top of page

Fatmir Terziu: E pathëna e vlerës absolute të shqiptarit nga Kosova

  • 17 hours ago
  • 8 min read

 

E kam njohur shqiptarin e Kosovës jo gjithmonë me emra të mëdhenj, as me ata që historia i ka vendosur në faqet e para të saj, por me emra të thjeshtë, njerëz që nuk kishin nevojë për zhurmë për të dëshmuar vlerën e tyre. E kam njohur te Kujtim Mulhaxha, Gëzim Bojku, Sherif Bllaca, Lutfi Gashi, Përparim Rama, Daut Dauti, Mithat Ibrahimi, me çiftin intelektual Ragip dhe Valbona Luta, Drita Ademi dhe babain i saj i paharruar, Begzad Baliu, Lumnie Thaçi, Xhemë Karadaku, Valbona Ahmeti, Bajram Dabishevci, Minush Hoxha, por edhe te shumë të tjerë që ndoshta nuk i njeh historia me të njëjtën bujë, por i njeh jeta me një respekt tjetër. Te këta njerëz kam parë diçka që nuk matet me titull, pasuri apo famë: një lloj vlere të heshtur, që nuk kërkon të shpallet, sepse është e pranishme në mënyrën si flasin, si kujtojnë, si respektojnë, si e mbajnë fjalën dhe si e bartin Kosovën brenda vetes. Dhe sa më shumë i kam njohur, aq më shumë kam kuptuar se shqiptari i Kosovës nuk mund të shpjegohet vetëm përmes historisë që i ka ndodhur; ai duhet kërkuar edhe te njeriu që ka mbetur pasi historia ka kaluar. Sepse ndoshta vlera absolute e shqiptarit nuk qëndron në madhështinë e emrit, por në madhështinë e qenies.

Vlera absolute e shqiptarit nga Kosova nuk qëndron në atë që historia i ka dhënë, por në atë që ai ka refuzuar t’ia dorëzojë historisë, vetveten. Kjo është teza nga e cila duhet nisur. Duke ditur se historia ka një pushtet të çuditshëm mbi njeriun, ajo mund ta vendosë në një kohë, në një tokë, në një luftë, në një kufi, në një gjuhë, në një kujtesë. Mund t’i japë një emër, një plagë, një flamur, një datë lindjeje e një datë vdekjeje. Por ekziston diçka që historia nuk duhet të ketë të drejtë ta marrë, mundësinë e njeriut për të përcaktuar vetveten. Këtu fillon shqiptari i Kosovës. Shqiptari i Kosovës nuk është thjesht si figurë folklorike, as si monument, jo e jo si viktimë, por ama jo edhe si hero i ngrirë në bronz. Shqiptari i Kosovës transmetohet në qindra vlera si qenie që ka luftuar për të mos u reduktuar në atë që i ka ndodhur. Tek togfjalëshi shqiptari i Kosovës njeriu nuk është vetëm historia e tij. Njeriu është marrëdhënia që krijon me historinë e vet. Dhe kjo është një dallim vendimtar.

Një popull mund të ketë një histori të rëndë dhe të mbetet i vogël shpirtërisht. Mund të ketë vuajtur dhe ta kthejë vuajtjen në urrejtje. Mund të ketë qenë i shtypur dhe, sapo të fitojë fuqinë, të riprodhojë të njëjtën logjikë që dikur e kishte shtypur. Prandaj vuajtja nuk është automatikisht virtyt. Historia nuk është automatikisht moral, dhe viktima nuk bëhet automatikisht më e drejtë vetëm sepse ka vuajtur. Vlera fillon në çastin kur njeriu zgjedh se çfarë do të bëjë me atë që i ka ndodhur. Kjo është pika ku historia përfundon dhe filozofia fillon.

Shqiptari i Kosovës ka jetuar gjatë nën një pyetje ekzistenciale që shumë popuj nuk e kanë njohur me të njëjtën intensitet: A kam të drejtë të jem ai që jam? Kjo nuk është thjesht pyetje politike. Është pyetje mbi qenien, mbi identitetin, sepse të mohosh identitetin e tjetrit nuk do të thotë vetëm t'i mohosh një emër. Do të thotë t'i mohosh të drejtën për të qenë burim i kuptimit të vet. Në këtë kuptim, ruajtja e gjuhës, kujtesës dhe identitetit nuk ka qenë vetëm një akt kombëtar.ka qenë një akt ontologjik, por edhe një mënyrë për të thënë: “Unë jam, sepse unë e përcaktoj kuptimin e qenies sime.” Dhe kjo “jam” është më e thellë se çdo slogan. Është fjala e parë e lirisë, sepse para se njeriu të kërkojë të jetë i lirë politikisht, duhet të jetë i lirë në përkufizimin e vetes. Mund të kesh një shtet dhe të jesh ende i robëruar nga frika. Mund të kesh një flamur dhe të jesh ende i varur nga miratimi i tjetrit. Mund të kesh kufij dhe të mos kesh ende një vetëdije të lirë. Prandaj liria e vërtetë nuk fillon te kufiri, por fillon te e drejta për ta thënë “unë”. Ndoshta për këtë arsye gjuha shqipe ka një rëndësi që shkon përtej komunikimit.

