top of page

Drita B. Ademi: Duke e përkthyer një libër nga autori gjerman Kristian E. Kühn

2 hours ago
1 min read

Kristian Kühn është një poet me fuqi të madhe shpirtërore dhe poetike. Poezitë e tij mbartin një thellësi që nuk shteron me leximin e parë. Ato hapin hapësira midis mitit dhe së tashmes, midis dijes dhe intuitës, midis gjuhës, kujtesës dhe qenies njerëzore.

Veçanërisht më impresionon mënyra se si Kühn hyn natyrshëm në dialog me zërat e mëdhenj të letërsisë, filozofisë dhe kulturës, duke nxjerrë prej tyre diçka krejt të vetën. Gjuha e tij është e kultivuar, por kurrë e pajetë; ironike, pa e humbur thellësinë e saj; fragmentare dhe, njëkohësisht, plot lidhje të brendshme.

Për mua, Orgelreisen nuk është një libër që thjesht lexohet. Është një libër të cilit i dëgjon zërin.


Dhe, kur mbyllet faqja e fundit, mbetet diçka pas:

një tingull, një mendim, një jehonë.

Për këtë thellësi poetike dhe për guximin për t’i dhënë gjuhës kaq shumë hapësirë, i jam thellësisht mirënjohëse Kristian E. Kühn-it.

Sepse poezia e mirë nuk përfundon me fjalën e fundit.

Ajo fillon aty ku fjala vazhdon të tingëllojë brenda nesh.

 

Udhëtime me organo

 

Athanasius Kircher i bie tasteve

të organos së botëve të veta,

që të udhëtojmë nëpër vende të largëta,

të përshkojmë pyjet e vendlindjes,

shkretëtirat e jetës.

 

ngjitemi në shkëmbinj, kërcejmë përmes ajrit,

kafshojmë barin, arrijmë te përshtypja

e formuar prej mallit dhe dëshpërimit,

shohim njerëz të ftohtë, bulktha, fantazma,

 

jemi yje shtegtues, copa të shuara,

një unë i shqyer, me lopatën e erës

të ndarë si byku prej kallinjve

dhe nuk e dimë

se çdo tingull është një shkelje pedali.

 

Përshtypje rreth poezive të Kristian E Kühn dhe një poezi nga libri me të njëjtin titull, e përkthyer nga gjermanishtja .

 

Drita Ademi

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page