Fatmir Terziu: Kapter me spaleta „Harabeli“
- Jun 6
- 7 min read
Updated: Jun 9

Fatmir Terziu: KACAGJEL
(Ose, kukuris mbi çdo gjë)
Efendëm. Oh, peqelep Kumandar.
Birës lumturish. Birës,
në tribuna, në kolona, në sallona, në kurora,
në agorá të lyera me florinj e me bojëra
bereqet në postera, në dosiera, në karriera,
në odise të blera me vulë e me (prapa)skena,
rrijnë mbrapa utarakët, urtakët, djersëtarët, kallkëtarët,
ata që mbajnë në shpinë mullinjtë e shkallët.
Birinxhi muhabet. Allishverish në ankande, në verandë, në propagandë,
në pelerina ligjëratash e në bandë,
kuturu në arkiva, perspektiva, alternativa,
në sofrat ku hanë hijet më të mira,
numërohen tenderat, kalendarët, ashensorët, gurët e moçëm,
shiten detet, lumenjtë, brigjet, gurët e kufijve të motshëm.
Dridhen qemerët, themelet, kambanat,
lebetiten alfabetet, dëshmitë, amanetet, iftarat.
Këputen rrënjët, urat, shtigjet, bimët,
ikën dallëndyshet duke marrë mbi krahë stinët.
Nëpër sheshe kacagjeli
shkund pendët e arta të mashtrimit,
kukuris mbi hambarët bosh,
mbi arkat ku fle lepuri i përmbarimit,
mbi sofrat ku mungon kripa, e ku lugët janë shosh.
Dhe turma,
si një pyll i prerë nga vetja,
duartroket sa i del shkuma.
Sedefllëk në koncesione, komisione, emisione,
në elozhe, apoteoza, iluzione,
brisqe rroje në përurime, zbukurime, betonime,
në rrënime që quhen zhvillime,
rrëzohen lisa, kujtesa, gjurmë,
mbijnë kulla prej qelqi
që nuk njohin as hënë, as siguri
as zog,
as ndonjë zvarranik me sqep a me turi.
Zharrosje. Leqenosje me xhaketat, kravatat, mandatet,
ashkollsun me parfum kronikat dhe mëkatet.
Matet atdheu me hektarë, me zarfe, me aksionarë,
me numra që ditën heshtin e natën të qajnë.
Ndërkaq, në pragjet e heshtura, nën dritat që digjen me kursim,
plaken nënat, fishken baballarët, zverdhen fotografitë
si gjethe tetori bijnë papushim
plehrosin përditë peripecitë, teoritë, ministritë.
Dhe kacagjeli, mbi gardhin e republikës,
kukuris edhe një herë (për hir të meritës!).
Kukuris për fitore, për lavdi, për begati, „nju luk“.
hambari ka kohë që është bosh poshtë tij.
Ara ka kohë që s’ka bujk.
Shtegu ka kohë që s’ka kthim.
E mbi të gjitha, si një mjegull që s’njeh mëngjes,
si një kambanë pa kishë, si një flamur pa erë,
rri pezull pyetja, mos vallë ky nuk është as kacagjel
apo, kacagjeli e ka humbur ta themi me nder?
Mos vallë tashmë më në fund i ka ardhur dita
apo thjesht fryhet, bërtet, ulërrin vajmedet
sepse ka frikë se po ikën errësira e po vjen drita,
kush e gjen ta thotë më qartë o Milet?
Kapter me spaleta „Harabeli“
Kur të shohim se ndukesh “Harabel”
nga pluhuri i fjalorëve ngrihet menjëherë një perandori e vogël tymi.
Jo fluturak, por një centurion i humbur i erës,
me spaleta prej puplash të zbehta
sy që kanë parë më shumë dhelpra
se sa kronikat e mermerta të Romës.
Në Forum, hijet e senatorëve
ende numërojnë monedhat e kohës,
ndërsa ai, kapteri i vogël,
kalon mbi kokat e tyre pa përshëndetur askënd,
sikur të dijë se lavdia është veç
një gur varri që mëson të flasë.
Mbi një kolonë të rrëzuar të Apolonit
e pashë të rrinte pa lëvizur.
Dielli i pasdites i lyente krahët
me ar të lodhur mitologjie.
Dukej si një lajmëtar i vonuar i Hermesit,
që kishte humbur rrugën ndër shekuj
dhe tani kërkonte adresën e shpirtit.
Po kush e gradon një harabel?
Mos vallë vetë Athina,
që fsheh mençurinë në gjërat e vogla?
Mos vallë Marsi plak,
që pasi humbi legjionet e tij,
u mjaftua me një zog të zakonshëm
për të ruajtur kufijtë e heshtjes?
Më gjykon mbrëmja
me togën e saj të purpurt romake.
Dëshmitarë janë statujat pa sy,
ullinjtë e vjetër dhe një burim
ku Narcisi ende përkulet mbi fytyrën e ujit
pa kuptuar se pasqyra është varri i parë.
