top of page

Fatmir Terziu: INTELEKTUALI ME DHEUN AMË NË MAJË TË PENËS

2 hours ago
3 min read

 

Abdurahim Ashiku – një jetë me gazetarinë dhe fjalën shqipe


E kam takuar për herë të parë në një sallë plotë me intelektualë në një takim letrar për librat e mi, në Athinë. Ishte një nga ato mbrëmje ku libri mblidhte rreth vetes njerëz që, ndonëse jetonin larg Shqipërisë, ende e kishin fjalën shqipe si një adresë të pandryshueshme. Mes tyre ishte edhe Abdurahim Ashiku. Nuk ishte njeriu që kërkonte të binte në sy. Përkundrazi. Kishte atë qetësinë e njerëzve që nuk kanë më nevojë të provojnë se kush janë. Vitet e gazetarisë i kishin mësuar diçka që nuk mësohet në asnjë redaksi, se fjala bëhet më e fortë kur nuk ka nevojë të ngrejë zërin. Që prej atij takimi, emri i tij më është kthyer herë pas here si një prej atyre emrave që lidhen jo vetëm me një profesion, por me një mënyrë të të qenit shqiptar larg Shqipërisë.

Sot, në 85-vjetorin e lindjes së tij, është e lehtë të shkruash se u nderua një gazetar, një publicist, një intelektual. Të tilla janë formulimet e ceremonive. Por një jetë nuk futet aq lehtë në një certifikatë. Abdurahim Ashiku ka kaluar dekada me gazetarinë dhe fjalën shqipe, por ndoshta një nga kapitujt më domethënës i jetës së tij është shkruar larg atdheut, në Greqi, ku për më shumë se tri dekada ai dhe Natasha Ashiku kanë punuar për t'u mësuar fëmijëve shqiptarë gjuhën e tyre.

Kjo nuk është thjesht arsim. Është një formë rezistence ndaj harresës, sepse emigracioni ka një ligj të heshtur, brezi i parë kujton, brezi i dytë pyet, ndërsa brezi i tretë mund të mos e dijë më se çfarë duhet të kujtojë. Në këtë pikë, gjuha nuk është luks kulturor. Është ura e fundit. Dhe Ashiku ka punuar pikërisht mbi atë urë.

Kjo e bën edhe më kuptimplotë titullin “Njerëz që i dua”. Në një kohë kur shumëkush shkruan për të lënë emrin e vet në qendër, ky titull e zhvendos qendrën te të tjerët. Është një zgjedhje e thjeshtë, por jo naive. Të shkruash për njerëzit që do do të thotë të pranosh se gazetaria mund të jetë edhe një formë mirënjohjeje. Në këtë pikë, Ashiku është më shumë se gazetar. Ai është dëshmitar. Dhe dëshmitari i mirë nuk e zbukuron kohën. Ai e mban atë të mos zhduket.

Veprimtaria e organizuar nga “Botimet M&B”, me mbështetjen e Federatës së Paqes Universale, në mjediset e Ambasadës së Paqes në Tiranë, mblodhi rreth njëqind të ftuar për 85-vjetorin e tij. Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Këshilli i Qarkut Dibër e nderuan me Certifikatë Mirënjohjeje. Fondacioni “Bijat” nderoi Natasha Ashikun, ndërsa Federata e Paqes Universale u akordoi të dyve titullin “Ambasador për Paqe”, në vlerësim të kontributit të tyre në edukimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Greqi.

Mirënjohjet janë të bukura. Por nuk janë thelbi. Thelbi është ajo që ka ndodhur përpara se të vinte ceremonia: vitet, librat, gazetaria, mësimi i shqipes, takimet, njerëzit dhe ajo këmbëngulje e qetë që e mban një gjuhë gjallë edhe kur ajo rrethohet nga një tjetër gjuhë, një tjetër kulturë dhe një tjetër mënyrë jetese. Prandaj, kur e rikujtoj takimin tim të parë me Abdurahim Ashikun në atë sallë të Athinës, ku flitej për librat e mi, sot e shoh ndryshe.

Atëherë ishte një takim. Sot duket si një pikë në një hartë shumë më të gjatë. Një intelektual që kishte zgjedhur të mos e linte Shqipërinë pas vetes, edhe pse jetonte larg saj. E kishte marrë me vete në mënyrën më të vështirë dhe më të qëndrueshme: në gjuhë. Kjo është arsyeja pse Abdurahim Ashiku nuk është thjesht një emër që sot feston 85 vjet. Është një njeri që dëshmon se atdheu, për një intelektual, nuk është gjithmonë një territor. Ndonjëherë është një fjali, një libër, një fëmijë që mëson shqip, një fjalë që refuzon të vdesë. Dhe mbi të gjitha, një penë që ende e mban dheun amë në majë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page