Fatmir Terziu: Dritë në majat shqipe
- Oct 2, 2025
- 1 min read

Fatmir Terziu: Dritë në majat shqipe
(Kushtuar ‘Artistes së Merituar’ Drita Pelingu)
Nga Fatmir Terziu
Ku është fundi,
frakturë, e terrur në skenarë të padukshëm,
sa më shumë mimika luan lojën e artit,
duket më e pakapshme,
para gjuhës së trupit,
ku është fundi, art i gdhendur në skena,
ku luhet vetë jeta, heshtja?
Ku jemi ne, përtej jetës së pavdekshme,
‘kulla e barit’ shtrëngon dhëmbët,
duke na përpirë pa u ndier,
ajo, pa ‘u djegur’ nga fjalët,
‘Kulla e barit nuk do digjet!!!’
... dhe shkëlqen vetëm Drita,
edhe pse sytë i ka të mbyllur.
Ku është lotëvallja e ndjeshme,
fjala që mbeti zjarri i vetëm engjëllor,
duhet të ketë diçka të pakapshme,
të prekshme në ikjen e dhimbshme,
arti,
një magji e përjetshme,
para ikjes së zërit të një nate,
ku është fjala tipike,
shkëlqimi u tret për ata që e ‘ilustruan’,
të mbetet një Dritë në majat shqipe.
Ti tashmë je shkëlqimi me frymën tokësore,
na mban gjallë,
se jeta jote u ngjiz në skenën sublime,
në buzët e ikjes ka nektar të pakthyeshëm,
çdo ikje është e panjohura, vetë risku,
ndoshta çdo dashurie i bien gonxhet, gjethet,
por tëndes dashuri artiste, asnjëherë, Drita Pelingu.
(Tetor, 2013)









Comments