Fatmir Terziu: KARROCA E „PARFUMIT“

Në anët e betonta të Kanalit „Rema“ ishin ulur shumë fëmijë atë ditë. Rruga e vjetër, e paasfaltuar, fillonte pikërisht aty dhe merrte përpjetë drejt Magazinës së Rrushit, pranë kanalit të Remës, në Lagjen e Vjetër Spahikore, atëherë „11 Nëntori“. Në anën e majtë të rrugës kishte ndodhur një vdekje e pazakontë. Morti kishte mbledhur njerëz nga shumë anë. Të mëdhenj e të vegjël qëndronin pranë shtëpisë, në rrugë, në oborr, në anët e kanalit. Disa flisnin me zë të ulët. Disa vetëm shikonin. Fëmijët, si gjithmonë, ishin aty ku të rriturit mendonin se nuk duhej të ishin. Vdekja kishte sjellë një heshtje të çuditshme, por jo qetësi. Kishte sjellë atë lloj zhurme që lind kur shumë njerëz përpiqen të mos thonë atë që po mendojnë.
Ishte viti 1983. Dhe pikërisht atë mëngjes, në të njëjtin cep ku njerëzit kishin ardhur për të përcjellë një të vdekur, duhej të kalonte karroca. Ajo kalonte çdo mëngjes. Ishte e rëndë, e ngadaltë dhe nuk kishte asnjë respekt për mortin. Nuk dinte çfarë ishte vdekja, as kush kishte vdekur, as pse rruga ishte mbushur me njerëz. Kishte një punë të caktuar dhe puna e saj nuk mund të shtyhej për shkak të një të vdekuri. Mblidhte fekalet e gropave septike dhe i çonte në gropat e Ndërmarrjes Bujqësore. Prandaj njerëzit e quanin: karroca e parfumit. Era e saj mbërrinte para saj.
Atë ditë, ndërsa njerëzit prisnin pranë shtëpisë së të vdekurit, fëmijët në anët e kanalit dëgjuan së pari rrotat. Pastaj u shfaq karroca. Dhe për një çast ndodhi diçka që askush nuk e vuri re, sepse të gjithë ishin të zënë duke ndjekur ritualin e mortit. Karroca kaloi midis të gjallëve që po kujtonin një të vdekur dhe mbante me vete atë që të gjallët kishin vendosur ta harronin.

