top of page

Fatmir Terziu: E SHËMTUARA E SHPIRTIT

  • 6 hours ago
  • 7 min read

E SHËMTUARA E SHPIRTIT

 

Atë natë, Adrian Kodra nuk e gjeti dot gjumin. Kishte mësuar të flinte me zhurmën e qytetit, me telefonin pranë dorës, me dritat që i rrëshqisnin mbi tavan deri vonë, madje edhe me mendimet që dikur i ndante lehtë nga nata. Por atë mbrëmje asgjë nuk e ndihmonte. E si mund ta gjente gjumin, kur pas kaq vitesh një emër i harruar kishte ardhur papritur të trokiste në ndërgjegjen e tij? Një emër që nuk ishte thjesht emër, por një derë e mbyllur keq, pas së cilës kishin mbetur një shkollë mali, një verë e largët, një lumë, një vajzë dhe një burrë që dikur kishte pasur frikë të shihte të vërtetën në sytë e vet. Adriani u kthye në shtrat. Mbylli sytë. Por kujtesa nuk mbyllej. Përkundrazi, sapo errësohej dhoma, ajo ndizte dritat e saj të vjetra. Që prej disa javësh, netët i ishin bërë të gjata. Nuk e shqetësonte më zhurma e qytetit, as dritat që hynin nga perdet e rënda të apartamentit, as telefoni që herë pas here ndriçonte mbi komodinë. E shqetësonte heshtja. Ajo heshtje që lind vetëm kur njeriu mbetet përballë vetes. Dikur flinte kudo. Në dhomat e ftohta të shkollës së malit, në hotelet e vogla të rretheve, edhe mbi tavolinën e mësuesve kur ndonjë mbledhje zgjatej deri vonë. Tani kishte shtrat të madh, ajër të kondicionuar, perde të trasha, një qytet të tërë nën këmbë dhe përsëri gjumi nuk i vinte.

Ishte bërë njeri i rëndësishëm. Të paktën kështu e quanin të tjerët. Disa vite më parë kishte qenë mësues matematike në një shkollë të largët të Mullisit. I ati kishte qenë mësues, para tij edhe dajallarët. Një varg burrash që kishin kaluar jetën para dërrasës së zezë, duke u mësuar fëmijëve numrat, rregullat dhe besimin se dija ishte një mënyrë për ta bërë jetën më të mirë. Pastaj kishin ardhur zgjedhjet. Njerëzit e krahinës nuk lexonin shumë programe. Nuk i ndiqnin debatet. Votonin për njerëzit që njihnin. Dhe Adrianin e njihnin. Kaq kishte mjaftuar. Një derë ishte hapur. Pastaj një tjetër. Dhe ai kishte hyrë në kryeqytet.

- E more me frikë, apo jo, o provincial?

Kryeministri ia kishte thënë duke qeshur, ditën kur i kishte dhënë lajmin për detyrën e re. Adriani kishte qeshur edhe vetë. Atëherë. Tani fjala provincial i vinte ndër mend ndryshe. Kishte fituar një apartament të madh. Gruaja kishte gjetur një vend të mirë pune. Vajza po mbaronte kolegjin. Ai udhëtonte jashtë vendit, merrte pjesë në konferenca, darkonte me njerëz që dikur i kishte parë vetëm në televizor. Kishte gjithçka. Por ndonjëherë, kur mbyllej vetëm në zyrë, i vinte një mendim i bezdisshëm. Ndoshta njeriu mund të fitojë shumë dhe, pa e kuptuar, të humbasë pikërisht atë që e kishte bërë njeri. Nuk dinte pse i erdhi kjo mendje atë ditë. Deri sa sekretarja trokiti.

- Zoti Kodra, një zonjë ka ardhur për t’ju takuar.

- Kush?

- Elira Dosti.

Emri e goditi si një gur të hedhur në një ujë të qetë. Adriani e drejtoi lehtazi kokën. Elira?! Nuk kishte dëgjuar për të prej shumë vitesh.

- Le të hyjë.

Kur dera u hap, përballë tij nuk ishte vajza që kishte ruajtur në kujtesë. Ishte një grua. Një grua me një qetësi të çuditshme në fytyrë, me sy që nuk kërkonin asgjë dhe një buzëqeshje që dukej sikur kishte mësuar të mos i kërkonte botës leje.

