top of page

Fatmir Terziu: K. dhe K.

  • Mar 9
  • 3 min read

K. dhe K.

Tregim

 

Askush nuk e dinte saktësisht se kur kishte ardhur K. në atë qytet. Dukej sikur ajo kishte dalë nga një korridor i gjatë mjegulle. Një anga ata korridore që të çojnë nëpër zyrat e mistershme të fatit. Në fillim ajo tha se kishte ardhur për t’u shpëtuar kthetrave të burrit të saj. Këtë e tha me një zë të ulët, pothuajse heshtak. E tha ndërsa, plotësonte një formular të detyrueshëm. Pritësit tundën kokën me mirëkuptim. Qyteti ishte i mbushur me histori të tilla. Gratë që shpëtonin nga kthetrat e burrave. Burrat që shpëtonin nga kthetrat e grave. Por askush nuk shpëtonte kurrë plotësisht. Vetëm ndryshonin kthetrat.

K. e mori me qira një dhomë të vogël në katin e dytë të një shtëpie ku shkallët kërcisnin si kocka të vjetra. Çdo mbrëmje ajo rrinte pranë dritares dhe shikonte rrugën. Rruga ishte gjithmonë bosh, por ajo prapë shikonte, sikur priste një gjyq që do të fillonte pa paralajmërim.

Pas disa muajsh u rishfaq burri i saj. Askush nuk e pa të hynte në qytet. Një mëngjes ai thjesht ishte aty, ulur në një karrige përballë saj, në të njëjtën dhomë ku muret kishin filluar të merrnin frymë si mushkëri të lodhura. Në fillim ai dukej i përulur. I qetë. Pothuajse i falur. Por me kalimin e ditëve ndodhi diçka e çuditshme.

K. filloi ta shikonte me një qetësi të ftohtë, sikur ai të ishte një objekt që duhej vendosur në vendin e duhur të një mekanizmi të madh. Fjalët e saj u bënë të sakta, të shkurtra, të mprehta. Burri filloi të lëvizte sipas ritmit të saj, sikur një dorë e padukshme po e drejtonte. Dhe kështu ndodhi që ajo, që kishte ardhur për t’u shpëtuar kthetrave të tij, e futi burrin e saj në kthetrat e saj.

Njerëzit e qytetit filluan ta ndjenin këtë gjë pa e kuptuar pse. Kur kalonin pranë shtëpisë së tyre, hapat u bëheshin më të ngadaltë. Dritaret dukeshin më të errëta. Sepse në atë dhomë kishte filluar një shtrëngim i çuditshëm. Fillimisht i prekshëm. Pastaj gjithnjë e më i fortë. Deri sa një ditë, si në një vendim që askush nuk e kishte menduar, kthetrat iu futën të dyve në fyt. Nuk ishte e qartë nga kishin ardhur. Ndoshta nga njëri-tjetri. Ndoshta nga vetë frika që kishin mbajtur me vete.

Ata nuk bërtitën. Përkundrazi. Në errësirën e dhomës, me kthetrat në fyt, ata filluan të këndonin. Fillimisht ngadalë. Pastaj më qartë.

- Këndo, këndo - si në shoqërimin e një melodie që vinte nga telat e tendosura të diellit. Zëri i tyre ishte i çuditshëm. I ngjirur. Por këmbëngulës.

- Këndo, këndo - sikur kjo ishte arsyeja pse ndodheshin ende aty. Jeta e tyre ishte bërë si drithërat e bluara në një tortë të nxehtë me lulekuqe. E ëmbël dhe e hidhur njëkohësisht. Një zbutje e tendosur e mbledhur në një rrip të ashpër. Por gjithmonë gati. Në çdo çast. Të fluturonin në një rreth të padukshëm mbi tokë. Mbi tokën e lëruar ku edhe vdekja, për çudi, dridhej nga frika.

- Këndo, këndo - pavarësisht se sa shumë u gurgullonte fyti. Pavarësisht barrikadave në sytë e tyre. Pavarësisht xhunglave të pakalueshme që kishin mbirë në zemrat e tyre. Errësira përreth ishte aq e dendur sa dukej sikur bindte edhe dashurinë e holluar të hiqte dorë nga pafundësia. Pikturat në mure u kthyen në hije. Hije të ruajtura rreptësisht. Në dridhjen e një drite paralajmëruese. Dhe megjithatë ata këndonin.

Sepse diku, shumë më lart se çatitë e qytetit, meloditë ishin krijuar tashmë. Në fije të shtrënguara diellore. Mbi gurët e rrumbullakosur në fund të lumit. Në atë lartësi ku dashuria, çuditërisht, nuk zhduket kurrë. Dhe kështu, në errësirë, me kthetrat në fyt, K. dhe burri i saj, K.  vazhduan të këndonin.

2 Comments


        Më shijoj fort tregimi: “K. dhe K.”, në të cilin zhbirohen me një gjuhë artistike sipërore raportet e dashurisë të dy personazheve. Kurrë s'kanë për të mbaruar pyetjet e përgjigjet nga këndëvështrime të ndryshme rreth enigmave të dashurisë, e kurrë s'ka për t’u gjetur përfundimtarja. Dhe ja, nëpërmjet këtij krijimi tejet të gjetur thotë fjalën e goditur e domethënëse dhe Fatmir Terziu. Shkaku i ndarjes së dy partnerëve në tregim është dhuna, pastaj vjen rilidhja e tyre dhe vijimi ngulmonjës i të kënduarit bashkë i dhunës dhe dashurisë. Të jetë vërtetë ky fati apo mallkimi i dashurisë?! Ndoshta. Më e rëndësishme për mua është kënaqësia e veçant që përjetova nga krijimi. 

        Me këtë rast i uroj Profesor Fatmirit të ketë…

Like
Fatmir Terziu
Mar 09
Replying to

Ju falënderoj nga zemra për këtë lexim kaq të vëmendshëm dhe për fjalët e ngrohta që i keni kushtuar tregimit “K. dhe K.”. Më gëzon shumë fakti që e keni përjetuar thellësisht enigmën e marrëdhënies së dy personazheve dhe se keni depërtuar në shtresat e asaj që shpesh mbetet e pathënë në raportet njerëzore. Dashuria, siç e shprehni edhe ju me aq ndjeshmëri, mbetet ndoshta pyetja më e madhe pa përgjigje përfundimtare; ajo herë shfaqet si bekim, herë si mallkim, por gjithmonë si një mister që e mban gjallë letërsinë dhe shpirtin njerëzor.

Jam mirënjohës që gjetët kënaqësi në këtë krijim dhe që e ndatë me kaq fisnikëri mendimin tuaj. Vlerësime të tilla nga një lexues i kujdesshëm dhe i…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page