë, sy të kaltër dhe një mënyrë të drejtpërdrejtë të të folurit, që nuk linte shumë hapësirë për keqkuptime.

- Arben! - thirri ajo, duke e njohur përtej tavolinave.

Ai u afrua te banaku.

- Maggie, mendova se do të të gjeja në shtëpi sonte.

- Në shtëpi? Në prag të Krishtlindjeve? Këtu është shtëpia ime e dytë. E para është aq e vogël sa nuk mund të futem bashkë me pemën.

Të dy qeshën. Maggie i përgatiti një gotë birrë dhe e pyeti për punën, për familjen dhe për Elbasanin. Arbeni iu përgjigj shkurtimisht. Nuk kishte dëshirë të fliste shumë për veten. Në disa raste, njerëzit pyesin për familjen vetëm nga mirësjellja, por Arbeni kishte mësuar se pyetjet më të zakonshme mund të hapnin dyer që nuk ishte gjithmonë i gatshëm t'i kalonte.

- Po Luani? - e pyeti Maggie. - Nuk është më me ju në kantier?

- Jo. Luani është kthyer në Shqipëri. I kishte premtuar nënës se do të shkonte për Krishtlindje. Ka gati tre vjet pa e parë.

- E bëri mirë, - tha ajo. - Njeriu duhet të dijë edhe kur të ndalojë së punuari.

Nga tavolina pranë dritares u dëgjua një zhurmë e fortë. Një burrë i shkurtër, me flokë të zinj dhe mustaqe të holla, kishte goditur me pëllëmbë tryezën.

- Unë nuk e pranoj! Nuk e pranoj dhe pikë!

Maggie mbylli sytë për një çast.

- Oh, jo! Vetëm jo përsëri!

Burri quhej Sokol Prenga, por në The Last Anchor askush nuk e përdorte emrin e tij të plotë. Të gjithë e njihnin si Koli. Ishte mekanik në një kompani që mirëmbante mjete lundruese pranë HM Naval Base Portsmouth. Kishte ardhur nga Shkodra në vitin 1999 dhe, megjithëse ishte vetëm një metër e pesëdhjetë e pesë centimetra i gjatë, sillej sikur të ishte njeriu më i rrezikshëm në të gjithë portin. Koli kishte një dobësi të çuditshme. Nuk duronte dot kur dikush i kujtonte se ishte i shkurtër. Madje, nëse një person i kërkonte të merrte diçka nga rafti i sipërm, ai e konsideronte këtë një provokim personal. Por problemi i tij i vërtetë kishte filluar në muajin shtator, kur një dentist i National Health Service, pas disa vizitave dhe analizave, i kishte shpjeguar se një infeksion i rëndë kërkonte trajtim të menjëhershëm. Koli kishte refuzuar çdo ndërhyrje, duke pretenduar se dhëmbët e tij ishin më të fortë se pajisjet e klinikës.

- Nuk kam ardhur në Angli që të më heqin dhëmbët! - kishte bërtitur në klinikën pranë Commercial Road.

Dentisti, një anglez i moshuar me emrin Peter Wallace, kishte provuar t'i shpjegonte se nuk bëhej fjalë për ndonjë dëshirë personale, por për një çështje shëndetësore.

- Zoti Prenga, nëse nuk e trajtojmë këtë infeksion, mund të keni komplikacione serioze.

- Atëherë trajtojeni infeksionin, jo dhëmbët!

- Kemi provuar disa trajtime.

- Provoni edhe një herë!

Në fund, pas disa javësh kundërshtimesh dhe dhimbjesh, Koli kishte pranuar trajtimin. Por, kur kishte dalë nga klinika me një protezë të përkohshme, ishte betuar se nuk do të kthehej më kurrë. Për dy javë kishte ecur nëpër kantier me gojën gjysmë të mbyllur dhe me një shprehje që dukej sikur mbante brenda gjithë padrejtësitë e botës. Nuk fliste me askënd. Nuk merrte pjesë në drekën e punëtorëve dhe, kur dikush i drejtohej, përgjigjej me një lëvizje të kokës. Një ditë, në mensën e punëtorëve, Michael Turner, një mekanik anglez me trup të madh dhe humor të hollë, e kishte pyetur:

- Si po shkon jeta me dhëmbët e rinj, Koli?

- Nuk janë të rinj. Janë të huaj.

- Si të huajt që vijnë në këtë vend? - kishte qeshur Michael.

Koli e kishte parë gjatë.

- Po. Vetëm se këta nuk paguajnë qira.