Ajo vazhdoi rrugën. Kali ecte ngadalë. Rrotat kërcisnin mbi gurët e rrugës. Njerëzit hapnin vend. Asnjërit nuk i shkoi mendja se ajo skenë do të bëhej, vite më vonë, më e vështirë për t'u kujtuar se vetë vdekja, se vdekjet kujtohen, rrugët harrohen dhe emrat humbin. Por ajo që është hequr nga kujtesa nuk lë asnjë shenjë se ka qenë ndonjëherë aty.
Ceni ishte karrocieri. Ai nuk kishte problem me erën. Era ishte pjesë e punës, si kali, si karroca, si rruga e mëngjesit. Problemi i tij ishte numri. Një ditë kishte bërë shtatë rrugë. Koshinuesi i kishte shënuar pesë. Dy rrugë mungonin. Dy rrugë që Ceni i kishte bërë. Dy rrugë që kishin ndodhur, por në letër nuk ekzistonin. Ceni fliste me veten. Të tjerët e shikonin dhe vetëm lëviznin duart afër veshëve e sytë u erreshin.
Ceni vazhdonte të fliste me veten. Ndonjëherë numëronte rrugët me zë. Ndonjëherë i përsëriste emrat e vendeve ku kishte kaluar. Të tjerët e shikonin. Disa lëviznin duart pranë veshëve. Sytë u errësoheshin.
- Epo, ai e ritregoi se është i çmendur - pëshpërisnin.
Askush nuk thoshte se ndoshta dy rrugët ishin vërtet bërë. Mjaftonte që nuk ishin shkruar. Ceni ishte djalosh i një familjeje të vjetër e të pasur elbasanase. Kishte lindur në një shtëpi ku dikur kishte pasur emra, prona, libra dhe njerëz që dinin të ruanin dokumentet. Tani ai zihej me veten për dy rrugë fekalesh që një normist i kishte fshirë me një laps. Nuk ishte më e rëndësishme se nga vinte. Tani rëndësi kishte çfarë ishte shënuar për të. Kur mori kthesën te Firaksit, u gjend te shefi, pranë stallave të kuajve, afër Rrapishtes.
- Më kanë ngrënë dy karroca.
Shefi ngriti sytë.
- Ku janë?
- I kam bërë.
- Kjo nuk provohet.
Ceni heshti. Nuk kishte çfarë të thoshte. Në atë fjali kishte diçka më të madhe se dy rrugë. Dhe ai nuk e dinte ende. Atë ditë kuptoi vetëm se nuk mjaftonte të kishe bërë diçka. Duhej të kishte mbetur diku një shenjë që vërtetonte se e kishe bërë. Ashtu si i vdekuri i asaj dite. Njerëzit mund ta kishin parë, mund ta kishin njohur, mund ta kishin vajtuar. Por pas disa vitesh, nëse nuk do të mbetej një fotografi, një emër, një letër, një dokument, edhe ai mund të kthehej në një njeri që kishte qenë vetëm sipas kujtesës së dikujt. Dhe kujtesa, Ceni po e kuptonte, nuk kishte vulë.
Atë mbrëmje mori një fletë. Shkroi: E BËRA. Pastaj shkroi datën. Orën. Rrugën. Dhe në fund përsëri: E BËRA.
Nuk e dinte se po shkruante jo për shefin. As për zyrtarin. Po shkruante kundër harresës. Filloi të mbante shënim gjithçka. Nisjen. Kthimin. Numrin e karrocave. Vendet ku kishte kaluar. Nuk i besonte më kujtesës së vet. I besonte letrës. Kjo ishte gabimi i parë.
Gabimi i dytë erdhi pas disa ditësh. Ceni nuk kujtoi një nga rrugët që kishte shkruar. E kishte përpara në letër. Ora ishte aty. Vendi ishte aty. Edhe fjalia E BËRA ishte aty. Por ai nuk e kujtonte. E lexoi përsëri. Pastaj e besoi. Kjo e trembi. Nëse letra kujtonte atë që ai kishte harruar, atëherë kush ishte kujdestari i kujtesës? Njeriu? Apo letra?
Pas kësaj, Ceni nisi të ruante gjithçka. Edhe Libreza e Punës. Ajo duhej të ishte prova më e sigurt e jetës së tij. Vitet e punës. Vendet. Ndërmarrja. Datat. Gjithçka që mund të kthehej në shifër. Kur doli në pension, e mori librezën dhe shkoi në Drejtorinë e Sigurimeve. Aty punonte një ish-shefe e Planit. Ajo e njohu. Jo menjëherë nga fytyra, nga libreza. E mori në dorë, e hapi dhe filloi të shfletonte faqet. Ceni priste. Ajo ndaloi në një faqe. Pastaj në një tjetër. Ngriti kokën.
- E kuptoj.
Ceni nuk foli.
- Ende nuk të ka ikur ajo era e...
Fjalia mbeti pezull.
Ajo buzëqeshi lehtë.
- E kuptoj.
Ceni e pa.
- Kam ardhur për ato vite.
- Po, po.
Ajo mori stilolapsin.
- Nuk ka nevojë për librezën.
Ceni nuk e kuptoi.
- Si?
- Ja ku po t'i shkruaj.
Dhe filloi të plotësonte diçka. Ceni shikonte dorën e saj. Ajo po i shkruante vitet që ai kishte jetuar. I shkruante sikur ato vite të kishin ndodhur për herë të parë pikërisht në atë moment. Ceni pa faqen. Vitet ishin aty. Por dy rrugët nuk ishin. Asnjëra. Nuk kishte rrugën e parë. As të dytën. Nuk kishte kthesën te Firaksit. Nuk kishte stallat e kuajve. Nuk kishte Rrapishten. Nuk kishte karrocën. Dhe për herë të parë Ceni kuptoi se edhe një jetë e tërë mund të bëhej e paplotë vetëm nga një laps.
Që atëherë nisi të dyshonte te dokumentet. Jo sepse gënjenin. Kjo do të ishte shumë e thjeshtë. Por sepse dokumentet tregonin vetëm atë që kishin lejuar të ekzistonte. Pjesa tjetër mbetej jashtë.
Në rrugë. Në baltë. Në erë. Në kujtesën e dikujt. Dhe një ditë, edhe ajo kujtesë mund të mos mjaftonte. Atëherë karroca nisi të vinte përsëri. Jo gjithmonë me fekale. Ndonjëherë vinte bosh. Por gjithmonë merrte diçka. Një letër. Një fotografi. Një emër. Një kujtim. Ceni nuk pyeste më. Vetëm dëgjonte rrotat, sepse tani e dinte se karroca nuk kishte ardhur për të mbledhur mbeturina. Kishte ardhur për të mbledhur atë që nuk duhej të mbetej. Dhe rruga e saj, siç do të kuptonte shumë më vonë, nuk mbaronte te gropat e Ndërmarrjes Bujqësore. Mbaronte diku tjetër. Në një vend ku njerëzit nuk varroseshin. Regjistroheshin. Dhe aty, një ditë, Ceni do të kërkonte të gjente veten.








Comments