- Nuk më njeh? - pyeti ajo.

- Të njoha.

Ai gënjeu. E kishte njohur pas disa sekondash. Por ajo që e tronditi nuk ishte fytyra e saj. Ishte kujtimi i fytyrës së vjetër. Vajza që dikur ata e kishin quajtur, në heshtje, “e shëmtuara”. Asnjëherë në sy. Kurrë. Kjo ishte më e lehtë. Njeriu mund të jetë mizor pa e ngritur zërin. Në shkollën e Mullisit kishin qenë katër mësues. Të rinj, beqarë, të bindur se bota u detyrohej diçka. Kur kishin marrë vesh se do të vinte një mësuese muzike, kishin bërë shaka për ditë të tëra. Prisnin një vajzë të bukur. Kur erdhi Elira, pritja u shndërrua në zhgënjim. Flokët i kishte të zinj e të çrregullt, fytyrën të mbushur me puçrra, tiparet jo sipas shijes së tyre. Dhe mjaftoi. Nuk e përzunë. Thjesht nuk e futën në rrethin e tyre. Ndonjëherë një njeri nuk ka nevojë të dëbohet. Mjafton të mos i hapësh karrigen pranë vetes.

Adriani e kujtonte. Dhe kujtonte edhe diçka tjetër. Elira kishte qenë e vetmja që nuk kishte turp të ishte ashtu siç ishte. Ajo këndonte në korridore. Qeshte me zë të lartë. Ecte nëpër mal sikur bota i përkiste. Ndërsa ai... Ai e kishte parë. E kishte dëshiruar. Dhe kishte heshtur. Tani Elira kishte ardhur për një kërkesë. Donte të rikthehej në arsim. Kishte provuar jetën jashtë vendit. Kishte besuar te njerëz që i kishin premtuar shumë dhe i kishin dhënë pak. Tani donte vetëm punë.

- Më thanë se ti mund të më ndihmosh.

Adriani u mbështet në kolltuk. Për herë të parë ajo kishte nevojë për të. Dhe ai e ndjeu këtë.

- Do ta rregulloj.

Pastaj, pa e menduar gjatë:

- Do të darkosh me mua sonte?

Elira e pa drejt në sy. Një buzëqeshje e lehtë i kaloi nëpër fytyrë.

- Mirë.

Pas largimit të saj, Adriani nuk u mor më me punët e zyrës. Iu kthye një kujtim. Një pasdite vere. Një rrugë e gjatë. Një lumë. Ata të dy. Autobusi i fundit kishte ikur dhe kishin mbetur vetëm. Elira kishte qenë e qeshur. Kishte kënduar rrugës, e kishte ngacmuar, i kishte bërë shaka. Ai kishte heshtur. Kur kishin mbërritur te lumi, ajo ishte futur në ujë. Ai kishte qëndruar larg. Ajo e kishte thirrur. Ai nuk kishte lëvizur. Ajo e kishte thirrur sërish. Ai kishte bërë sikur nuk dëgjonte. Në të vërtetë, kishte dëgjuar çdo fjalë. Kishte parë çdo lëvizje. Kishte ndier çdo rrahje të zemrës. Por kishte pasur frikë. Jo prej saj. Prej vetes. Dhe atë ditë kishte humbur diçka që nuk iu dha më kurrë.

Në mbrëmje, Elira erdhi në takim. Adriani e priti te hyrja e lokalit. Për një çast u ndie krenar. Ajo tërhoqi vëmendje. Por ajo krenari i dukej tani disi e dyshimtë, sikur ai donte t'u tregonte të tjerëve se gruaja pranë tij i përkiste atij. E çoi në hotelin e një miku. Dhoma ishte e veçantë, e izoluar nga zhurma e qytetit. Kur dera u mbyll pas tyre, të dy heshtën. Në atë heshtje kishte pesëmbëdhjetë vjet. Elira iu afrua. Adriani nuk lëvizi. Ajo i vuri dorën në qafë.

- Ende ke frikë? - pyeti.

Ai buzëqeshi.

- Nga çfarë?

- Nga unë.

- Jo.

- Atëherë nga kush?

