Fatmir Terziu: Isa Rama, thjeshtësia e mjeshtërisë
- 3 hours ago
- 3 min read

Prof. Dr. Fatmir Terziu
Mjaft njerëz historia nuk i shpall me zhurmë. Vetë ajo i nxjerr në dritë dhe më pas i ruan në kujtesën e saj më të thellë. Janë ata që nuk lanë pas monumente me emrin e tyre, por ngritën monumente ku të tjerët jetuan. Janë mjeshtrat e ndërtimit, ata burra që dukej sikur kishin lindur me çekiçin në njërën dorë dhe mastarin në tjetrën, sikur guri, tulla, gëlqerja dhe betoni ishin gjuha e tyre e parë. Ata nuk shkruan libra, por shkruan qytete. Nuk mbajtën fjalime, por ngritën mure që edhe sot flasin për duart e tyre. Isa Rama ishte një prej tyre. Ashtu e mbaj mend. Të urtë. Të thjeshtë. Të sjellshëm. Një burrë që nuk e njihte mburrjen, por e njihte punën. Një model familjari, me një taban të fortë moral dhe me atë fisnikëri të lindur që nuk mësohet në shkolla, por trashëgohet si bekim. Kishte një qetësi që i paraprinte çdo fjale dhe një buzëqeshje që e bënte respektin të vinte natyrshëm. Ai nuk kishte nevojë të tregonte se çfarë dinte; mjaftonte ta shihje në kantier dhe e kuptoje se mjeshtëria kishte marrë trajtë njeriu.
Nuk kishte ndërmarrje ndërtimi, brigadë apo institucion ku emri i Isa Ramës të mos përmendej me nder. Fotografia e tij nuk varej si dekoratë, por si kujtesë e një njeriu që punën e kishte kthyer në dinjitet. Ishte nga ata ustallarë që nuk e ndërtonin vetëm një godinë; ndërtonin besimin. Kur ai merrte përsipër një punë, njerëzit flinin të qetë, sepse e dinin se themelet do të ishin aq të forta sa fjala e tij. Në Shqipërinë e rindërtimit, kur vendi kishte nevojë për duar të sigurta më shumë se për premtime, mjeshtra si Isa Rama u bënë arkitektët e heshtur të jetës së përditshme. Ata nuk projektuan vetëm ndërtesa, por i dhanë formë shpresës së një populli që kërkonte të ngrihej. Çdo mur mbante pak nga djersa e tyre, çdo çati pak nga përkushtimi i tyre dhe çdo dritare pak nga ëndrra e familjeve që do të jetonin brenda saj.
Ai ishte vëllai më i madh i një familjeje të madhe. Rrënjët i kishte në Trebisht Bala (Allovci), një trevë që ka nxjerrë burra të fortë në karakter dhe të mëdhenj në zanat. Kujtojmë usta Shaban Ramën (I vjetri) që e nderoi Selaniku, Stambolli... Tradita e mjeshtërisë nuk ishte vetëm profesion, ishte mënyrë jetese. Fëmijëria e tij u rrit mes veglave të punës, ku mësohej se një gur i vendosur shtrembër ishte një padrejtësi ndaj së ardhmes. Kështu zanati u bë pjesë e gjakut të tij dhe mjeshtëria u kthye në identitet. Më pas jeta e çoi drejt Elbasanit, ku krijoi familjen e tij. Bashkëshortja, Selvija, bija e teknikut të njohur të ndërtimit Rustem Beqir Terziu, u bë jo vetëm shoqja e jetës, por edhe vazhdimësia e një lidhjeje që bashkonte dy familje me të njëjtin respekt për punën dhe ndershmërinë. Në atë bashkim nuk u ndërtua vetëm një shtëpi, por një traditë vlerash që i reziston kohës më mirë se çdo beton.
Brezi i Isa Ramës kishte një filozofi të thjeshtë: mjeshtëria nuk matet me atë që fiton, por me atë që lë pas. Prandaj ata nuk kërkonin duartrokitje. E vetmja shpërblim ishte të kalonin vite më vonë pranë një godine dhe të thoshin me zë të ulët: "Edhe këtu kam lënë duart e mia." Ishte krenaria më e pastër, sepse nuk vinte nga fama, por nga ndërgjegjja.
Fatkeqësisht, emra të tillë mbetën shpesh në heshtje. Sistemet ndryshuan, tabelat u zëvendësuan, drejtuesit erdhën e ikën, por puna e mjeshtrave mbeti aty ku ishte, në themelet e qyteteve. Ata nuk kërkuan monumente, megjithatë çdo ndërtesë e ngritur me ndershmëri është monumenti i tyre i vërtetë. Historia shpesh kujton ata që folën më shumë, ndërsa harron ata që punuan më shumë.
Sot, kur ecim nëpër qytete dhe shohim ndërtesa që i kanë rezistuar dekadave, duhet të kujtojmë se pas tyre qëndrojnë njerëz si Isa Rama. Ata nuk ishin vetëm ndërtues muresh; ishin ndërtues karakteri. Ata na lanë një mësim që nuk vjetërohet: se mjeshtëria fillon te njeriu dhe vetëm pastaj kalon në dorën e tij. Prandaj pyetja nuk është vetëm se kush do t'i kujtojë mjeshtra si Isa Rama. Pyetja më e madhe është nëse do të dimë të rrisim përsëri burra që ta duan zanatin më shumë se lavdinë, përgjegjësinë më shumë se përfitimin dhe punën e ndershme më shumë se emrin në tabelë. Sepse Trebishti ka nxjerrë njerëz të tillë. Shqipëria është ngritur mbi duart e tyre. Dhe e ardhmja do të jetë po aq e fortë sa brezi i ri që do të dijë të mbajë, me të njëjtin respekt, çekiçin dhe mastarin e mjeshtërisë.








Të lumshin duart që ke qëndisur një kujtim për këtë burrë ky do mbetet në zemrat tona gjithmon i pa harruar me veprat e duarve të veta.
Sa respekt për këta mjeshtra ndërtimi, sepse që e vogël e mbaj mend ,që prindërit kërkonin ustallarë ,
mjeshtra, për të ndërtuar shtëpi!
Vërtetë ishin inxhinjer ndërtimi!
Vlera të tilla kaq të vyera njerëzore duhen shpërndarë si “ relikat” më të bukura të ndërtimeve të tilla , ku në to derdhej mjeshtëria e këtyre mjeshtrave të pakrahasueshëm!
Mirënjohje!
Je i madh për zotin! Më le pa fjal!!! Respekte pa fund për Ty,për familjen tënde dhe për PUNËN e madhe që po bën
Vetëm një mjeshtër i Penës mund ta përshkruaj ashtu siç ka qenë me të vërtet një Person!
Një "gjë"do të them vetëm Profesor:-" Se ç'më dolën ca pika loti "........
Faleminderit shumë për ktë përshkrim kaq të bukur!!!!