Gjuha është shtëpia e parë e qenies. Para se njeriu të ketë një adresë, ka një fjalë me të cilën thërret nënën. Para se të ketë një shtet, ka një këngë. Para se të ketë një histori të shkruar, ka një tregim të përcjellë pranë oxhakut. Kështu, një gjuhë nuk është vetëm një sistem fjalësh. Është një mënyrë e trashëguar për ta parë botën. Kur një nënë i flet fëmijës së saj shqip, ajo nuk po i transmeton vetëm fjalorin, po i transmeton një univers. Dhe kur një brez e ruan gjuhën, ai nuk po ruan vetëm të kaluarën. Po ruan mundësinë që e ardhmja të mos jetë pa rrënjë.

Por këtu lind edhe një rrezik. Të duash të kaluarën nuk do të thotë të jetosh në të. Kujtesa është e shenjtë vetëm deri në pikën ku nuk bëhet burg. Një popull që harron, humbet, por një popull që vetëm kujton dhe nuk krijon, ngurtësohet. Prandaj shqiptari i Kosovës ka përpara një detyrë më të vështirë se ruajtja e kujtesës, ta tejkalojë atë pa e tradhtuar. Kjo është pjekuria historike. Të mos e mohosh plagën, por të mos e bësh plagën identitet. Të mos e harrosh padrejtësinë, por të mos e kthesh padrejtësinë në filozofi të jetës. Të mos e fshehësh të kaluarën, por të mos e përdorësh të kaluarën si justifikim për të mos ndërtuar të ardhmen, sepse nëse një popull mbetet përgjithmonë vetëm ajo që i është bërë, atëherë ai vazhdon të jetojë nën pushtetin e atij që ia ka bërë.

Çlirimi i plotë ndodh kur historia nuk ka më fuqi të përcaktojë karakterin tënd. Këtu qëndron edhe paradoksi i dhimbjes. Dhimbja mund të jetë dëshmi e asaj që ka ndodhur, por nuk duhet të bëhet testament për atë që do të bëhemi, sepse nëse ua trashëgojmë fëmijëve vetëm zemërimin tonë, atëherë padrejtësia vazhdon të jetojë edhe pasi ngjarja ka përfunduar. Ajo ndryshon vetëm trupin dhe nga tga trupi i viktimës kalon në trupin e kujtesës. Pastaj nga kujtesa kalon në sjellje. Dhe kështu një dhimbje e vjetër mund të prodhojë një dhimbje të re. Prandaj një nga format më të larta të fitores është të mos lejosh që dhimbja të të bëjë të ngjashëm me atë që të ka lënduar. Të mos e trashëgosh urrejtjen është një akt filozofik. Është të thuash se e ardhmja nuk i detyrohet së kaluarës. Kjo na çon te kuptimi i vërtetë i dinjitetit. Dinjiteti nuk është krenaria se i përket një grupi. Krenaria mund të lindë pa meritë. Dinjiteti jo. Dinjiteti është përgjegjësi.

Nëse paraardhësi yt ka sakrifikuar për lirinë, ti nuk e nderon duke bërtitur më shumë për të. E nderon duke qenë më i drejtë. Nëse ai ka ruajtur gjuhën, ti nuk e nderon vetëm duke e folur. E nderon duke mos e varfëruar. Nëse ai ka ëndërruar një shoqëri të lirë, ti nuk e nderon vetëm duke festuar lirinë. E nderon duke mos e përdorur lirinë kundër tjetrit. Kjo është arsyeja pse një komb nuk matet vetëm me heronjtë e tij. Matet me mënyrën se si sillet me njeriun e zakonshëm. Me fëmijën që nuk ka pushtet. Me të moshuarin që nuk ka zë. Me të varfrin. Me të huajin. Me kundërshtarin. Me atë që mendon ndryshe. Aty provohet nëse historia është shndërruar në qytetërim apo ka mbetur vetëm në kujtesë.

Shqiptari i Kosovës ka kaluar nga pyetja e mbijetesës te pyetja e kuptimit. Dikur pyetja mund të ishte: “Si të mbetemi?” Sot duhet të jetë: “Për çfarë duam të jemi?” Kjo është një pyetje më e vështirë. Natyrisht, sepse mbijetesa kërkon instinkt, ndërtimi kërkon vizion, rezistenca kërkon guxim dhe qytetërimi kërkon karakter. Një popull mund të fitojë një luftë dhe të humbasë paqen. Mund të fitojë lirinë dhe të humbasë drejtësinë. Mund të ndërtojë institucione dhe të mos ndërtojë besimin. Mund të ndërtojë rrugë, ndërtesa dhe pasuri, por të mbetet i varfër nëse nuk ndërton njeriun. Prandaj e ardhmja e shqiptarit të Kosovës nuk duhet të matet vetëm me atë sa do të zhvillohet ekonomikisht, duhet të matet me një pyetje më të thellë: A do të bëhet më njerëzor? Padyshim progresi që nuk e fisnikëron njeriun është vetëm ndryshim i pamjes, dhe këtu diaspora merr një kuptim tjetër. Shqiptari që largohet nuk e merr gjithmonë vendin me vete. Merr diçka më të çuditshme: mungesën e tij. Atdheu ndonjëherë bëhet më i pranishëm pikërisht kur nuk je më aty.

