top of page

Në Elbasan gjen “derman”


Në Elbasan gjen “derman”


Prof Dr Fatmir Terziu


Elbasani prej vitesh e vitesh, ndoshta aq gjatë sa nuk mbahet mend është cilësuar nga mjaft zona dhe periferi të Shqipërisë edhe si vendi i “mjekësisë”, me një nofkë që vinte nga fraza “në Elbasan gjen derman”. Dhe këtë “derman” e gjeje tek mjaft mjekë popullorë, ose mjaft persona që kishin fituar gjatë jetës ose si trashëgimi të lënë nga prindërit e tyre, të afërmit, apo si një mundësi e talent i fituar gjetkë. Dhe kjo thuajse ekzistonte edhe në kohët kur në Shqipëri, ashtu dhe në Elbasan ishin spitalet dhe mjekësia shtetërore.

Në vitin 1976 në lojë e sipër unë theva këmbën e majtë dhe kështu mbaj mend se menjëherë më dërguan tek mjeku popullor, mjeshtri Avdi Doçi. Dhe menjëherë në shtëpinë e tij tipike elbasanase, në vendin ku sot quhet përballë me Maternitetin të ri, rrugica që kalon tek shtëpia e Dr Besnik Tollumit, “dermani” u gjend menjëherë, me tërë mjeshtërinë e tij e futi kockën në vend, e mbështolli në atë metodën e tij dhe pas vetëm katërmbëdhjetë ditësh këmba u kthye thuajse ashtu sikurse ishte. Kjo ishte dhe si një falenderim “përshpirtjeje” në vitet që ecën dhe emra të tillë të nderuar u harruan, ose thjesht vetëm në kujtesa të tilla mbetën dhe u tretën.

Të tillë mjekues popullorë njiheshin mjaft. Sikurse dihen emrat e Hamide Stafës, Can Nezirit, Sulë Abazit, Ali Xhinsit, Avdi Doçit, Rrap LLoshit etj., i kishin dhënë këtë emër të lidhur me shërrimin e dhimbjeve njerëzore tërë Elbasanit. Prej duarve të tyre u mjekuan me kujdes djegiet, sëmundjet e lëkurës, ethet, të ftohurit, dobësitë, anemitë, reumatizma, pickimet nga insektet e gjarpërinjtë, kolla, pika e diellit, thyerja e kockave, sëmundjet e fëmijëve, plasja, hemorroidet e tj.

Dhe emri i mirë i krijuar nga familja Popa, Iftimi Buda (plaku), Lytfi Abdullai etj., si emra të mirrënjohur të kuruesve popullorë, natyrisht kishin mjaft arsye të bënin që Elbasani të ishte dhe një qendër e një emërtimi të tillë të lidhur me shërrimin nga sëmundjet dhe efektet e tjera që ndodhnin gjatë jetës së njeriut. Ndërsa rriteshim nëpër mjedise të shumta në elbasan qëllonte të dëgjoje për Iftimi Buda, që thoshin se ishte një ndër mjekët më të respektuar në Elbasan. Kështu dhe për mjeshtrin Avdi Doçi, sa që ndonjëherë shkonte në mjeshtrinë evet, në nivelin e të mirrënjohurit Dr Nosi.


Por një farmacist mjaft të veçantë, të respektuar në Elbasan, mjaft të zotë, dhe mbi të gjitha një njohës i shkëlqyer i bimëve mjekësore në shërbim të njeriut, sikurse njihet “si njeriu me vullnet të hekurt”, Xhavit Bahja, natyrshëm e shton më së shumti kërshërinë dhe arsyen për njohjen me këtë traditë të vjetër elbasanase, për të mbajtur lart atë emër që ia ngjizën njerëzit e aftë, të zotë e të bekuar të atij qyteti. Por jo vetëm kaq, por edhe për të shënuar se në këtë qytet, të rrethuar nga një gjeografi të pasur të bimëve mjekësore, natyrshëm duhet shtuar vëmendja teka ajo që të jep natyra, Zoti mbi të gjitha dhe aftësia për ti rivënë ato në jetë në kushtet e sotme. Nga rrjetet sociale mësova se Xhavit Bahja, ka botuar dhe një libër për bimët mjekësore të trevës së Elbasanit, libër që mendoj se natyrshëm dhe padiskutim duhet të jetë një vlerë e madhe e lënë nga një emër si ai, kur dihet se nga të tjerët pak, ose aspak është trashëguar ndonjë e tillë.

Por dihet se sot mjaft nga metodat popullore që kanë pasur bazë bimët mjekësore janë argumentuar shkencërisht se përmbajnë lëndë aktive me vlera të mëdha kuruese.

1,069 views5 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page