top of page

Fatmir Terziu: Fallsifikimi i hundës së madhe shqiptare

Fallsifikimi i hundës së madhe shqiptare

(Një ëndërr)

 

Ëndërroj hundën e madhe shqiptare, të rritur në inkubatorët e errët të viteve ’60, 70, ’90, ’97, ’25, ’26, të ngulur në tokë mbi maja, duke u zgjatur jo për të marrë frymë, por për të kapur grimca ajri artificial europiano-aziatik, duke nuhatur me ngulm nëse ka mbetur ende ndonjë aromë njeriu dhe nëse ikja do të ndalet këtu apo vetëm do të kalojë. Në makthin tim shoh karvane që lëvizin pa zë, kuaj me veshë të shurdhër që lënë pas vetëm trokthin e shekujve, dhe mbi pluhur grumbullohen hundë të tjera, shekullore, të thërrmuara në zhavorr si relike të një nuhatjeje të humbur.

Hunda e madhe shqiptare rritet e pabindur, nën një tension të vazhdueshëm, ndërsa mbi të qëndron një trup mbikëqyrës i cunguar, me vetëm grushtin, dy gishta, gishtin e madh dhe gishtin tregues, të mjaftueshëm për të drejtuar, shënuar dhe gjykuar pa pasur nevojë për asgjë tjetër. Në të është ngulur një gyp dhe përmes tij derdhen butësisht shkarkesat e brendshme, një higjienë e heshtur e turpit, ndërsa hunda kolosale vazhdon të rritet pa fund, një rritje që diku tjetër do të ishte nder e mençuri, si në Kinën e lashtë ku hundët e mëdha respektoheshin si shenjë pavdekësie, ku Lao Ce thuhej se kishte hundë shtatëmbëdhjetë centimetra të gjatë dhe Mao nuk lejonte që hundët të mateshin, ndërsa këtu matja është fe dhe krahasimi është ligj.

Në vitin ’90 vetë hunda gëzohet për një çast, një gëzim i parakohshëm, dhe pa e kuptuar i ndërron demonstratat me tubime, inkubatorin katror me një tryezë të rrumbullakët, duke besuar se forma mund të ndryshojë aromën, por aroma mbetet e njëjtë. Pastaj vijnë vathët, (moda e re demokratike) njëri pas tjetrit, gabim pas gabimi, tmerr pas tmerri, sepse gjithmonë ka vend për një vath më shumë, dhe hunda shpohet deri sa vetë hunda sëmuret, mukoza hollohet, hollohet gjatë, një hollim i pafund, dhe të gjithë kapen hundë më hundë, dorë për dore, duke u shfryrë sa munden, duke teshtirë me forcë, derisa vrimat hapen dhe stërkalat fluturojnë.

Dhe askush nuk sheh më prangat në vrimën e vet, por vetëm vathin e tjetrit, uh-huh, uh-hoh, uh-hoh-hoh. Ndërsa engjëjt shfaqen me peshqirë në duar dhe disa stërkala arratisen, ia mbathin drejt Apokalipsit që gjëmon “kush ka hundë, le të gjëmojë”.  Askush nuk kupton se kjo nuk është fundi, por vetëm pragu, dhe askush nuk dëshiron ta dijë se më e tmerrshmja është apokalipsi i dështuar. Ai që përsëritet pa fund. Ndaj disa vrapojnë e fshihen dhe të tjerët mblidhen në stërkala.

Pastaj shfaqet një shpellë, ose vetë hunda me dy hyrje, dhe një zë thërret të shkohet atje ku farkëtohet vathi i hundës shqiptare, dhe brenda, mes dy vrimave, ngrihet një mal qimesh ku vetë hunda farkëton vathin e saj duke e fërkuar mes qimeve, si Akili mbi mburojë. Gjithçka është aty mbi të, kuzhinat, gypat, gënjeshtarët dhe të mashtruarit, ata që janë kapur hundë pas hunde dhe ata që menduan se ishin fshehur, sepse hunda nuk përjashton askënd. Dhe asnjë Sekretar i Parë, sado i pamend, nuk do të mund ta hiqte këtë vath.

Hunda mbetet e madhe, tipike, po aq shqiptare, pa hyrë në Guinness, por duke ua kaluar kullave të Dubait. Ndërsa kohët e fundit thuhet se organizmat globale janë mbledhur për ta fallsifikuar, për ta bërë më të vogël dhe më të pranueshme. Por thuhet gjithashtu se një urdhër nga lart e ka ndalur këtë lemeri. I qofshim falë e qofshim me fat, sepse hunda mbetet aty, e vërtetë, e tepërt dhe e pamundur për t’u fshehur.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page