Ndërsa harabeli,
kapteri me spaleta të padukshme,
shkel mbi ajër si mbi pllaka mermeri.
Nuk urdhëron askënd.
Nuk shpall fitore.
Nuk ngre flamuj.
Ai di atë që nuk e mësuan perandorët,
se universi nuk mbahet
nga shpatat e Akilit,
as nga shqiponjat e Cezarit,
por nga një dridhje e vogël krahu,
nga një grimcë fryme
që refuzon të bjerë.
Dhe kur nata zbret
si një mantel i zi mbi amfiteatrin e botës,
e shoh të tretet në errësirë,
si një varg i Rilkes
i shkruar mbi një fletë qielli.
Atëherë kuptoj,
ne jemi vetëm spaleta të përkohshme,
të qepura mbi uniformën e kalimit,
kurse harabeli,
ai kapter i vogël i përjetësisë,
mbetet roja e fundit
te porta e padukshme e qenies.
PARMAKËT
Në fillim u gërrye Kalaja. Pastaj artefaktet mbetën si gjethe pas erës.
Erdhën dhe na ndërtuan parmakë të rinj.
Të lëmuar, prej çeliku të shndritshëm, pa ndryshk, pa gërvishtje, pa kujtime.
Fëmijët pushuan së hedhuri kokën mes shufrave të derës.
Plakat i prekën duke u mbushur me dyshime.
Lepurushët ngritën mustaqet nuk fjetën më mbi ta në pasditet e verës.
(Nuk dëgjuan Të tjerët më gjysh e gjyshe).
Nuk na pyetën nëse na pëlqenin. Gjërat nisën të rrjedhin ndryshe.
Shpalosën katalogë me fotografi, matën këndet, lartësitë dhe largësitë,
folën për sigurinë tonë, siç flasin zakonisht ata që dinë gjithçka për rënien
asgjë për fluturimin. Asgjë për parmakët që kanë shtëpitë.
Parmakët e vjetër i hoqën me kujdes.
I ngarkuan në kamionë sikur të ishin kufoma të padëshiruara.
Mbi ta kishin mbetur gjurmët e duarve tona, thonjtë e fëmijëve,
thinjat e viteve, damarët dhe rrudhat si mbi një misërnike,
emrat e parë të dashurisë
të gdhendur fshehurazi me majë thike.
Por specialistët nuk lexojnë emra. Ata lexojnë vetëm projekte.
Na thanë se koha e drurit kishte mbaruar. Se druri plaket. Se druri çahet.
Se druri kujton më shumë seç duhet kur i vendos kufinj.
Dhe kujtesa, sipas tyre, nuk është material që mbahet.
Atëherë filluam të jetonim mes parmakëve të rinj.
Mbaheshim pas tyre në mbrëmje, shihnim poshtë rrugët, makinat,
njerëzit që nxitonin drejt shtëpive të tyre të transformuar
si letra të ngjitura nga era.
Por diçka kishte ndryshuar.
Nuk dinim çfarë. Parmaku ishte një arkiv i heshtur.
Një kallo e duarve. Një muze i dhimbjeve njerëzore.
Dhe një mbrëmje, ndërsa mbështetesha mbi njërin prej tyre,
kuptova se parmakët nuk janë ndërtuar
për të na shpëtuar nga humnera.
Humnera gjithmonë gjen rrugën e saj.
Parmaku është ndërtuar që njeriu të mos harrojë se po ecën pa skaj.
Sepse njerëzit harrojnë shtëpitë.
Harrojnë detyrat.
Harrojnë emrat.
Harrojnë fytyrat.
Dhe kur harrojnë gjithçka, fillojnë të ndërtojnë parmakë të rinj,
gjithnjë e më të pakapshëm prej syve,
për të shumuar bollëkun
që u duhet atyre.
VARGDASHURIA
(bisedë e lirë me poetin Ali Podrimja në Sarandë)
Nuk bëhesh varg vetëm duke e thirrur fjalën,
as poet duke i numëruar yjet mbi një fletë.
Duhet të kesh hyrë dikur në pyllin e heshtjes
të kesh dalë prej andej me duart të mbushura me dritë.
Vargdashuria
s’nis te pena,
por te rrënja e gjërave.
Ajo vjen si një zog i lagur nga stuhia,
e pastaj hap krahët
mbi çatitë e shpirtit.
Mos e pyet zemrën
nëse është ditë apo natë.
Ajo i njeh udhët pa busull.
Në gjakun e saj
rrjedhin lumenj të vjetër,
ku yjet pinë ujë
dhe hijet mësojnë alfabetin e erës.
Fjala është një kalë i bardhë.
Po nuk hipët mbi të,
mbetesh këmbësor i vetvetes.
Po nuk e ndoqe deri në fund galopin e saj,
nuk do të shohësh si ndizet horizonti
pas një kodre të zakonshme.
Zjarr me emër,
zjarr pa emër,
ç’je ti që më rritesh në pëllëmbë?
