top of page

Fatmir Terziu: Dhjetë vjet pa talentin Luan Toto

  • 2 hours ago
  • 3 min read

Prof Dr Fatmir Terziu

 

Kanë kaluar dhjetë vjet që nga dita kur Luan Toto u bë i padukshëm për sytë tanë. Njeriu i vlerave nuk mbeti i tillë për kujtesën. Ai nuk mbeti tek ata që koha i tret ngadalë në harresë. Mbeti tek ata që mbeten. Kjo, jo sepse flitet vazhdimisht për ta, por sepse lënë pas gjurmë që nuk i mbulon dot as pluhuri i viteve. Ky ishte dhe është mes memorjes Luan Hysni Toto, poeti, shkrimtari, dramaturgu, piktori dhe njeriu i mirë që Vlora e njohu si një prej figurave të saj më të veçanta krijuese. Dhjetë vjet më pas, emri i tij vazhdon të përmendet me respekt në rrethet e artit dhe letërsisë. Jo vetëm për veprat që krijoi, por edhe për shpirtin e tij fisnik. Për vite me radhë ai mbajti gjallë Klubin e Shkrimtarëve “Petro Marko”, duke e mbështetur me përkushtim në kohë të vështira. Ishte nga ata njerëz që nuk e përdornin kulturën si dekor, por si mision.

Njohja me Luanin të linte përshtypjen e një njeriu të qetë, të përmbajtur, larg zhurmës dhe vetëshpalljeve. Ai i përkiste atij brezi krijuesish që punonin në heshtje. Mjaftonte ta dëgjoje disa minuta për të kuptuar se pas buzëqeshjes së tij fshihej një botë e tërë përvojash, dhimbjesh, kujtimesh dhe ëndrrash. Vinte nga dera e njohur e Totajve të Progonatit, një trung me emër dhe traditë. Në karakterin e tij dukej sikur jetonte ende qëndresa e maleve të Kurveleshit, ajo forcë e heshtur që nuk thyhet lehtë. Talenti i tij ishte dalluar që në rini. Bashkëkohësit kujtojnë se në gjimnazin “Ali Demi” ai ishte ndër nxënësit më të spikatur në fushën e arteve, veçanërisht në pikturë.

Por si shumë intelektualë të brezit të tij, edhe Luani u përball me padrejtësitë e kohës. Studimet në Poloni iu ndërprenë, u godit nga akuzat absurde politike dhe njohu realitetin e ashpër të burgjeve shqiptare. Ishte një plagë që mund të kishte shkatërruar çdo krijues. Megjithatë ai nuk u dorëzua. Arti mbeti streha e tij, ndërsa krijimtaria u bë forma më e bukur e qëndresës. Në pikturë, Luan Toto mbeti një nga interpretuesit më lirikë të peizazhit vlonjat. Deti, Uji i Ftohtë, tuneli, stinët e jugut, drita dhe horizonti shfaqen në tablotë e tij me një ndjeshmëri të veçantë. Ngjyrat nuk ishin thjesht teknikë; ato ishin kujtesë, mall dhe dashuri për vendin e tij. Përballë punëve të tij ndjeje jo vetëm syrin e piktorit, por edhe shpirtin e poetit.

Po aq i rëndësishëm mbetet kontributi i tij në letërsi. Dramat, novelat, romanet dhe përkthimet nga gjuha polake dëshmojnë për një krijues serioz dhe të kultivuar. Romani “Dielli perëndoi në lindje” mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme artistike për Vlorën dhe vitet e trazuara të pasluftës. Në faqet e tij gjendet historia e një qyteti, drama e njerëzve dhe e vërteta e një kohe që shpesh është rrëfyer me frikë ose është heshtur. Ajo që e bënte të veçantë Luan Toton ishte fakti se nuk kërkoi kurrë famën. Ai nuk ishte nga ata krijues që vrapojnë pas reklamës. Punonte, krijonte dhe ecte në rrugët e qytetit të tij me qetësinë e një njeriu që kishte zgjedhur artin si mënyrë jetese. Ndoshta pikërisht për këtë arsye vepra e tij tingëllon sot më e sinqertë.

Dhjetë vjet pas largimit të tij, Vlora vazhdon ta kujtojë si një prej artistëve që nuk u përkulën përballë kohës. Sepse koha mund t’i vonojë vlerësimet, mund t’i fshehë për një periudhë krijuesit e vërtetë, por nuk mund t’i zhbëjë. Luan Toto mbetet mes nesh në telajot e mbushura me dritë, në faqet e librave të tij, në kujtimet e miqve dhe në respektin e atyre që e njohën. Dhjetë vjet mungesë nuk e kanë zbehur figurën e tij. Përkundrazi, e kanë bërë më të qartë.

Emri i tij, vepra dhe kujtimi hyjnë tek ata njerëz që edhe pse ikin, nuk largohen nga jeta. Me respektin për këtë figurë që ka lënë shumë për Vlorën dhe Shqipërinë, natyrshëm dua të them e artistët e vërtetë largohen vetëm fizikisht. Luan Toto ishte dhe mbetet njëri prej tyre, që natyrisht ka lënë dhe vazhdon të jehoj me mesazhin e vlerave që ka lënë për të gjithë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page