top of page

Fatmir Terziu: Hi(s)ja e palëshuar e Diellit…

2 hours ago
5 min read

Hi(s)ja e palëshuar e Diellit…

 

Nga Fatmir Terziu

 

Sot, kur shkollat në Shqipëri hapin përsëri dyert dhe oborret mbushen me hapa të vegjël, çanta të reja, zëra fëmijësh dhe atë emocionin e papërsëritshëm të një fillimi, Dielli duket sikur ka një tjetër hise për të lëshuar. Nuk është vetëm një ditë e re mësimi. Është një fillim i ri i asaj që do të bëhet kujtesë nesër. Në klasat ku sot hapen librat e parë, fëmijët nuk marrin vetëm shkronja, numra e rregulla; ata marrin nga dora e mësuesit një pjesë të dritës me të cilën do të matin botën. Dhe ndoshta pikërisht aty duhet kërkuar “hiseja e Diellit”, te një fëmijë që mëson të lexojë, te një fjalë që merr kuptim, te një libër që hapet dhe e bën errësirën pak më të vogël.

Kjo, sepse ne shqiptarët, sot jemi këndej, jemi andej, jemi gjithkund dhe, çuditërisht, po aq edhe askund. Kjo është ndoshta gjendja më e saktë e njeriut të sotëm, lëvizim shumë, por jo gjithmonë mbërrijmë, flasim shumë, por jo gjithmonë themi, shkruajmë shumë, por jo gjithmonë lëmë pas vetes një gjurmë drite. Ndoshta prandaj çdo fund na shfaqet si fillim dhe çdo fillim mbart brenda vetes hijen e një fundi. Në këtë qarkullim të çuditshëm të kohës, fjala herë bëhet dritë, herë mjegull. Herë ngrihet si një dëshmi, herë zbret në baltën e ditës. Ajo mund të jetë një heshtë e mprehur kundër harresës, por mund të bëhet edhe një matrapik që shpon kujtesën vetëm për të nxjerrë prej saj atë që i leverdis dikujt.

Dhe aty nis problemi, ngaqë errësira nuk është gjithmonë mungesë e Diellit. Ka raste kur errësira është një zgjedhje. Dikush e mbyll dritaren. Dikush e ul perden. Dikush nuk do ta shohë atë që është përpara syve. Dhe dikush tjetër, më i rrezikshmi, na bind se ajo që shohim nuk ekziston. Dhe Ai e di…

E di politikani që e ka kthyer fjalën në llogari. E di zyrtari që e ka harruar kuptimin e përgjegjësisë. E di shkronjërenditësi që i vendos fjalët njëra pas tjetrës pa pyetur më nëse ato mbajnë ende peshën e së vërtetës. E di edhe ai që shkruan vetëm për të mos mbetur jashtë zhurmës së kohës.

Por letërsia nuk është zhurmë. Letërsia është ajo pjesë e heshtjes që vazhdon të flasë edhe pasi zhurma ka pushuar. Këtë e ndjeva përsëri duke u kthyer te shkrimet e Adem Istrefit. Duke rilexuar “Lëshoma hisen e diellit”, nuk më dukej sikur po rilexoja vetëm një titull apo një vepër. Më dukej sikur po kthehesha te një pyetje e vjetër, e cila nuk është plakur aspak: Sa Diell i takon njeriut dhe kush ia mban peng hisen?

Hiseja e Diellit nuk është vetëm drita që bie mbi fytyrë. Është e drejta për të parë, për të kujtuar, për të folur, për të mos u fshirë. Është ajo pjesë e vogël e së vërtetës që secili brez duhet t'ia dorëzojë brezit tjetër. Por historia jonë letrare ka njohur shumë hise të humbura. Ka pasur njerëz që kanë shkruar në dritë dhe janë lexuar në errësirë. Ka pasur libra që kanë pritur vite për lexuesin e tyre. Ka pasur zëra që janë dëgjuar vetëm pasi koha kishte kaluar mbi ta si një natë e gjatë. Dhe prapë, libri ka mbetur. Kjo është mrekullia e letërsisë.

Ajo mund të humbasë autorin, por jo domosdoshmërisht zërin. Mund të humbasë kohën, por jo kujtesën. Mund të kalojë nëpër errësirë, por gjithmonë ruan diku një shkëndijë që pret një sy për ta parë. Dhe Ai e di…

Errësira vendoset shpejt pas perëndimit të Diellit. Por nuk është nata ajo që duhet të na trembë. Nata është pjesë e natyrës. Ajo që duhet të na trembë është errësira që ndërtohet me vetëdije brenda njeriut. Ajo errësirë që i bën fjalët të humbin kuptimin, që e kthen gjuhën në dekor, që e shndërron historinë në një fjali të papikësuar, që i mëson kujtesës të heshtë.