Një degë ulliri,
apo vetëtimë që harron të shuhet?
Gjarpri i kohës
rrëshqet nëpër barin e viteve,
por dashuria e vargut
e njeh para se të lëshojë helmin.
Ndonjëherë një jetë e tërë
është vetëm një peshk që shpëton nga rrjeta,
një re që s’e zë qielli,
një dritare që mbetet hapur
kur të gjitha shtëpitë flenë.
Për të kuptuar se jetohet,
mos numëro vitet,
dhjetë,
pesëdhjetë,
njëqind.
Numëro dritaret që hape brenda vetes.
Aty natyra bëhet libër që të lexon,
para se ta lexosh ti.
Dhe kur fjala të mbërrijë
si një xixëllimë e vonë në duar,
mos e mbyll në kafaz.
Lëre të bredhë nëpër natë,
sepse Vargdashuria është ajo dritë realiteti
që e gjen gjithmonë rrugën
edhe kur humbet poeti.
KUJTIMET
Në fillim vijnë si zogj të vegjël duzinë,
ulen mbi parvazin e padukshëm në mendje
pa trokitur në suprinë,
pa kërkuar leje.
Ti je duke rregulluar ditën tënde,
vargjet me gishtat mbi tastierë,
heshtjet nëpër letër,
dhe ata hyjnë njëri pas tjetrit pa përtesë
si fqinjë të vjetër
që e dinë rrugën pa adresë.
Pastaj mbushen dhomat.
Njëri sjell aromën e bukës së fëmijërisë,
tjetri një portë të ndryshkur gjetiu,
një zë që nuk kujtohet si ishte,
një korridor të enjtur nga shiu
ku emri yt dikur tingëllonte ndryshe.
Mbrëmja zgjatet.
Përtej mureve dëgjon hapat e tyre,
kollitjen e viteve,
kërcitjen e drurit brenda syve,
një radio të largët të harruar
që vazhdon të luajë këngën
edhe pasi festa ka mbaruar.
Ora ecën.
Ti numëron hijet mbi tavan,
hap dritaren,
mbyll dritaren,
ecën nga një cep në tjetrin fragment i lojës
sikur të kërkoje një çelës
që ka mbetur brenda një dere të mbyllur prej kohësh.
Dhe më në fund të zë gjumi.
Në ëndërr ata bëhen më të qartë,
më të rinj se vetë koha,
me fytyra të lagura të bëra hartë,
me buzëqeshje që u venitet boja.
Në mëngjes i gjen përsëri.
Janë në oborrin e shpirtit,
duke ujitur pemët e vjetra të kujtesës,
duke fshirë pluhurin nga emrat,
bigorin e harresës.
Pastaj largohen ngadalë
nëpër shtigje që vetëm ata i njohin,
duke lënë pas
një dritë të hollë mbi zemër,
si mjegulla që endet mbi lumë,
ose si një fëmijë në mes të loje me top,
që kthen kokën edhe një herë
para se ta gjuaj në horizont.
Mend-afsh
Duke hequr shallin e hollë nga supet,
pashë si lëviznin yjet nëpër degë të heshtura,
si zogj që ndërronin stinën pa zhurmë,
drithma luledelesh të përfjetura.
Njëra pas tjetrës, petkat ranë
si gjethe të vonuara në vjeshtë,
dhoma u mbush me dritë të paanë,
një lumë që hyn në det
pa e ditur ku mbaron rrjedha pranë.
Mëndafshi i lëkurës sate
rrëshqiste sfidant nëpër ajër
mornica nurbardhë plotë harqe,
mbi re që zbrisnin ngadalë e pastër
mbi kodrat e etura të bardhësisë sate .
Jashtë, erërat përplasnin fijet e kashtës.
Brenda, heshtja rritej si grurë.
Mund të ndjeje avuj nga zërrat e natës
tek digjeshin në të njëjtën kohë furrë,
duke i hequr ua ngatërroja emrat sipas radhës.
Dhe në çast mendoja se dashuria
nuk ishte zjarr, siç thonë shpesh,
por një copë mend-afsh i skicuar mbi kohë,
ku duart lënë gjurmë drite të fshehtë
dhe sytë mësojnë të flasin përkorë.
Asgjë nuk kishte përkitazi ngut.
Vetëm fryma që konkurronte zgjimin e gjelit,
nata që mblidhte petkat e errësirës gjithkund
përpara ardhjes së bardhë të mëngjesit.
Mbi shtratin e qetë të mëndafshtë
qëndronte disimetria e madhe në asht,
si hëna mbi horizontin e bardhë,
kur pozon mbi një betim të lashtë
që nuk ka nevojë për fjalë.
Dhe mend-afshi mbeti aty nënkresë,
duke shuar e zgjuar disa fjalë,
ndërsa zvogëloheshe si një pilivesë,
po shkruhej ngadalë
një poezi e re mes nesh.








Comments