top of page

Fatmir Terziu: Elbasani i Mjekësisë Popullore ndër vite

Elbasani i Mjekësisë Popullore ndër vite

 

Në vitin 1975, kur isha vetëm njëmbëdhjetë vjeç, jeta më vuri përballë një sprove të vogël, por të dhimbshme, thuajse theva këmbën e majtë. Aksidenti ndodhi papritur dhe dhimbja ishte e fortë, sidomos për një fëmijë. Ishte mesnatë, një orë kur rrugët heshtin dhe shpresa duket se vonon. Ndihma e parë nuk erdhi nga një spital modern, por nga dora e sigurt dhe përvoja e mjekut popullor Avdi Doçi. Kanë kaluar shumë vite që atëherë. Këmba, siç ndodh shpesh me plagët e trupit, është shëruar dhe është zhdukur nga kujtesa fizike. Por mirësia, dija dhe dora shëruese e Avdi Doçit nuk u zhdukën kurrë. Ato mbetën si një shenjë e ngulitur thellë në memorien time, duke më shtyrë të kërkoj më tej në arkivën shpirtërore të Elbasanit dhe të rikujtoj një botë të tërë mjekësie popullore, që sot rrezikon të mbetet vetëm kujtim.

Elbasani ka pasur për dekada me radhë emra të nderuar mjekuesish popullorë, të cilët, pa diploma universitare, por me dije të trashëguar, përvojë dhe përkushtim njerëzor, kanë shërbyer me sukses komunitetin. Krahas Avdi Doçit, kujtesa kolektive ruan emra si Hamide Stafa, Can Neziri, Sulë Abazi, Ali Xhinsi, Rrap Lloshi, figura që për shumë familje ishin shpresa e parë dhe shpesh e vetmja. Këta mjekues popullorë trajtonin një gamë të gjerë sëmundjesh, djegiet, sëmundjet e lëkurës, ethet dhe të ftohurit, dobësitë trupore, anemitë, reumatizmën, pickimet nga insektet, kollën, thyerjen e kockave, sëmundjet e fëmijëve, plasjen, pikën e diellit, hemorroidet e shumë të tjera. Mjekësia e tyre ishte një ndërthurje e dijes empirike, vëzhgimit të hollë dhe besimit në fuqinë shëruese të natyrës. Në Elbasan njiheshin gjithashtu kurrues popullorë të mirënjohur si familja Popa, Iftimi Buda (plaku), Lytfi Abdullai dhe të tjerë, të cilët vazhduan traditën e shërimit si një mision njerëzor dhe moral.

Metodat e përdorura ishin po aq interesante sa edhe efektive për kohën: ushujzat për pastrimin e “gjakut të keq”, jakia për kockat e thyera, vaji i vezëve për djegiet, kupat për të ftohurat, rakia e parë për larjen e plagëve, mjalti dhe vaji i ullirit si ushqyes dhe lehtësues në marrjen e barërave. Çdo element kishte funksionin e vet dhe përdorej me një kujdes pothuaj ritual. Në themel të kësaj mjekësie qëndronin bimët mjekësore. Ato ishin farmacia e natyrës dhe pasuria më e madhe e shërimit popullor. Në këtë fushë, një emër i madh ka qenë dhe mbetet farmacisti Xhavit Bahja, i cili me dijen e tij ndërmjetësonte mes shkencës dhe traditës, duke i dhënë mjekësisë popullore një dimension më të strukturuar dhe të qëndrueshëm.

Sot, kur mjekësia moderne ka përparuar ndjeshëm, kujtimi i mjekësisë popullore të Elbasanit mbetet një dëshmi e vyer e mençurisë popullore, e solidaritetit njerëzor dhe e lidhjes së ngushtë me natyrën. Është një histori që nuk duhet harruar, sepse ajo flet për një kohë kur shërimi nuk ishte vetëm akt mjekësor, por edhe akt zemre. Kjo mjekësi popullore nuk ishte thjesht një praktikë shërimi, por një mënyrë jetese dhe një kod etik i pashkruar. Mjekuesit popullorë të Elbasanit nuk e ndanin kurrë dhimbjen nga njeriu; për ta, i sëmuri nuk ishte rast, por fytyrë, histori, familje. Shpeshherë, pagesa nuk ishte paraja, por një falënderim i sinqertë, një thes miell, një shishe vaj ulliri apo thjesht fjala e mirë që përhapej nga një shtëpi në tjetrën.

Në lagjet e vjetra të qytetit, emrat e tyre përmendeshin me respekt të veçantë. “Shko te Hamidja”, “pyet Can Nezirin”, “Avdi Doçi e ka dorën e lehtë”, këto nuk ishin thjesht këshilla, por garanci morale. Besimi i komunitetit ishte diploma e tyre më e lartë. Ata njihnin trupin e njeriut përmes përvojës, por mbi të gjitha njihnin shpirtin dhe frikën që shoqëron sëmundjen. Njohuritë trashëgoheshin brez pas brezi, kryesisht gojarisht. Recetat ruheshin në kujtesë, jo në letra, dhe çdo bimë kishte emrin, kohën e mbledhjes dhe mënyrën e përdorimit. Pranvera dhe vera ishin stinë grumbullimi: lule, rrënjë, gjethe e lëvore pemësh thaheshin në hije, ruheshin në qese pëlhure dhe përdoreshin me masë të saktë. Gabimi nuk lejohej, sepse natyra shëron, por edhe ndëshkon kur nuk respektohet.

Mjekësia popullore e Elbasanit kishte edhe dimensionin e saj social. Ajo shfaqej në raste epidemish gripi, në dimra të ashpër, në kohë varfërie kur barnat mungonin. Në këto kushte, mjekuesit popullorë ishin shtylla e parë e mbijetesës shëndetësore të qytetit dhe fshatrave përreth. Ata punonin pa orar, natën dhe ditën, duke e parë shërbimin si detyrë njerëzore dhe jo si profesion fitimprurës. Me kalimin e viteve dhe zgjerimin e mjekësisë shkencore, shumë prej këtyre praktikave nisën të mbeteshin në hije. Spitalet, ambulancat dhe farmacitë moderne ndryshuan rrjedhën e trajtimit shëndetësor. Megjithatë, mjekësia popullore nuk u zhduk plotësisht. Ajo mbijetoi në kujtesë, në ritualet e vogla shtëpiake, në përdorimin e çajrave, të vajrave natyralë dhe të këshillave të vjetra që nënat dhe gjyshet vazhduan t’ua përcillnin brezave të rinj.

Sot, rikthimi i interesit për mjekësinë alternative dhe natyrore e bën këtë trashëgimi edhe më të vlefshme. Elbasani, me historinë e tij të pasur kulturore, mban brenda vetes një thesar dijesh që meriton të dokumentohet, të studiohet dhe të respektohet. Emrat e mjekuesve popullorë nuk duhet të mbeten vetëm kujtime personale, por pjesë e historisë qytetare. Në fund, mjekësia popullore e Elbasanit nuk është thjesht histori shërimesh, por histori njerëzish që besuan tek dora, fjala dhe natyra. Është një dëshmi se, përpara teknologjisë dhe laboratorëve, shërimi ishte një akt besimi dhe afërsie njerëzore dhe ndoshta pikërisht aty qëndron forca e saj më e madhe.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page