Fatmir Terziu: Dy poezi
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 19
- 1 min read

Dy grushta
Nga Fatmir Terziu
Dy grushta si dy të ngrëna të trarëve
kundër themelit të gurtë të dashurisë së të parëve
që dikur u bë kurban.
Dy grushta i lashë në raundin e tyre të ftohtë,
edhe pse doja t'i pajtoja
gjumi më shëtiste në një tjetër botë.
Dhe zëri më rrëfente luftën midis çmendurisë dhe budallallëkut
(më pyeste se në cilën anë mund të isha midis së keqes dhe të keqes).
Por unë në atë gjumin e kapadaillëkut
ia trazoja bardhësinë e ç'orientuar vetvetes
i bëja vetëm peshë dyshekut.
E kur ndodhi të shpohej grimëza drite dhoma
ende më dukej se deti po bëhej kos
i lashë grushtat e gjumit në koma,
por ndjeva se drita në atë errësirë ende të plagos.
Emigrant
Nga Fatmir Terziu
Katër mbretër
grinden kush të më rrëmbej torbën time
(hapin nga Bibla luftën e tyre më të vjetër).
Nuk ka më veri dhe lindje, nuk ka më perëndim dhe jug
dita duke u bërë litar
(sytë përditësive kthehen në një plug
dhe netëve ndriçojnë si fanarë).
Trupi duke u matur me modën e pozave të manakinave
nuk bie kur të dojë
qëndron mes yjeve të ajrit që godasin rrotat e makinave
nëpër gojë.









Comments