Prandaj edhe gjuha, në një pikë të caktuar, bëhet vetë një vend beteje. Gjuha në një fund. Gjuha në një fillim. Gjuha mes të dyjave. Morfologjia e kohës ndryshon. Sintaksa e kujtesës këputet. Fjalët mbeten, por marrëdhëniet mes tyre lëkunden. Dhe kur një gjuhë fillon të humbasë kuptimin e fjalëve të veta, ajo nuk humbet vetëm gramatikën; humbet një pjesë të vetvetes.

Ndoshta për këtë arsye stilolapsi vazhdon të punojë edhe kur dora lodhet. Dhe tastiera vazhdon të goditet nga gishta të padukshëm edhe kur bota ka mbyllur dritat.

Dikush duhet të dëshmojë. Dikush duhet të shkruajë atë që nesër do të kërkojë një lexues. Dikush duhet të ruajë një fjalë nga zhdukja. Dikush duhet të mbajë ndezur një dritë. Kujtime të hidhura. Kujtime të pavdekshme. Dy anë të së njëjtës faqe. Dhe ndoshta këtu qëndron edhe fuqia e letërsisë. Ajo nuk na premton se do ta mundë errësirën. Ajo na premton vetëm se nuk do ta pranojë atë si fat.

Duke rilexuar “Net Kosovare”, duke u ndalur te “Mëngjesi i së nesërmes”, ndjeva se leximi nuk ishte më thjesht kthim te një autor. Ishte një kthim te vetja. Te ajo pjesë e kujtesës që nuk pranon të plaket. Sytë u ndjenë të lagësht. A e kishin fajin sytë?

Ndoshta jo. Ndoshta fajin e kishte leximi. Ndoshta ishte ajo dritë e vogël që një libër ndez në një vend ku mendon se gjithçka është mbyllur, sepse çdo cikël përfundon, por asnjë fund nuk është absolut. Agimi vjen edhe kur nata duket e pafund. Drita nuk pyet nëse errësira është gati të largohet. Ajo thjesht vjen. Dhe kur vjen, zbulon edhe atë që nata kishte fshehur. Prandaj sot, pas kaq kohe, “Hisen e Diellit” nuk do ta lexoja vetëm si një kërkesë për dritë. Do ta lexoja si një kërkesë për drejtësi ndaj kujtesës, ndaj fjalës, ndaj librit dhe ndaj njeriut.

E theksoj, askush nuk duhet ta marrë të gjithë Diellin. As politikani, as zyrtari, as kritiku, as shkrimtari, as koha. Dielli nuk është pronë. Dhe secili brez duhet të ketë hisen e vet. Le ta lëmë, pra, një hise drite për ata që vijnë pas nesh. Për ata që do të lexojnë këto faqe kur emrat tanë të jenë bërë kujtime. Për ata që do të kërkojnë nëpër arkivat e kohës të dinë se çfarë kemi menduar, çfarë kemi ndier dhe çfarë kemi refuzuar të harrojmë.

Le të kemi më shumë Diell për letrat shqipe. Më shumë dritë për librin. Më shumë kujtesë për fjalën. Dhe më shumë njerëz që, kur u jepet një hise Dielli, nuk e mbajnë për vete. Adem Istrefi, faleminderit për atë hise drite që na e ke lënë në faqe, sepse disa libra nuk mbarojnë kur mbyllet kopertina. Ata vazhdojnë të lexojnë edhe lexuesin. Dhe ndoshta kjo është hiseja më e bukur e Diellit, ajo që nuk lëshohet kurrë. Ndoshta kjo është arsyeja pse, në një ditë si kjo, kur një brez i ri nis udhëtimin e tij drejt dijes, fjala “Diell” merr një kuptim edhe më të thellë. Çdo klasë është një dritare. Çdo libër është një dritë e mundshme. Çdo mësues është dikush që mund t’ia zgjasë një fëmije hisen e vet të Diellit, jo për një ditë, por për gjithë jetën. Nëse një shoqëri dëshiron të mos mbetet në errësirë, ajo duhet të fillojë pikërisht aty: duke i mësuar fëmijët të lexojnë, jo vetëm fjalët, por edhe botën; jo vetëm atë që u thuhet, por edhe atë që fshihet mes rreshtave.

Prandaj, në këtë mëngjes të ri shkollor, le ta kujtojmë edhe një herë se hiseja e Diellit nuk është diçka që duhet mbajtur peng. Ajo duhet dhënë. Nga mësuesi te nxënësi, nga libri te lexuesi, nga një brez te tjetri. Le të ketë dritë në klasat e Shqipërisë, dritë në gjuhën shqipe, dritë në librat që fëmijët do të hapin sot dhe në ëndrrat që do të shkruajnë nesër. Sepse një vend mund të ndërtojë shumë gjëra me duar, por të ardhmen e ndërton vetëm kur i jep fëmijës së vet hisen e plotë të Diellit.

(Londër, 2019 – 2026)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page