Michael kishte shpërthyer në të qeshura. Me kalimin e kohës, Koli ishte mësuar me protezën, por nuk kishte hequr dorë nga zakonet e tij të çuditshme. Përkundrazi, kishte krijuar një ritual të ri. Çdo mbrëmje, para se të flinte, e nxirrte protezën, e pastronte me kujdes dhe e vendoste në një gotë të vogël pranë shtratit. Por një natë, një koleg i tij, duke mos e ditur se çfarë kishte brenda, kishte marrë gotën për të pirë ujë. Britma që pasoi kishte zgjuar gjysmën e banesës.

- Kush ma ka prekur gojën?!

Të nesërmen, Koli kishte blerë një kuti të kuqe plastike, ku kishte shkruar me shkronja të mëdha: PROPERTY OF SOKOL PRENGA – DO NOT TOUCH (PRONË E SOKOL PRENGËS – MOS E PREKNI). Nuk kaloi shumë dhe kutia u bë objekt humori në të gjithë ndërmarrjen.

Një të premte, kur mori pagën, Koli u paraqit në The Last Anchor me një pamje të pazakontë. Nuk bërtiste, nuk kundërshtonte dhe nuk kërkonte sherr. Kishte veshur një këmishë blu të hekurosur, një pulovër gri dhe mbante në xhep një kuti të vogël me protezën rezervë. U ul me Michael Turner, Ilir Dervishin dhe një tjetër punëtor anglez, David Harris.

- Sot jam njeri tjetër, - tha ai.

- Çfarë ndodhi? - e pyeti Michael.

- Asgjë. Thjesht kam vendosur të mos zemërohem më.

- Kjo është një arritje e madhe, - tha David. - Duhet ta shënojmë në kalendar.

Koli nuk reagoi. Rreth orës dhjetë e gjysmë, Maggie kaloi pranë tavolinës së tyre me një tabaka plot gota. Kishte qenë një mbrëmje e lodhshme. Në lokal kishte shumë njerëz, televizori transmetonte një program festiv të BBC-së dhe nga altoparlantët dëgjohej një këngë e vjetër e Slade. Koli purpuliti sytë dhe e ndoqi me vëmendje.

- Maggie, - tha ai.

- Po, Koli?

- A mund të të pyes diçka?

- Nëse nuk është për të ndryshuar birrën me raki, po.

- A të duket se unë kam ndryshuar?

Maggie ndaloi për një çast.

- Natyrisht. Sot nuk ke sharë askënd.

- Dhe çfarë mendon?

- Mendoj se Krishtlindjet po bëjnë mrekulli.

Koli buzëqeshi. Pastaj u ngrit pak nga karrigia dhe, duke dashur të tregonte se proteza e re nuk i shkaktonte më asnjë problem, hapi gojën dhe bëri një lëvizje të papritur përpara për ta puthur. Por Maggie bëri pas. Gjithçka ndodhi në pak sekonda. Dhëmbët artificialë iu kapën përparëses së Maggit dhe, kur ajo u tërhoq e trembur, tabakaja fluturoi nga duart e saj. Gjashtë gota birre u përplasën në ajër, njëra ra mbi pianon elektrike dhe tri të tjera përfunduan në dysheme. Maggie lëshoi një britmë.

- Për hir të Zotit, Koli! Çfarë po bën?!

Michael u ngrit në këmbë, David filloi të qeshte pa mundur të ndalej, ndërsa Iliri përpiqej të lironte përparësen nga dhëmbët artificialë.

- Nuk është faji im! - bërtiti Koli, duke u përpjekur të shpjegonte situatën. - Janë dhëmbë të rinj!

- Atëherë mësoji të sillen si njerëz! - ia ktheu Maggie.

Për disa sekonda, lokali u mbush me zhurma, të qeshura dhe shishe që rrokulliseshin në dysheme. Dikush nga fundi i sallës thirri se duhej të lajmërohej policia, por askush nuk e mori seriozisht. Edhe dy marinarët që kishin qenë duke debatuar pranë derës harruan përplasjen e tyre dhe u afruan për të parë çfarë kishte ndodhur. Arbeni, i cili deri atë çast kishte qëndruar pranë banakut, e vendosi gotën mbi dru dhe u përpoq të ndihmonte Maggien të mblidhte copat e xhamit.

- Më vjen keq, - tha Koli.

- Nuk ka rëndësi, - iu përgjigj ajo. - Por herën tjetër, kur të duash të më përshëndesësh, përdor dorën.

Në atë çast, jashtë lokalit kaloi një autobus i kuq dykatësh i linjës së qytetit. Dritat e tij u shfaqën për pak çaste në xhamat e avulluar të dritareve dhe pastaj u zhdukën drejt Commercial Road. Një taksi e zezë ndaloi përpara The Last Anchor, ndërsa nga larg, përtej ndërtesave të Old Portsmouth, dëgjohej një sirenë e gjatë e një anijeje që po largohej nga porti.

