top of page

Fatmir Terziu: Kanoni i dritës

  • 4 hours ago
  • 3 min read

 

“Njeriu banon aty ku kujtesa e tij ndizet.”

 

Kam filluar të dyshoj se qytetërimet nuk rrëzohen nga luftërat. Luftërat janë vetëm ceremonia e dukshme e rrënimit. Qytetërimet rrëzohen shumë më herët, në heshtje, kur humbasin zakonet dhe kanonet e tyre të dritës. Kur njerëzit vazhdojnë të jetojnë, të ndërtojnë, të udhëtojnë, të konsumojnë dhe të komunikojnë, por nuk dinë më përse e bëjnë. Prej vitesh vërej me një lloj kureshtjeje antropologjike se sa shumë gjëra kemi fituar dhe sa pak rituale kemi ruajtur. Kemi më shumë informacion se çdo brez tjetër para nesh, por gjithnjë e më pak raste për të soditur. Kemi më shumë mjete për të folur, por gjithnjë e më pak arsye për të dëgjuar. Kemi më shumë ekrane, por më pak dritare. Nganjëherë mendoj se kriza e kohës sonë nuk është as ekonomike, as politike, as teknologjike. Është një krizë e vëmendjes. Jo e asaj vëmendjeje që matet me sekonda para një reklame, por e asaj që dikur na lejonte të ndaleshim para një peme, para një libri, para një fytyre të dashur dhe të ndienim se aty fshihej një kuptim.

Unë vij nga bota e librave. Ndoshta kjo më bën të dyshimtë si dëshmitar. Librat kanë prirjen t’i romantizojnë gjërat. Por pikërisht për këtë arsye u besoj. Sepse romantizimi nuk është gjithmonë një largim nga e vërteta, shpesh është përpjekja për të shpëtuar atë pjesë të së vërtetës që statistikat nuk e kapin dot. Kur isha më i ri, besoja se leximi ishte një mënyrë për të mësuar. Sot besoj se leximi është një mënyrë për të mos harruar. Të mos harrosh se njeriu është më i madh se profesionet e tij, se tregjet e tij, se algoritmet e tij. Të mos harrosh se para se të ishte konsumator, votues apo përdorues, ai ishte tregimtar.

Ndoshta kjo është arsyeja pse më tremb aq shumë rutina bashkëkohore. Jo rutina si rend i jetës, pa të nuk do të mund të mbijetonim. Më tremb rutina si automatizëm. Ajo gjendje kur dita nuk jeton më brenda nesh, por thjesht kalon përmes nesh. Kur mëngjeset nuk dallohen nga njëra-tjetra dhe vitet bëhen të ngjashme si faturat.  Në këtë kuptim, rutina është forma më e sofistikuar e harresës. Njëherë, gjatë një udhëtimi, pashë një burrë të moshuar që çdo mëngjes dilte para shtëpisë dhe fshinte trotuarin. Nuk kishte gjethe. Nuk kishte pluhur. Nuk kishte asgjë për të pastruar. Për disa ditë mendova se ishte thjesht një zakon i çuditshëm. Pastaj kuptova se ai nuk po pastronte rrugën. Ai po pastronte kohën e vet. Po i jepte kuptim një mëngjesi tjetër. Që prej asaj dite, kam filluar t’i shoh ndryshe zakonet njerëzore. Një filxhan kafeje i pirë ngadalë. Një letër e shkruar me dorë. Një telefonatë pa arsye. Një vizitë te të gjakut. Një libër i hapur para gjumit. Janë forma të vogla rezistence kundër shpërbërjes së përditshme. Sepse moderniteti na ka bindur se vlera e gjithçkaje matet nga shpejtësia. Por shpirti nuk funksionon me shpejtësi. Ai ka nevojë për përsëritje. Për rikthim. Për rit.

Miqtë e mi më pyesin shpesh pse vazhdoj të shkruaj ese në një kohë kur shumica kërkon përmbledhje. Nuk di të jap një përgjigje akademike. Di vetëm të them se eseja është një formë ecjeje. Nuk vrapon drejt përfundimit. Ajo ndalet, kthehet, vëren, dyshon. Dhe ndoshta pikërisht kjo është ajo që po humbasim sot: të drejtën për të ecur mendërisht pa destinacion. Në fund të fundit, njeriu nuk jeton vetëm nga risitë. Ai jeton nga ato gjëra që përsëriten dhe megjithatë mbeten të dashura. Nga zëri që e zgjon. Nga rruga që njeh. Nga libri që rilexon. Nga fytyra që e pret.

Kjo është arsyeja pse unë vazhdoj të besoj tek zakonet e dritës. Tek ato gjeste të vogla që nuk ndryshojnë botën, por e bëjnë atë të banueshme. Sepse qytetërimet nuk mbahen vetëm nga kushtetutat, teknologjitë apo bankat. Ato mbahen nga njerëzit që ende gjejnë kohë të ndezin një dritë në mbrëmje, të hapin një libër dhe të kujtojnë se jeta nuk është vetëm ajo që ndodh, por edhe ajo që kuptohet. Dhe ndoshta shpëtimi ynë nuk do të vijë nga ndonjë shpikje e madhe e së ardhmes. Ndoshta do të vijë nga rikthimi tek ato gjëra të vogla që dikur i quanim të zakonshme, pa e kuptuar se aty fshihej e jashtëzakonshmja.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page