Baxhul Merkaj: Piktori që skaliti kohën dhe përjetësinë

Ndini Bardhi, në memorien
Piktori që skaliti kohën dhe përjetësinë
Nga Baxhul Merkaj
Kritik arti
Piktori i shquar Ndini Bardhi është i përjetshëm sa përjetësia. Ishte dhe mbeti miku im më i mirë, artist i magjishëm i pikturës shqiptare, mjeshtër i portretit dhe i peizazhit.
Ndini, njeriu që përherë mbolli dashuri e mirësi në familjen e tij dhe mbarë njerëzinë. Sot, në shenjë respekti për familjen, gruan Lejla dhe fëmijët, për tërë miqtë e shokët e tij, ku ai ishte bërë shpirti i tyre, po hedh këto mbresa për mikun tim të shenjtë, Ndini Bardhi.
“Erdhe, Baxhul... iku me emrin tënd në gojë”, më foli ajo, Lejla, gruaja e tij, dhe lotët nuk i mbajti dot. Edhe unë erdha, se kisha lënë takim me të. Dhe u afrova dhe e putha atë, mikun tim, Ndinin, aty ku ishte mbështjellë nga lulet shumëngjyrëshe. I donte shumë ato lule të fushave të Myzeqesë.

Po, para një muaji kishim lënë takim aty tek “Europa Kafe”, ora dhjetë paradite. Por unë, në punët e mia pak të vështira, se dua të punoj, të nxjerr lekët e kafesë që shkëmbej me shokët e miqtë, se pensioni shumë i vogël nuk më mjafton, megjithëse Ministria e Artit më akordoi para disa vitesh pensionin e veçantë dhe më mori në telefon sekretari i përgjithshëm, Ylli Asllani, i asaj kohe, ku ma tha: “Ta gëzosh pensionin suplementar të veçantë!” Por kur shkova në bankë... jo, hiç.
Ndaj kisha harruar takimin me mikun tim. Ai më priti aty tek “Europa”, në piskun e vapës së gushtit. Po unë... O Zot, sa dhimbje ndjej! Përditë me të, prej 30 vitesh. Mbi kokën e krevatit tim shihen me të...
Në një ekspozitë që hapi aty tek Muzeu Kombëtar, me peizazhe, por bukur ama, ma dhanë fjalën edhe mua si kritik arti dhe fola për punimet e tij. Kishin këto punime jetë, dritë, fushë, mal. Kishte brenda tyre shpirtin e fshatarit myzeqar, por dhe elementin qytetar. “Zgjidh një, ç’të pëlqen?”, më tha ai dhe ma solli me biçikletën e tij në shtëpi. Biçikletën e kishte mikeshën e tij më të mirë.

Po sot, aty tek “Europa Kafe”, aty mësova për ikjen e tij nga një mik i atij dhe imi, Dukagjin Hata, gazetar. Ky si... s’i mbajtëm dot lotët. Ishin këto lotët e dashurisë, miqësisë për mjeshtrin e portretit, ku kishte qëndisur me dorën e tij të artë qindra portrete të artistëve të skenës, ekranit, por dhe portrete të njerëzve të thjeshtë. Kishte hyrë në qindra familje me punimet e tij.
Kur ndaheshim aty pranë autobusit ku hipja, nxirrte nga xhepi i xhaketës së tij: “Merri këto qindarka, se të duhen për autobus”, më thoshte me buzëqeshje.
Aty tek shtëpia e tij e fundit ishin gruaja Lejla, djali dhe vajza; pritej dhe vajza tjetër nga Italia. Bijtë e tij si drita, nipër dhe mbesa. Tërë dashuri. Flisnin për të. Ai u kthye në shenjtëri me dashurinë që mbolli.
Bëra një foto me gruan e tij, që jetoi me të prej 47 vitesh, dhe i dhashë fjalën se për mikun tim të cenuar do të them dy fjalë në gazetën prestigjioze “Fjala e Lirë”, të drejtuar nga mjeshtri, doktor, profesor Fatmir Terziu, dhe në portale të tjera.
Nuk i thashë lamtumirë mbretit të pikturës, mikut tim Ndini Bardhi, se ai jeton në përjetësi, me gjithë dashurinë që ka mbjellë tek miqtë, shokët, te tërë njerëzia...
Baxhul Merkaj
Kritik arti
Tiranë, 14 shtator 2026









Comments