Arbeni doli për pak ajër. Mbi sheshin e vogël, qielli kishte marrë ngjyrën e plumbit. Në drejtim të Southsea Common, dritat e qytetit përziheshin me ndriçimin e monumentit Portsmouth Naval Memorial, ku emrat e mijëra marinarëve të rënë në dy luftërat botërore qëndronin të gdhendur në gur. Në atë mbrëmje, ndërsa qyteti festonte, monumenti dukej sikur ruante një Krishtlindje tjetër, shumë më të heshtur, atë të njerëzve që nuk ishin kthyer më kurrë nga deti. Arbeni mendoi për të atin, për rrugën e trunxhave në Elbasan, për motrën që e kishte pyetur në telefon nëse do të vinte këtë vit. Mendoi edhe për njerëzit që kishin kaluar nëpër jetën e tij pa lënë ndonjë shenjë të dukshme, por që, në një mënyrë të çuditshme, vazhdonin të ishin aty. Në xhepin e palltos telefoni Nokia filloi të dridhej. Ishte një mesazh nga motra: Gëzuar Krishtlindjet, vëlla. Nëna pyet nëse do të vish në pranverë. Të kemi …, kemi shumë mall. Arbeni e lexoi dy herë. Pastaj shkroi ngadalë: Do të vij. Përqafoji të gjithë. Edhe unë ju kam mall. E futi telefonin në xhep dhe u kthye drejt lokalit. Nga brenda dëgjoheshin sërish të qeshura. Walter Higgins kishte hyrë për të marrë një gotë çaj të nxehtë dhe tani po këndonte pranë pianinos, ndërsa Maggie përpiqej të rregullonte tabakanë. Koli ishte ulur në një karrige tjetër, me gojën mbyllur dhe me duart e vendosura mbi gjunjë. Michael Turner po i shpjegonte se, nëse vazhdonte kështu, herën tjetër do t'i duhej të mbante një tabelë paralajmëruese përpara fytyrës.

Arbeni u ul përsëri në banak.

- Një tjetër? - e pyeti Maggie.

- Po, por këtë herë pa aksidente.

- Këtë nuk mund ta premtoj, - tha ajo. - Jemi në Portsmouth.

Të dy qeshën. Jashtë, mjegulla po mbulonte ngadalë rrugicat e Old Portsmouth. Në distancë, anijet e ankoruara në port dukeshin si hije të mëdha që prisnin një urdhër të padëgjuar. Nëpër rrugë kalonin njerëz me pako dhuratash, çifte që mbanin njëri-tjetrin për krahu dhe familje që nxitonin të ktheheshin në shtëpi përpara se të fillonte darka festive. Në The Last Anchor, ndërkaq, askush nuk kishte ndër mend të largohej. Krishtlindja kishte mbërritur edhe aty, në atë lokal me dysheme të lagur, me gota të thyera, me një piano që mezi punonte dhe me njerëz që kishin ardhur nga vende të ndryshme, por që për një natë kishin gjetur një arsye për të qëndruar së bashku.

Arbeni e ngriti gotën.

- Për ata që janë larg, - tha.

Michael ngriti të tijën.

- Për ata që kthehen.

Maggie shtoi:

- Dhe për ata që nuk dinë kur duhet të ndalojnë së bëri marrëzi.

Të gjithë kthyen kokën nga Koli. Ai ngriti gotën e vet dhe, për herë të parë atë mbrëmje, qeshi pa kundërshtuar.

- Për dhëmbët, - tha.

Tavolina shpërtheu në të qeshura. Dhe kështu, ndërsa kambanat e Krishtlindjeve filluan të dëgjoheshin nga kishat e Portsmouthit, në atë qoshe të vogël të Broad Street, mes shqiptarëve dhe anglezëve, mes kujtimeve të një atdheu të largët dhe përditshmërisë së një vendi të huaj, nata vazhdoi të rridhte me atë çrregullsinë e bukur që ndonjëherë e bën jetën më të vërtetë se çdo festë e organizuar.

Eh, tha me vete, në fund të fundit, Krishtlindja nuk ishte vetëm në dritat e qytetit, as në vitrinat e zbukuruara të Gunwharf Quays, as në këmbanat që binin mbi çatitë e vjetra të Portsmouthit. Ajo ishte edhe në një mesazh të shkurtër nga Elbasani, në një gotë të ngritur për njerëzit që mungonin dhe në një tavolinë ku një shqiptar me dhëmbë artificialë kishte arritur të bëhej, pa e kuptuar, personazhi më i përfolur i gjithë mbrëmjes. Porti vazhdonte të priste anijet. Njerëzit vazhdonin të prisnin njëri-tjetrin. Dhe rrugët, si gjithmonë, nuk pyetnin askënd se nga vinte përpara se ta çonin diku tjetër… Rrugët ishin thjesht rrugë…

 

Portsmouth, Angli, 24 dhjetor 2005

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page