Fatmir Terziu: Dertliu
- 2 days ago
- 3 min read

Dertliu
Katër vriga lanë kuturisjen. Kuturisja u quajt vikasje. Vikasja u kuit. E kështu kuisja u ndje. Por vetëm kaq. Kaq. Si një kuisje. Përndryshe, askush nuk e dinte se kur kishte hyrë në qytet. Nuk mbërriti me makinë, nuk zbriti nga ndonjë avion dhe askush nuk e pa të kalonte urën. Megjithatë, një mëngjes ai ishte ulur në shesh. Ishte me një saz në prehër, si të kishte qenë aty që përpara se qyteti të ngrihej në këmbët e urës së re. Njerëzit e panë me të njëjtin shqetësim me të cilin shohin një njeri që nuk kërkon as bukë, as strehë, por vetëm një vend ku hija të mos e tradhtojë. Qyteti kishte një zakon të lashtë. Çdo gjë duhej të kishte një fajtor. Nëse një fëmijë buzëqeshte tepër gjatë, fajin e kishte djalli. Nëse një plak vdiste i qetë, fajin e kishte djalli. Nëse një grua shikonte qiellin pa arsye, fajin e kishte djalli. Kështu ishte më e lehtë. Të gjitha pyetjet mbylleshin me të njëjtën përgjigje, si një kasafortë që nuk hapej më.
Kur Dertliu preku telin e parë, askush nuk dëgjoi muzikë. Dëgjuan vetëm diçka që ngjante me kujtesën e tyre. Një bari kujtoi delen që kishte humbur kopenë. Një gjykatës pa për një çast fytyrën e tij pa rrobën e zezë. Një hoxhë nuk dëgjoi lutjen që kishte mësuar përmendësh, por zërin e nënës së tij që e thërriste nga oborri. Një prift s'kishte më arsye të bënte kryqin. Askush nuk e pranoi këtë. Të gjithë thanë se instrumenti duhej të ishte i mallkuar.
Prandaj e thirrën gjykatësin.
Gjykatësi nuk e pa njeriun. Ai pa vetëm sendin. Mori një libër, pastaj një laptop, pastaj dhe një copë letër, një stirolaps dhe pyeti:
- Nga vijnë telat?
- Nga Venecia.
- Atëherë janë të huaj.
- Po krahu?
- Nga një dëllinjë që nuk pyeti askënd nëse kishte të drejtë të rritej.
Gjykatësi u mendua, pastaj u përhumb. Shkroi gjatë. Kur mbaroi, laptopi ishte nxehur, madje dhe letra ishte e mbushur me fjalë, por asnjëra nuk e përmendte tingullin. Dukej sikur tingulli nuk ishte pjesë e çështjes. Pastaj erdhën njerëzit e shkrimit të shenjtë. Ata matën gjatësinë e telave, peshën e drurit, erën e manit, nyjën e kërpit dhe gdhendjet në trupin e sazit. Hapën libra, krahasuan shenja, numëruan nyje dhe heshtje. Në fund, më i moshuari tha:
- Nuk gjetëm djallin.
Tjetri u përgjigj:
- Atëherë është fshehur më mirë.
Kjo i qetësoi të gjithë. Ditët kaluan dhe Dertliu vazhdoi të luante. Sa herë prekte telat, njerëzit bëheshin më të vështirë për t'u qeverisur. Nuk kundërshtonin urdhrat. Përkundrazi, i zbatonin me saktësi. Por nuk besonin më se urdhri ishte e njëjta gjë me të vërtetën. Kjo ishte më e rrezikshme. Një natë, pa zhurmë, e morën sazin. E çuan në një ndërtesë pa dritare ku ruheshin sendet që nuk mund të shpalleshin fajtorë, por as të pafajshëm. E lanë mbi një tavolinë. Një rojtar priti që instrumenti të ulërinte, të lëvizte, të nxirrte tym, ose të zbulonte ndonjë bisht të fshehur. Asgjë nuk ndodhi. Në errësirë, një tel u drodh vetvetiu. Dhe kjo jo, ore jo, sepse kishte erë. Por sepse diku, shumë larg, dikush e kishte kuptuar veten. Kur e panë këtë në mëngjes, e mbyllën derën me tri dryna. Nuk kishin frikë nga muzika. Kishin frikë nga lidhja e padukshme mes një njeriu dhe një tjetri, lidhje që nuk kalonte as nga ligji, as nga lutja, as nga ndëshkimi.
Dertliu nuk pyeti kurrë për sazin. Ai vazhdoi të ulej çdo mëngjes në të njëjtin shesh, me duart bosh, sikur instrumenti të ishte ende aty. Dhe çuditërisht, njerëzit vazhdonin ta dëgjonin.
Disa u betuan se tingulli vinte nga telat që nuk ekzistonin më. Të tjerë thanë se vinte nga dëllinja, nga mani, nga kërpi, nga Venecia, nga gravurat ose nga ndonjë dorë e padukshme. U ngritën komisione, u shkruan raporte dhe u mbajtën predikime. Asnjë nuk pyeti nëse djalli ishte bërë vetëm një emër që njerëzit i jepnin çdo gjëje që nuk mund ta duronin ta shihnin brenda vetes. Vetëm Dertliu buzëqeshi. Ishte një buzëqeshje aq e vogël, sa në fund të ditës, mund të merrej për një gabim të dritës.








Comments