Ai nuk u përgjigj. Elira e puthi. Dhe atëherë, për një çast, koha u shemb. Nuk kishte më shkollë mali. Nuk kishte më kolegë. Nuk kishte më nofka. Nuk kishte më kryeqytet. Kishte vetëm dy njerëz që kishin ardhur te njëri-tjetri shumë vite me vonesë. U afruan me etjen e atyre që nuk dinë nëse po jetojnë një fillim, apo po mbyllin një borxh të vjetër. Adriani e ndjeu veten të kthyer pas në kohë. Por këtë herë nuk u fsheh. Kur gjithçka u qetësua, Elira qëndroi pranë tij. Nuk foli. As ai. Pastaj ajo pyeti:

- A mendon ende se isha e shëmtuar?

Adriani u ngrit paksa mbi bërryl. Pyetja i erdhi papritur.

- Jo.

- Nuk të pyeta për tani.

Ai heshti. Elira e pa gjatë.

- Të gjithë ju më shihnit ashtu.

- Isha djalë.

- Jo, Adrian. Ishe burrë mjaftueshëm për të ditur se po më lëndonit.

Fjalët ranë rëndë. Ai ktheu kokën.

- Më fal.

- Nuk kam ardhur për faljen tënde.

- Për çfarë ke ardhur?

Ajo buzëqeshi.

- Për punën.

Ai e pa. Për herë të parë atë mbrëmje nuk dinte çfarë të mendonte. Pas pak, ajo u ngrit.

Adriani e pyeti:

- Nuk do të rrish?

- Jo.

- Mund të rrish.

- Ti mund të më ofrosh një dhomë. Mund të më ofrosh një punë. Mund të më ofrosh edhe një natë tjetër. U kthye drejt tij.

- Por nuk mund të më kthesh pesëmbëdhjetë vjet.

Ai nuk foli. Elira veshi pallton. Në derë u ndal.

- E di çfarë mendoj, Adrian?

- Çfarë?

- Ndoshta ti nuk ke ndryshuar aq sa mendon.

Ajo doli. Adriani mbeti vetëm. Për disa minuta nuk lëvizi. Pastaj u ngrit dhe doli në korridor. Jashtë, qyteti vazhdonte të jetonte. Një autobus u ndal pranë trotuarit. Shoferi e njohu.

- Zoti Kodra!

Adriani ngriti dorën. Pastaj e uli. Nuk hipi. Vazhdoi të ecte. Në një vitrinë të errët pa fytyrën e vet. Kostumi i shtrenjtë. Flokët e rregulluar. Fytyra e lëmuar. Pamja e një njeriu që kishte arritur gjithçka. Por papritur i dukej se në atë fytyrë mungonte diçka. Nuk mendoi se ishte bukuria. Diçka më e thellë. Kujtoi Elirën e re. Trazoi nëpër mjegull Lumin. Pastaj iu duk se ndjeu zërin e saj. Thirrjen. Frikën e tij. Dhe pastaj pyetjen: Kush kishte qenë vërtet i shëmtuar? Adriani preku xhamin. Për një çast iu duk sikur fytyra përballë nuk ishte e tija. Pastaj e kuptoi. Ishte pikërisht e tija. Dhe kjo ishte më e keqja, sepse tani e dinte. Njeriu mund ta ndërrojë fshatin me kryeqytetin. Mund ta ndërrojë dërrasën e zezë me një zyrë të lartë. Mund ta ndërrojë varfërinë me luksin. Mund ta ndërrojë rrobat. Mund ta ndërrojë edhe dashurinë me dëshirën, por nuk mund të ndërrojë lehtë atë që ka bërë me shpirtin e vet.

Adriani vazhdoi rrugën. Dritat e kryeqytetit u zgjatën mbi asfalt. Diku, larg, një lumë vazhdonte të rridhte. Dhe për herë të parë pas pesëmbëdhjetë vjetësh, ai nuk mendoi për vajzën që dikur e kishin quajtur “të shëmtuar”. Mendoi për djalin që kishte qenë vetë. Dhe e kuptoi se disa njolla nuk shihen në pasqyrë. Ato shfaqen vetëm kur njeriu mbetet vetëm.

 

 

Shkëputur nga vëllimi me tregime „Misteriozja“ botuar për herë të parë tek (Globus R, Tiranë, 2009)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page