Një rrugë e harruar, një zë, një aromë, një fjalë, një varr, një shtëpi që pret. Dhe atëherë kupton se atdheu nuk është vetëm hapësirë. Është marrëdhënie. Mund të jesh larg tokës dhe pranë kujtesës. Mund të jesh pranë tokës dhe larg saj shpirtërisht. Kjo është arsyeja pse atdheu nuk duhet të bëhet thjesht objekt adhurimi. Duhet të bëhet përgjegjësi morale. Në fund, pyetja nuk është nëse shqiptari nga Kosova ka vlerë. Çdo njeri ka vlerë përpara se të ketë histori. Pyetja e vërtetë është: Çfarë e bën të pakëmbyeshme atë vlerë? Nuk duhet të citohet vuajtja, as gjaku, as miti, as viktimizimi, as madhështia e pretenduar. Por aftësia për ta kthyer përvojën në vetëdije, dhimbjen në urtësi, kujtesën në përgjegjësi, lirinë në karakter, identitetin në etikë. Dhe historinë në një të ardhme që nuk ka nevojë ta përsërisë historinë.

Kjo është arsyeja pse vlera absolute e shqiptarit nga Kosova nuk duhet kërkuar vetëm në atë që ka qenë. Duhet kërkuar në atë që mund të bëhet, sepse ekziston një dallim i madh mes një populli që thotë: “Kjo është ajo që na ndodhi.” dhe një populli që pyet: “Çfarë njeriu do të bëhemi pasi na ndodhi?” I pari jeton në histori. I dyti fillon të krijojë histori. Ndoshta kjo është e pathëna. Shqiptari i Kosovës nuk e ka dëshmuar vlerën e vet sepse ka qenë i pathyeshëm. Askush nuk është i pathyeshëm. E ka dëshmuar sepse, edhe pasi është thyer, ka kërkuar mënyrën për të mos mbetur i copëzuar në shpirt, sepse mund të thyhet një shtëpi dhe të rindërtohet. Mund të thyhet një kufi dhe të ndryshojë. Mund të thyhet një shtet dhe të rilindë.

Por pyetja më e madhe është nëse thyhet kuptimi që njeriu ka për veten. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e vërtetë, të mos lejosh që ajo që të ka ndodhur të bëhet më e madhe se ajo që je. Prandaj vlera absolute nuk është një dekor që i vendoset shqiptarit nga jashtë. Ajo është një marrëdhënie e brendshme midis qenies dhe ndërgjegjes. Është momenti kur njeriu mund të thotë: “Historia mund të më shpjegojë, por nuk ka të drejtë të më përcaktojë.” Dhe në këtë fjali mund të përmblidhet një shekull i tërë, sepse liria më e thellë nuk është të mos kesh histori. Është të mos jesh rob i saj. Shqiptari i Kosovës nuk është vetëm ai që i mbijetoi historisë. Është ai që, pas historisë, ende ka të drejtë të zgjedhë se kush do të bëhet. Dhe kjo e drejtë, më shumë se toka, më shumë se pasuria, më shumë se lavdia, është ndoshta forma më e pastër e vlerës absolute.

Ndoshta, në fund të fundit, kjo është ajo që kam mësuar duke njohur Kujtimin, Gëzimin, Sherifin, Lutfiuin, Përparimin, Dautin, Mithatin dhe shumë të tjerë: një popull nuk e mbart vlerën e vet vetëm në emrat që historia i ka ngritur në piedestal, por në mijëra njerëz që jetojnë pa piedestal dhe megjithatë mbeten të lartë në qenien e tyre. Ata më kanë mësuar se madhështia nuk është gjithmonë e dukshme, se karakteri nuk ka nevojë për dëshmitarë dhe se vlera e njeriut nuk fillon aty ku e sheh bota, por aty ku ai mbetet përballë ndërgjegjes së vet. Prandaj, kur mendoj për shqiptarin e Kosovës, nuk mendoj më vetëm për një histori, një tokë apo një identitet; mendoj për një qenie që ka ditur të ruajë veten pa e humbur njerëzoren. Dhe ndoshta kjo është e pathëna që kërkojmë: se vlera absolute nuk është ajo që na jep historia, por ajo që, pavarësisht historisë, ne nuk pranojmë ta humbasim.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page